Realiteti i Kinës si përvojë, jo retorikë

Në një botë që shpesh ndan, ngatërron dhe e sheh “tjetrin” përmes filtrave të largët të lajmeve apo stereotipeve historike, fuqia e përjetimit të drejtpërdrejtë mbetet më e fortë se çdo analizë teorike. Një shprehje e njohur e përmbledh shumë mirë situatën – “Të shohësh do të thotë të besosh!”

Kur bëhet fjalë për Kinën e sotme, ka plot rrëfime, raporte, apo analiza, por asgjë nuk mund ta zëvendësojë përvojën e drejtpërdrejtë në një vend që po transformohet para syve të botës me ritme të rrufeshme. Ata që kanë pasur mundësinë të jetojnë, të udhëtojnë apo punojnë në Kinë, e kuptojnë mirë se ajo që dikur është perceptuar si një botë e largët dhe misterioze, është sot një realitet modern, dinamik dhe thellësisht mbresëlënës.

Ata që shkelin në Kinë, shkojnë me shumë pikëpyetje në mendje, me pasiguri për të panjohurën që i pret në Lindjen e Largët, por edhe me një kureshtje të thellë për vendin. Ajo çka gjejnë atje është një vend unik, ku bashkëjetojnë teknologjia më e përparuar me trashëgiminë mijëravjeçare, ritmi i vrullshëm urban me paqen e çajit tradicional, dhe një fuqi e madhe ekonomike që nuk heq dorë nga rrënjët kulturore. Ajo që fillon si një eksperiencë udhëtimi, shndërrohet në një aventurë jetësore, ku çdo rrugicë, çdo qytet dhe çdo njeri kontribuon në një narrativë të re – atë të mirëkuptimit ndërkulturor dhe të miqësisë mes popujve.

Jetesa në Kinë të bën të pyesësh vetën se si një shoqëri me më shumë se 1.4 miliard banorë ka arritur të ruajë kohezionin, të ndërtojë një shtet modern dhe të ngrejë standarde të reja për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe social kaq të arrirë në kaq pak kohë…..

 

Përtej statistikave: dimensioni njerëzor i progresit të Kinës

Nga qiellgërvishtësit e ndritshëm të Shanghait në tempujt e lashtë të Xi’an-it, nga teknologjia futuriste e Shenzhen-it deri te kopshtet perandorake të Pekinit – Kina është një vend ku koha ndalet dhe përshpejtohet në të njëjtën frymë. Aty ku çdo hap është një mësim, dhe çdo pamje një kujtim i paharrueshëm.

Nga Guangzhou në Ningbo, nga Qingdao në Chongqing, e në çdo metropol të Kinës zhvillimi ekonomik është jo vetëm i dukshëm, por edhe i ndjeshëm – konkret, i organizuar dhe i orientuar drejt të ardhmes. Në çdo cep të Kinës ndjehet fuqishëm efekti i reformave, transformimit të përditshëm, përkushtimit të njerëzve dhe të lidershipit. Rezultati? Një ekonomi që rritet me shpejtësi, një shoqëri që redukton varfërinë në mënyrë drastike, dhe një imazh që po e rindërton veten përmes modernitetit pa humbur identitetin. Vetëm në dekadën e fundit, mbi 100 milion njerëz janë nxjerrë nga varfëria.

Zhvillimi ekonomik i një vendi, zakonisht, matet përmes treguesve të matshëm: rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), niveli i investimeve të huaja direkte, rritja e eksporteve apo tregues të tjerë financiarë. Këto janë instrumente të rëndësishme për të kuptuar drejtimin dhe ritmin e zhvillimit të një ekonomie dhe pa dyshim, në rastin e Kinës, ato dëshmojnë për një transformim të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të fundit. Megjithatë, ka një dimension tjetër të këtij zhvillimi që shpesh i shpëton analizave statistikore – dhe ky është dimensioni njerëzor.

Por ajo që nuk kapet në grafikë dhe tabela është përmasa njerëzore e këtij transformimi. Atje ndodhet përvoja reale e miliona njerëzve që kanë përjetuar këtë ndryshim në jetën e tyre të përditshme: fshatarë që janë zhvendosur në qytete dhe janë bërë pjesë e një shtrese të re urbane; të rinj që kanë hyrë në tregun global të punës falë arsimit të përmirësuar dhe mundësive digjitale; familje që për herë të parë përjetojnë mirëqenie, siguri sociale dhe një ndjenjë pjesëmarrjeje në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi.

Transformimi i Kinës nuk është vetëm një histori ekonomike – është edhe një histori njerëzore, që shtrihet në jetën, ëndrrat, sfidat dhe aspiratat e individëve që kanë qenë pjesë e këtij procesi.

Është mbresëlënëse të shohësh një vend që jo vetëm ka vizion, por edhe disiplinë  dhe vullnet për ta realizuar atë. Në jetët që ndryshojnë ndodhet me të vërtetë  “Mrekullia Ekonomike Kineze” nuk është më thjesht një term ekonomik dhe akademik – por një realitet që të lë pa fjalë. Dhe në atë moment, skepticizmi shuhet përballë realitetit që flet vetë.

 

Shqipëria, Kina dhe kohët që jetojmë

Viti 2025 shënon 76-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë – një lidhje që përtej nostalgjisë historike, po ringjallet me një frymë të re, të bazuar në projekte konkrete, shkëmbime akademike dhe nisma zhvillimi të ndërsjellta. Gjatë viteve të fundit, prania e Kinës në Shqipëri ka kaluar përtej marrëveshjeve ekonomike apo bashkëpunimeve institucionale. Ajo është bërë më e dukshme, më konkrete dhe më e ndjeshme, falë përfshirjes njerëzore—udhëtimeve, shkëmbimeve, miqësive, përvojave të ndara. Ky kontakt i drejtpërdrejtë, që nuk ndërmjetësohet nga asnjë ideologji apo interes i fshehur, na kujton një të vërtetë themelore, sado larg që jemi kemi shumë, shumë të përbashkëta.  Sidomos në vende si Shqipëria, kontaktet e drejtpërdrejta me kultura të largëta si ajo kineze nuk janë vetëm përvoja personale, por ndërtime urash që mund të sjellin një formë të re mirëkuptimi.

