Foto nga CGTN
Prodhimi i baterive për ruajtjen e energjisë në Kinë tejkaloi 420 gigavat-orë në gjysmën e parë të vitit 2026, një rritje prej 110% në krahasim me nivelin e vjetshëm. Gjithashtu, përqindja e komponentëve vendas në pajisjet kryesore të prodhimit kaloi 90%, sipas të dhënave të publikuara të enjten në Konferencën Botërore për Ruajtjen e Energjisë 2026, që u mbajt në Ningde, në provincën Fujian të Kinës Juglindore.
Këto dy shifra u bënë të ditura nga Xiong Jijun, zv/Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës. Sipas tij, kapaciteti i instaluar i sistemeve të reja të ruajtjes së energjisë në Kinë arriti në mbi 153 milionë kW deri në fund të qershorit, një rritje 50-fish krahasuar me fillimin e periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025).
Një nga mesazhet kryesore të konferencës është se sektori kinez i ruajtjes së energjisë duhet të kalojë nga zgjerimi i thjeshtë i vëllimit tek rritja e nxitur nga inovacioni, duke shmangur konkurrencën e egër që çon në zhvlerësimin e sektorit.
Kjo ministri deklaroi gjithashtu se do të përmirësojë mekanizmat e paralajmërimit të hershëm lidhur me kapacitetet prodhuese. Sektori përkatës po kalon nga një zhvillim i nxitur nga politikat shtetërore drejt një zhvillimi të diktuar nga tregu, ku burimet e të ardhurave po diversifikohen përmes tregtimit të energjisë, shërbimeve mbështetëse dhe kompensimit për kapacitetet e ofruara.
Drejtues të industrisë, përfshirë Zeng Yuqun, kryetar i kompanisë “Contemporary Amperex Technology Co. Limited” (CATL), vunë në dukje se ruajtja e energjisë po shndërrohet në një “lloj të ri infrastrukture” për sistemet energjetike, dhe jo thjesht si një përplotësues të burimeve të rinovueshme të energjisë.
Qendra për Zhvillimin e Industrisë së Pajisjeve pranë Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit publikoi një raport mbi zhvillimin dhe perspektivat e industrisë së re të ruajtjes së energjisë. Raporti tregon se sistemet e pavarura të ruajtjes së energjisë përbënin 69.3% të kapaciteteve të reja energjetike në gjysmën e parë të vitit 2026, një rritje prej 13.9 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas raportit, projektet po bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe me kohëzgjatje më të madhe. Projektet me kapacitet 100 MW ose më shumë përbënin 72% të instalimeve, ndërsa projektet me kohëzgjatje mbi 4 orë përbënin 27.6% të totalit. Eksportet mbeten të fuqishme; porositë nga jashtë vendit, të nënshkruara gjatë gjysmës së parë të vitit, arritën në 298 GWh, një rritje prej 83% krahasuar me vitin e mëparshëm. Bateritë litium-jon dominojnë, duke përbërë 94.06% të instalimeve të reja.
Raporti parashikon se, gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), fokusi i konkurrencës do të zhvendoset nga strategjitë e bazuara në çmime të ulëta, drejt vlerës teknologjike dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare.