Në Konferencën e 11-të të Palëve për Rishikimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), të mbajtur të martën në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Kina bëri thirrje për ripërkushtim ndaj konsensusit ndërkombëtar mbi çarmatimin bërthamor dhe shprehu shqetësim për komentet e një shteti jobërthamor, i cili mbështet zotërimin e armëve bërthamore.
Duke folur gjatë diskutimeve mbi projektdokumentin përfundimtar, përfaqësuesi kinez propozoi amendime që synonin të ripohonin konsensusin global për çarmatimin bërthamor. Duke pasur parasysh dallimet e ndjeshme midis vendeve për sa u përket kapaciteteve bërthamore, politikave bërthamore dhe mjediseve të sigurisë strategjike, përpjekjet për çarmatim duhet t’u përmbahen parimeve të ruajtjes së qëndrueshmërisë strategjike globale dhe të garantojnë që siguria e asnjë vendi të mos cenohet, tha përfaqësuesi i Kinës.
Pala kineze gjithashtu theksoi se zvogëlimi i rolit të armëve bërthamore në politikat e sigurisë kombëtare mbetet një hap i rëndësishëm dhe praktik drejt uljes së rrezikut të luftës bërthamore.
Kina ripohoi edhe mbështetjen e saj për çarmatimin bërthamor bazuar në konsensusin e konsoliduar ndërkombëtar dhe propozoi shtimin e teksteve që u bëjnë thirrje shteteve bërthamore që të braktisin në mënyrë të përhershme zotërimin e armëve bërthamore.
Po ashtu, Kina përkrahu thirrjet e shumë vendeve për forcimin e marrëveshjeve pasuese të Traktatit të Ri për Pakësimin e Armëve Strategjike (New START), një marrëveshje e kontrollit të armëve bërthamore midis ShBA-së dhe Rusisë që synon të kufizojë numrin e armëve bërthamore strategjike që mund të dislokojë secili vend, afati i të cilit përfundoi më 5 shkurt 2026, si edhe mbështeti masat praktike që synojnë parandalimin e luftës bërthamore.