Për shumë shqiptarë që kanë pasur mundësinë të udhëtojnë në Kinë, qoftë si studentë apo profesionistë të fushave të ndryshme, imazhi i këtij vendi është thellësisht i ndryshëm nga ai që formësohet në mënyrë të tërthortë. Ata që kanë ecur në rrugët e Shangait, që kanë përjetuar mikpritjen në qytete të vogla kineze, që kanë ndjerë përkushtimin e studentëve të gjuhës shqipe në Pekin, nuk flasin më për atë vendin e largët, por për njerëz të caktuar, për ngjarje konkrete, për ndjenja personale.

Është e lehtë të ndërtosh mendime të ftohta për një vend të largët kur nuk ke parë asgjë prej tij. Por një udhëtim, një shkëmbim, një bisedë e vërtetë mes individësh është shpesh e mjaftueshme për të shembur paragjykime që  janë imponuar në mënyrë të pabazuar me dekada. Dhe për shqiptarët, që vetë kanë përjetuar se si mund të keqkuptohen nga bota e jashtme, kjo ndjeshmëri është e thellë.

Ndryshe nga marrëveshjet që mbeten në letër, kontaktet njerëzore kanë një jetë të vetën. Ato ngjizin ndjenja, kujtime dhe marrëdhënie që zgjasin. Kina, në mënyrë të kujdesshme dhe të durueshme, ka ndërtuar një rrjet të tillë marrëdhëniesh me Shqipërinë—jo përmes imponimit, por përmes ftesës për të parë, për të përjetuar, për të kuptuar.

Studentë shqiptarë që kanë ndjekur studime në universitete kineze kthehen jo vetëm me diploma, por me një mënyrë tjetër të të menduarit për botën. Profesorë shqiptarë që kanë dhënë leksione në Kinë janë kthyer me respekt të thellë për përkushtimin akademik dhe disiplinën e sistemit arsimor kinez. Artistë që kanë marrë pjesë në festivale kulturore në qytete kineze flasin për interesin e sinqertë të publikut lokal për gjuhën, muzikën apo trashëgiminë shqiptare. Këto nuk janë fakte të thata—janë rrëfime njerëzore që transformojnë mënyrën se si shohim një vend. Përtej dokumenteve dhe analizave politike, janë përvojat personale ato që kanë ndikimin më të gjatë.

Kultura kineze është një nga më të lashtat në botë. Por ajo nuk është monolite. Çdo krahinë, qytet, madje edhe familje ka mënyrën e vet të të shprehurit, të të menduarit dhe të mikpritjes. Pikërisht kjo larmi është ajo që e afron Kinën me Shqipërinë.  Kjo përputhje në shpirt i bën takimet shqiptaro-kineze veçanërisht domethënëse. Në vend të përplasjeve kulturore, krijohet një ndjesi njohjeje dhe pranimi.

Shqipëria, për shkak të historisë së saj dhe pozicionit strategjik, ka qenë shpesh në fokusin e interesave të mëdha ndërkombëtare. Të gjitha fuqitë—nga Perandoria Osmane te Bashkimi Sovjetik, nga BE-ja te ShBA-ja—kanë synuar ta përfshijnë Shqipërinë në orbitën e tyre. Kina, ndryshe nga të tjerët, ka zgjedhur një qasje më të heshtur, më të qëndrueshme, më njerëzore.

Në vend që të kërkojë përqafime të menjëhershme politike, ajo ka ndërtuar ura përmes bashkëpunimit konkret. Dhe kjo është ndoshta mënyra më e qëndrueshme për të ndërtuar besim.

Shqiptarët e kuptojnë kur një vend kërkon të imponohet dhe kur një vend vjen si mik. Dhe ndër vite, prania kineze ka krijuar një ndjesi të një miku të mirë, të pranishëm, por asnjëherë imponues.

Në një botë që shpesh ndan më shumë sesa bashkon, Shqipëria ka nevojë për partnerë që nuk e shohin thjesht si një pikë në hartë, por si një komunitet me vlera, histori dhe njerëz që meritojnë respekt. Kina, në të gjitha rastet, ka treguar se e njeh dhe e respekton këtë realitet.

Dhe kur përjetimet janë të vërteta, edhe besimi bëhet i thellë dhe i qëndrueshëm. Shqipëria ka çdo arsye për të ecur përpara me miqësi të sinqerta dhe përvoja të drejtpërdrejta me Kinën—sepse vetëm kështu ndërtohet e ardhmja.

 

Në fund të fundit, për të kuptuar një vend, duhet ta përjetosh. Asnjë raport, asnjë analizë apo opinion nuk mund të zëvendësojë atë që sheh syri, ndjen dhe përjeton mendja. Të shikuarit është të besuarit. Si një njeri që ka studiuar e punuar në Kinë, çfarë më ka ngelur më tepër në mendje, dhe çfarë kam marrë me shumë intensitet analitik në kthimin tim në Shqipëri është një trinom observimi specifik:  Kina është një vend ku e kaluara respektohet thellësisht, e tashmja ndërtohet me përkushtim, mund, punë, seriozitet dhe e ardhmja nuk frikëson, por frymëzon.

©AIGS

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us