Ministri i Jashtëm i Kinës zhvillon bisedime telefonike me homologët e vet të Kamboxhias dhe Tajlandës

Ministri kinez i Punëve të Jashtme Wang Yi/Foto nga VCG

Ministri kinez i Punëve të Jashtme Wang Yi zhvilloi të mërkurën biseda telefonike me zv.kryeministrin dhe ministër të Jashtëm të Kamboxhias Prak Sokhonn, si edhe me ministrin e Jashtëm të Tajlandës Sihasak Phuangketkeow. Të dy palët e informuan kryediplomatin e Kinës mbi zhvillimet e fundit të përplasjeve kufitare midis Kamboxhias e Tajlandës dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të ulur tensionet dhe për të arritur një armëpushim.

Wang Yi, i cili është gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se, si vend mik dhe fqinj i afërt si i Kamboxhias, ashtu edhe i Tajlandës, Kina nuk dëshiron të shohë një përballje të armatosur ndërmjet të dy palëve dhe është thellësisht e trishtuar për viktimat civile të shkaktuara nga konflikti.

Ai vuri në dukje se intensiteti i këtij raundi të konfliktit është shumë më i madh se incidentet e mëparshme dhe lejimi i vazhdimit të tij nuk është në të mirë të asnjërës nga palët e do të minojë unitetin e ASEAN-it, duke shtuar që përparësia kryesore është që të arrihet sa më parë armëpushimi, të ndalojnë humbjet dhe të rifitohet besimi i ndërsjellë.

Kryediplomati kinez theksoi se Kina ka nxitur vazhdimisht bisedimet e paqes dhe ka vepruar me drejtësi e paanësi në çështjen kufitare midis Kamboxhias dhe Tajlandës, duke mbështetur përpjekjet ndërmjetësuese të ASEAN-it.

Wang Yi bëri të ditur që një i dërguar i posaçëm për çështjet aziatike nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës është nisur tashmë për në Kamboxhia dhe Tajlandë për të kryer të ashtuquajturën “diplomaci e vajte-ardhjes”, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të luajë një rol lidhës dhe të bëjë përpjekje konstruktive për të nxitur rivendosjen e paqes midis të dy vendeve.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us