Xiamen…një histori e shkruar nga deti

Qyteti Xiamen/Foto nga VCG

Qielli i kaltër, gjelbërimi i gjithandejshëm dhe deti që ndërthuret me jetën urbane. Kjo është pamja që të ofron Xiameni, një qytet në bregdetin juglindor të Kinës, ku natyra dhe zhvillimi ekonomik bashkëjetojnë në harmoni. Malet, liqenet, lulet dhe hapësirat urbane krijojnë një peizazh të veçantë.  Xiameni përfaqëson edhe një shembull të shkëlqyer të mundësisë për të lidhur zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit ishullor dhe detar.

I njohur si ‘qyteti kopsht’ buzë detit, Xiameni ka një histori të gjatë detare, kapacitete të rëndësishme shkencore dhe një përvojë shumëvjeçare në mbrojtjen e ekosistemeve bregdetare. Këto veçori e kanë vendosur sot në qendër të një nisme ndërkombëtare me rëndësi për të ardhmen e oqeaneve.

Kina ka propozuar Xiamenin si kandidat për të pritur Sekretariatin e Traktatit të Shumëllojshmërisë Biologjike Oqeanike (BBNJ, Biodiversity Beyond National Jurisdiction)). Më 16 janar 2026, ajo paraqiti kandidaturën e Xiamenit për selinë e sekretariatit. Konkurrenca është ndërkombëtare. Belgjika ka propozuar Brukselin, ndërsa Kili ka propozuar Valparaison. Vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e parë të Konferencës së Palëve, të planifikuar për janarin e vitit 2027. Kjo garë nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e një qyteti, ajo lidhet me mënyrën se si bota do të bashkëpunojë për të mbrojtur oqeanet, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të siguruar që përfitimet nga burimet detare të trajtohen në mënyrë të drejtë. Në këtë përpjekje, Xiameni sjell një histori që lidh tregtinë, shkencën, diplomacinë dhe mbrojtjen e natyrës.

Pse Kina? Një përgjegjësi që tejkalon kufijtë kombëtarë

Marrëveshja BBNJ synon të krijojë rregulla ndërkombëtare për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit në detin e hapur dhe në zonën ndërkombëtare të shtratit të detit. Këto hapësira përbëjnë së bashku rreth dy të tretat e sipërfaqes së oqeaneve të botës.

Marrëveshja përqendrohet në katër fusha kryesore: burimet gjenetike detare, menaxhimin e zonave detare, vlerësimin e ndikimit në mjedis, si dhe ngritjen e kapaciteteve dhe transferimin e teknologjisë detare. Rëndësia e marrëveshjes është e shumëfishtë. Ajo krijon mundësi për mbrojtjen e habitateve, përmirësimin e kërkimit shkencor dhe përdorimin më të përgjegjshëm të burimeve detare. Njëkohësisht, synon të ndihmojë në ndërtimin e një rendi ndërkombëtar detar më të drejtë dhe më të barabartë, dhe hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje përbën një zhvillim të rëndësishëm.

Kina ka marrë pjesë në të gjitha fazat e negociatave. Ajo e nënshkroi marrëveshjen në selinë e OKB-së në Nju-Jork më 20 shtator 2023, ditën e parë kur dokumenti u hap për nënshkrim. Ratifikimi në dhjetor 2025 dhe hyrja në marrëveshje si një nga palët e para në janar 2026, përforcuan angazhimin e saj. Kjo pjesëmarrje lidhet me synimin e Kinës për të luajtur një rol aktiv në qeverisjen globale të oqeaneve. Si një vend i madh detar, me kapacitete të gjera ekonomike, teknologjike dhe kërkimore, Kina e konsideron mbrojtjen e biodiversitetit detar pjesë të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Një dimension tjetër është ideja e zhvillimit në harmoni me natyrën. Në vizionin e qytetërimit ekologjik, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk shihen si qëllime të ndara. Përkundrazi, ato duhet të ecin së bashku dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Përvoja e Xiamenit e ilustron këtë qasje. Që prej vitit 1994, qyteti ka zhvilluar një model të menaxhimit të integruar të zonave bregdetare. Ky model synon të harmonizojë aktivitetin ekonomik, planifikimin urban dhe mbrojtjen e ekosistemeve detare.

Qyteti Xiamen/Foto nga VCG

Për Kinën, kandidatura e Xiamenit është gjithashtu një mundësi për të forcuar pjesëmarrjen e vendeve në zhvillim në qeverisjen globale të oqeaneve. Vendet e Jugut Global kanë nevojë për mundësi më të mëdha për të kontribuar në vendimmarrje, për të zhvilluar kërkimin shkencor dhe për të përfituar nga transferimi i teknologjisë. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e përmblodhi ambicien e kandidaturës me fjalët: “Na jepni këtë mundësi dhe së bashku do të krijojmë një histori të jashtëzakonshme për botën.”

