Foto nga VCG
Me ftesë të palës vietnameze, kryeministri i Kinës, Li Qiang, zhvilloi të hënën paradite një bisedë telefonike me kryeministrin e Vietnamit, Le Minh Hung.
Li Qiang tha se në prill të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe presidentin e Vietnamit, To Lam, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kinë. Të dy palët arritën një konsensus të rëndësishëm për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë–Vietnam në një nivel më të lartë dhe me rëndësi strategjike. Kohët e fundit, departamentet dhe autoritetet e pushtetit vendor të të dy vendeve kanë përshpejtuar zbatimin e rezultateve të vizitës, duke arritur përparime pozitive.
Li theksoi më tej se Kina është e gatshme të forcojë koordinimin me Vietnamin në strategjitë e zhvillimit, të nxisë zgjerimin dhe përmirësimin e tregtisë dypalëshe, të përparojë ndërlidhjen infrastrukturore, të përshpejtojë ndërtimin e zonave të bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar dhe të zgjerojë bashkëpunimin në fusha si energjetika, burimet minerare, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale dhe financat, për të arritur përfitime të ndërsjella në një nivel më të lartë. Ai shtoi se të dy vendet duhet të organizojnë me sukses aktivitete si Viti i Bashkëpunimit Turistik Kinë–Vietnam, të zbatojnë projekte sociale, të menaxhojnë siç duhet mosmarrëveshjet detare dhe të forcojnë bazën shoqërore të miqësisë mes dy popujve.
Nga ana e tij, Le Minh Hung tha se marrëdhëniet Vietnam–Kinë po zhvillohen me një vrull të fortë. Partia Komuniste e Vietnamit dhe qeveria vietnameze i kushtojnë rëndësi të madhe miqësisë me Kinën dhe e konsiderojnë zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën si një zgjedhje strategjike dhe përparësi kryesor të politikës së jashtme vietnameze.
Ai theksoi më tej se Vietnami është i gatshëm të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e arritur nga udhëheqësit më të lartë të të dy partive dhe vendeve, të forcojë kontaktet e nivelit të lartë, të konsolidojë besimin e ndërsjellë strategjik, të thellojë koordinimin e strategjive të zhvillimit dhe bashkëpunimin në fusha si tregtia dhe infrastruktura e transportit, si edhe të promovojë shkëmbimet në turizëm, arsim, shëndetësi dhe pushtet vendor.