Kina, OKB-ja dhe bota e vitit 2025

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) konsiderohet si një skenë globale për diplomacinë, një platformë për politikën ndërkombëtare, një barometër i çështjeve botërore si dhe vendbashkim i ideve dhe kulturave të botës. OKB-ja lindi si një shpresë kolektive për paqe të qëndrueshme për të gjitha kombet. Për 22 vjet rresht Republika Popullore e Kinës (RPK) u mbajt jashtë kësaj organizate – një e pesta e popullsisë së globit nuk ishte pjesë e kësaj platforme që quhet botërore. Pavarësisht se ishte një anëtar themelues dhe një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina luftoi për më shumë se dy dekada për të marrë vendin e saj legjitim në OKB dhe ia doli më 1971.

Në vitin 2025, bota gjendet gjithnjë e më e ndarë dhe e shenjuar nga konfliktet, dhe thirrja për një komunitet global harmonik kumbon më fort se kurrë. Mes trazirave, rivaliteteve gjeopolitike dhe pabarazive socio-ekonomike, OKB-ja po vjen përherë e më shumë në diskursin gjeopolitik si një organizatë me rëndësi por, edhe si udhërrëfyes të substancës dhe vlerave të njerëzimit. Përherë e më shumë kërkohet ndërtimi i një lloji të ri të rendit global  më të drejtë dhe më të barabartë. Përherë e më shumë kërkohet që OKB-ja të pasqyrojë vlerat thelbësore të ngulitura në Kartën e saj, duke theksuar sovranitetin, drejtësinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Dy dekada betejë diplomatike

Pas vitit 1949, Pekini deklaroi se qeveria e RPK ishte qeveria e vetme legjitime e vendit, duke bërë thirrje për dëbimin e përfaqësuesit të Kuomintang nga OKB-ja. Sidoqoftë, kërkesa u prit me kundërshtime, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1961, Asambleja e 16-të e Përgjithshme e OKB-së vendosi ta përfshinte çështjen e përfaqësimit të Kinës në axhendën e saj. Në vitin 1970, për herë të parë, numri i votave “Po” tejkaloi “Jo”. Përparimi i madh në diplomaci e solli vendin në një epokë të re të marrëdhënieve shumëpalëshe.

Më 25 tetor 1971, Asambleja e 26-të e Përgjithshme e OKB-së rivendosi të gjitha të drejtat e ligjshme të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe menjëherë përjashtoi përfaqësuesin e Kuomintang. Kjo ishte rezoluta e famshme e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Nr. 2758 e cila u bazua në një projekt-rezolutë të propozuar bashkërisht nga Shqipëria dhe 22 vende të tjera, më tej u miratua dhe u mbështet nga shumica e vendeve. Ajo që Kina arriti në dekadat e prezencës në OKB hodhi themelet për zhvillimin e lidhjeve diplomatike në të gjithë globin.

Me rritjen ekonomike të Kinës, pozicioni i saj në multilateralizëm është zhvendosur nga pjesëmarrja aktive tek ajo krijuese dhe mbështetëse e dhjetëra nismave. Diplomacia shumëpalëshe e Kinës nuk i shërben thjesht funksionit tradicional të balancimit të jashtëm ose “krijimit të dobisë” – ajo gjithashtu tregon interesin në rritje të Pekinit për krijimin e një rendi më pak instrumental dhe më shumë të bazuar në rregulla dhe norma.

Si një fuqi e madhe e përgjegjshme, Kina gradualisht i ka brendësuar normat ndërkombëtare dhe po angazhohet në OKB në mënyrë tepër aktive. Nga rritja marramendëse e trupave paqeruajtëse, te shumëfishimi i kontributit financiar ndër vite, te thirrja për fashitjen e tensioneve të mbarë botës, Kina në OKB ka luajtur përherë e më shumë një rol vendimtar.

 Kina dhe OKB-ja në shekullin XXI-të

Në vitin 2013, kur në krye të Kinës erdhi Xi Jinping, kohët ishin maturuar për prezencën e një Kine më të përfshirë dhe më proaktive në OKB. Rëndësia e madhe që Xi i jep Kombeve të Bashkuara është demonstruar vazhdimisht në praktikë. Shumë nga mendimet e tij të rëndësishme mbi qeverisjen globale janë dhënë përmes foltoreve të OKB-së.

“Paqja, zhvillimi, barazia, drejtësia, demokracia dhe liria janë vlera të përbashkëta të të gjithë njerëzimit dhe synimet e larta të Kombeve të Bashkuara,” tha Xi në Sallën e Asamblesë së Përgjithshme në 2015.

Sa më komplekse dhe e zymtë të jetë situata, aq më e rëndësishme është të shfaqet autoriteti dhe roli i Kombeve të Bashkuara, i tha Xi Jinping Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres kur ata u takuan në prill 2019 në Pekin, gjatë Forumit të Dytë të Nismës “Një brez, një rrugë.”

Qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së mbeten gurthemeli i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina i nxit vendet të nxjerrin mësime nga historia, të forcojnë solidaritetin dhe të sigurojnë që OKB-ja të vazhdojë të luajë rolin e saj qendror në ruajtjen e paqes dhe promovimin e zhvillimit.

Iniciativa e Qeverisjes Globale (GGI), e paraqitur nga Presidenti kinez Xi Jinping në shtator 2025 në takimin e “Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Plus” në Tianjin, ofroi një përgjigje “për pyetjet kryesore të kohës sonë: çfarë lloj sistemi qeverisjeje duhet ndërtuar dhe si të reformohet dhe përmirësohet qeverisja globale. Iniciativa përfaqëson zgjidhjen e Kinës për mënyrën e adresimit të deficitit në përfaqësim dhe avancimin e krijimit të një sistemi më të drejtë dhe të barabartë.

I dërguari i Kinës në OKB i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë multilateralizmin ndërsa Kombet e Bashkuara shënojnë 80-vjetorin e hyrjes në fuqi të Kartës. Duke parë përpara drejt 80 viteve të ardhshme, në vend që të flitet vetëm, duhet të ecet përpara dhe të mbështetet organizata ndërsa ajo nis një udhëtim të ri.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërtojë një OKB që mbron paqen dhe sigurinë, përballet me sfidat dhe vështirësitë, mbështet drejtësinë  dhe është efikase, pragmatike dhe autoritare.

Kina ka qenë përherë e gatshme të punojë me të gjitha vendet për të mbështetur idealet e larta të organizatës. Për Kinën të gjitha vendet duhet të qëndrojnë të vendosura për të mbrojtur sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelbin e tyre, për të ruajtur rendin ndërkombëtar dhe për të mbrojtur normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet globale bazuar në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së.

Një botë e re që kërkon reagime të reja

Vizioni i Presidentit Xi Jinping për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin mbron qeverisjen globale të bazuar në konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta, duke nxitur një lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Iniciativat si: Iniciativa për Zhvillimin Global, Iniciativa e Sigurisë Globale dhe Iniciativa e Qytetërimit Global, synojnë të avancojnë këtë vizion, duke ofruar zgjidhje praktike për sfidat dhe duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Sesionin e saj të 76-të, u zhvillua në shtator të vitit 2021. Në fjalët e Xi në këtë event u duk qartë se ai i referohet një bote të re, një bote që ka nevojë për më shumë bashkëpunim dhe më pak polemika, një bote ku mbizotëron dialogu dhe jo konfrontimi. Nën petkun e numrit një të politikëbërjes kineze, Xi u parashtroi pjesëmarrësve prioritetet e vendit të tij, u zotua për bashkëpunim dhe efikasitet, mori përsipër detyra të vështira për Kinën, por që do të zbatohen në emër të mirëqenies së përbashkët.

Xi përsëriti planin e Kinës për të ardhmen e botës, përkatësisht modelin e ri, shumëpalësh e gjithëpërfshirës të zhvillimit dhe nocionin e ndërtimit të një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin. Ai vuri në dukje ligjet objektive të ndërvarësisë dhe lidhjes së ngushtë të të gjitha vendeve në botë, që përputhen me trendin e paqes dhe zhvillimit, si dhe bashkëpunimin fitimprurës. Përfitimet e globalizimit ekonomik nuk duhet të gëzohen vetëm nga disa vende, por nga të gjitha vendet në botë.

Deklaratat e Xi ndër vite kanë reflektuar idetë e përbashkëta të shumicës së vendeve në botë, kanë përfaqësuar premtimin solemn të Kinës për t’iu përmbajtur multilateralizmit të vërtetë, kanë treguar ndjenjën e përgjegjësisë së vendit si një aktor kryesor për ta bërë sistemin e qeverisjes globale më të drejtë dhe të barabartë.

Kina do të ecë përpara së bashku me të gjitha forcat përparimtare të botës në udhëtimin e madh drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, dhe gjithmonë do të jetë ndërtues i paqes botërore, kontribues në zhvillimin global, mbrojtës i rendit ndërkombëtar dhe ofrues i të mirave publike.

Shumë herë është konfirmuar nga numri një i politikëbërjes kineze se Kina do të qëndrojë e angazhuar në mënyrë aktive në reformimin dhe zhvillimin e sistemit aktual.

Së fundmi, në kontekstin e botës së vitit 2025 dhe në trajektoren aktuale të rritjes së tensioneve gjeopolitike, këto parime kineze mund të shërbejnë si një forcë stabilizuese. Ato inkurajojnë kombet që të përfshihen në dialog dhe të negociojnë dallimet e tyre në vend që të përdorin konflikte. Ato na kujtojnë se sfidat globale kërkojnë zgjidhje kolektive dhe se ndjekja e interesave kombëtare nuk duhet të dëmtojë harmoninë ndërkombëtare.

Duket qartë se Kina moderne është përfaqësuar në OKB si një fuqi e madhe e përgjegjshme, asnjëherë revizioniste, me një ndjenjë të fortë të memories kolektive dhe mbi të gjitha e angazhuar denjësisht me premtime të mbajura.

 

AIGS

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us