Pse Xiameni? Trashëgimia detare dhe mbrojtja e natyrës

Emri Xiamen (厦门) rrjedh nga dy karaktere kineze, të pasura me kuptim simbolik, siç pasqyrohet në një poezi: 厦 “Xià”: Një rezidencë madhështore strehon mysafirë nga pesë kontinentet; 门 “Mén”: Një portë e gjerë përqafon valët që vijnë nga dhjetë mijë milje larg. Për shekuj me radhë, ky qytet në bregdetin juglindor të Kinës ka qenë një portë drejt botës, një vend ku tregtia, kultura dhe njerëzit kanë takuar njëri-tjetrin përtej kufijve.

Historia e tij nis nga një ishull. Banorët e hershëm ndërtuan jetën pranë ujit, duke u mbështetur te peshkimi, bujqësia dhe veprimtaritë detare. Me kalimin e kohës, kjo lidhje e përditshme me detin u shndërrua në një traditë që përcaktoi identitetin, ekonominë dhe kulturën e qytetit.

Që në dinastitë Song dhe Yuan, gjatë periudhës 960–1368, Xiameni ishte pjesë e rrjeteve tregtare që lidhnin Kinën me botën e jashtme. Porcelani kinez eksportohej përmes Rrugës Detare të Mëndafshit, e cila shërbente si një urë shkëmbimesh ekonomike dhe kulturore. Përmes këtyre rrugëve, mallrat, njohuritë dhe traditat udhëtonin nga një port në tjetrin. Deti nuk ndante popujt, por i afronte ata.

Me kalimin e shekujve, Xiameni u zhvillua si një port i rëndësishëm tregtar, një pikë e bashkëpunimit të Kinës me vendet e tjera dhe një hapësirë ku takoheshin kultura të ndryshme. Kjo trashëgimi vazhdon edhe sot, ndërsa qyteti mbetet një nyje e rëndësishme e Rrugës Detare të Mëndafshit të shekullit XXI.

Në epokën moderne, Xiameni hyri në një fazë të re zhvillimi. Si një nga zonat e para ekonomike speciale të Kinës, qyteti u bë një qendër e rëndësishme e tregtisë, investimeve dhe hapjes ndërkombëtare. Zhvillimi i tij ekonomik u shoqërua me zgjerimin e lidhjeve me botën, por edhe me nevojën për të ruajtur pasurinë natyrore që kishte përcaktuar historinë e tij.

Qyteti Xiamen/Foto nga VCG

Pikërisht këtu qëndron një nga veçoritë e Xiamenit. Qyteti nuk e sheh detin vetëm si burim ekonomik, por edhe si trashëgimi që duhet ruajtur. Kandidatura e Xiamenit për të pritur sekretariatin e Marrëveshjes BBNJ e lidh kështu trashëgiminë e së kaluarës me përgjegjësitë e së ardhmes.

Një nga përparësitë më të rëndësishme të Xiamenit është përvoja në mbrojtjen e mjedisit detar. Në ujërat bregdetare janë krijuar më shumë se 70 kilometra katrorë zona kombëtare të mbrojtura për specie të rralla detare. Në këto ujëra gjenden delfinët e bardhë kinezë, ndërsa pyjet e mangrovave luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekosistemeve bregdetare. Një sekretariat ndërkombëtar për biodiversitetin detar ka nevojë për një mjedis që ofron jo vetëm infrastrukturë, por edhe mundësi për të studiuar praktika konkrete të mbrojtjes së natyrës. Për më tepër, qyteti është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Nderit të UN-Habitat, për përpjekjet e tij në zhvillimin urban dhe përmirësimin e mjedisit të jetesës. Qyteti është vlerësuar gjithashtu për biodiversitetin dhe cilësinë e mjedisit.

Shkenca është një tjetër përparësi. Xiameni konsiderohet një nga qendrat e rëndësishme të shkencës detare në Kinë dhe një pikë kërkimore me ndikim në rajonin Azi-Paqësor. Qyteti ka afro 5.000 studiues të fushës detare dhe 30 platforma kërkimore për shkencën dhe teknologjinë detare. Ai shërben gjithashtu si port bazë për disa anije kërkimore të avancuara. Këto kapacitete mund të mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive. Mbrojtja e biodiversitetit kërkon të dhëna të besueshme, kërkime afatgjata dhe teknologji që ndihmojnë në kuptimin e ndryshimeve në mjedisin detar.

Xiameni ka krijuar edhe një rrjet të gjerë bashkëpunimi. Ai është shtëpia e Qendrës së APEC-ut për Zhvillimin e Qëndrueshëm Detar dhe e Qendrës Kinë–ASEAN për Bashkëpunimin Detar. Qyteti ka vendosur marrëdhënie miqësie me 42 qytete dhe provinca në vende të ndryshme, si dhe partneritete me 19 porte ndërkombëtare. Këto lidhje ofrojnë një bazë për shkëmbimin e përvojave dhe organizimin e veprimtarive të përbashkëta.

‘Ekonomia blu’ dhe mundësia për një bashkëpunim më të drejtë detar

Përvoja e qytetit tregon se deti mund të jetë njëkohësisht burim zhvillimi ekonomik dhe hapësirë që kërkon mbrojtje të vazhdueshme. Ekonomia blu (e lidhur me detin) përbën rreth 30% të prodhimit të brendshëm (PBB) bruto të Xiamenit. Kjo përfshin veprimtari që lidhen me transportin detar, portet, turizmin bregdetar, peshkimin dhe industritë e reja të lidhura me burimet detare.

Qyteti Xiamen/Foto nga VCG

Porti i Xiamenit renditet i 11-ti në Indeksin e Lidhshmërisë së Transportit Detar të Linjave të Anijeve të UNCTAD-it dhe i 14-ti në botë për nga vëllimi i kontejnerëve të përpunuar, sipas të dhënave të paraqitura në materialin e kandidaturës. Qyteti po investon në zhvillimin e porteve digjitale dhe inteligjente, si dhe në sektorë të rinj, përfshirë bioproduktet detare, pajisjet e avancuara, materialet e reja dhe industritë digjitale. Kjo përvojë ka rëndësi sepse ekonomia blu nuk mund të mbështetet vetëm te shfrytëzimi i burimeve. Ajo kërkon teknologji, planifikim dhe politika që sigurojnë vazhdimësinë e ekosistemeve.

Xiameni po përdor teknologji si Interneti i Gjërave (IoT), të dhënat masive, inteligjenca artificiale dhe kompjuterizimi në Cloud për të mbështetur mbrojtjen e biodiversitetit detar. Këto mjete mund të ndihmojnë në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, si dhe në përmirësimin e monitorimit mjedisor.

Një shembull i rëndësishëm është programi Global Ocean Negative Carbon Emissions (Global-ONCE), i nisur nga Universiteti i Xiamenit. Në kuadër të Dekadës së Shkencave të Oqeanit të OKB-së, programi ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet 104 institucioneve kërkimore nga 35 vende.

Kjo nismë dëshmon se kërkimi shkencor mund të kapërcejë kufijtë kombëtarë dhe të krijojë mundësi për veprim të përbashkët. Sfida e oqeaneve kërkon njohuri të përbashkëta dhe zgjidhje që mund të përshtaten nga vende me kapacitete të ndryshme. Kina ka paraqitur edhe mbështetje konkrete për funksionimin e tij. Është përgatitur një ndërtesë zyrash 15-katëshe, së bashku me dy ndërtesa mbështetëse, që do të ofrohen pa pagesë për një periudhë afatgjatë. Ka një kontribut prej 3 milionë dollarësh në fondin vullnetar të marrëveshjes, për të mbështetur pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve në zhvillim në takimet përkatëse. Qeveria kineze ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë edhe në fondin e posaçëm për ngritjen e kapaciteteve që nevojiten për zbatimin e marrëveshjes.

Vendet në zhvillim shpesh kanë më pak mundësi për të financuar kërkime shkencore ose për të siguruar teknologjitë e nevojshme. Prandaj, mbështetja financiare dhe transferimi i njohurive mund të ndihmojnë në krijimin e një sistemi më gjithëpërfshirës të qeverisjes së oqeaneve. Ky është edhe një nga argumentet kryesore të kandidaturës kineze. Një seli në Xiamen, e mbështetur nga rrjetet kërkimore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të qytetit, mund të ndihmojë në forcimin e përfaqësimit të Jugut Global.

Qyteti Xiamen/Foto nga VCG

Në këtë kuptim, kandidatura e Xiamenit do të vlerësohet jo vetëm për infrastrukturën dhe kapacitetet që ofron, por edhe për mundësinë që krijon për bashkëpunim të dobishëm për të gjitha palët.

Së fundmi, Xiameni bashkon disa përparësi,  trashëgiminë detare, mjedisin natyror, kërkimin shkencor, infrastrukturën dhe hapjen ndaj botës. Ky kombinim e bën kandidaturën e tij të rëndësishme për t’u shqyrtuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Qyteti ka ndryshuar me kohën, nga një vendbanim ishullor në një qendër të tregtisë dhe të kërkimit shkencor. Por deti vazhdon të jetë elementi që i bashkon këto etapa të historisë së tij. Dhe pikërisht kjo lidhje mund t’i japë qytetit një rol të ri në përpjekjen globale për të mbrojtur oqeanet.

Oqeanet nuk njohin kufijtë politikë. Ato lidhin popujt, ekonomitë dhe ekosistemet. Prandaj, e ardhmja e tyre kërkon përgjegjësi të përbashkët, bashkëpunim shkencor dhe një sistem ndërkombëtar ku të gjitha vendet të kenë mundësi të kontribuojnë. Siç është shprehur Ministri i Jashtëm Wang Yi: “Kina është gati. Xiameni është gati.”

 

AIGS

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us