Kina shpall strategjinë e parashikimit të sistemit tokësor për periudhën 2025-2035

Foto nga VCG

Administrata Meteorologjike e Kinës (CMA) shpalli të enjten Strategjinë e Zhvillimit të Parashikimit të Sistemit Tokësor (2025-2035), që ka si synim ndërtimin e një sistemi parashikimi të klasit botëror dhe të pavarur deri më 2035.

Zëvendësdrejtori i CMA-së, Bi Baogui, deklaroi në një konferencë shtypi në Pekin që kjo nismë u përgjigjet si nevojave kombëtare të parandalimit të fatkeqësive, ashtu edhe të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Sipas Bi, strategjia ndjek qasjen e integrimit digjital-inteligjent, duke ndërthurur parashikimin numerik të bazuar te fizika me inteligjencën artificiale, për të përmirësuar saktësinë dhe efektshmërinë e parashikimit.

Ekzistojnë tetë përparësi kryesore, duke përfshirë zhvillimin e modeleve të sistemit tokësor shumësferëshe, modeleve të parashikimit të IA-së dhe infrastrukturës digjitale të aftë për të ofruar parashikime të qëndrueshme nga minutat deri në dekada.

Zëvendësdrejtori i Administratës Meteorologjike të Kinës , Bi Baogui/CMA

Strategjia përfshin dy faza. E para është arritja e modeleve operacionale të brezit të ardhshëm dhe e kornizave të njësuara të IA-së deri në vitin 2030, dhe e dyta është krijimi i një sistemi të integruar parashikimi të sistemit tokësor me aftësi të përmasës kilometrike në shkallë globale dhe të qindra metrave në shkallë rajonale deri më 2035.

Modelet e IA-së, si “Fengqing” i CMA-së dhe “Pangu” i “Huawei”-t, kanë demonstruar efikasitet revolucionarizues, duke e çuar aftësinë përllogaritëse parashikuese nga niveli i orëve në atë të sekondave ose minutave. Këto përparime do të mbështesin objektivat e paralajmërimit të hershëm të fatkeqësive, planifikimit bujqësor, energjisë së përtëritshme dhe asnjanësimit të karbonit, tha Liang Feng, drejtor i Njësisë së Parashikimeve të CMA-së.

Ndërsa Liu Zuoting, drejtor i Institutit Meteorologjik të Inovacionit të IA-së “Xiong’an”, theksoi rolin e institutit si një “terren testimi” për inovacionin ndërdisiplinor në zhvillimin e modeleve të parashikimit të IA-së.

Strategjia thekson gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht me vendet partnere të nismës “Një brez, një rrugë”, për të përballuar sfidat klimatike globale.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us