Kina dhe Kanadaja zhvillojnë bisedimet e para ekonomike dhe tregtare në nivel ministror

Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao (djathtas), dhe ministri kanadez i Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu, shtrëngojnë duart në Pekin, kryeqyteti i Kinës, më 3 nëntor 2026. /Ministria e Tregtisë e Kinës

Kina dhe Kanadaja zhvilluan të martën në Pekin takimin e tyre të parë në nivel ministror, ​​në kuadër të mekanizmit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETC), ndërsa të dyja vendet synojnë të forcojnë lidhjet ekonomike dhe të trajtojnë shqetësimet në fushën e tregtisë.

Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao, dhe ministri kanadez i Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu, bashkëkryesuan takimin e 29-të të komisionit. Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, palët zhvilluan diskutime të hapura e të thella mbi marrëdhëniet dypalëshe ekonomike e tregtare, bashkëpunimin në sektorët tradicionalë dhe ata në zhvillim, si edhe mbi çështje me interes të përbashkët.

Wang vuri në dukje se konsultimet e fundit ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve kanë shënuar përparim pozitiv, nën udhëzimet strategjike të udhëheqësve të tyre. Kjo përfshin zgjatjen e mëtejshme të disa përjashtimeve, në kuadër të një marrëveshjeje të përbashkët paraprake mes dy palëve.

Wang u shpreh më tej që Kina është e gatshme ta shfrytëzojë plotësisht JETC-në si një kanal kyç për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik. Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë të ngushtojnë listën e çështjeve të pazgjidhura, duke zgjeruar njëkohësisht fushat e bashkëpunimit.

Ministri kinez i Tregtisë gjithashtu u bëri thirrje të dy vendeve që të zbatojnë udhërrëfyesin e tyre për bashkëpunimin ekonomik e tregtar, të forcojnë lidhjet në sektorët tradicionalë, si nafta e gazi, produktet bujqësore e ujore dhe mallrat e konsumit, si edhe të hulumtojnë mundësi të reja në fushën e materialeve të përparuara, prodhimit të përparuar, energjisë së pastër dhe bujqësisë inteligjente.

Nga ana e tij, Sidhu e përshkroi dinamikën aktuale në marrëdhëniet Kanada-Kinë si inkurajuese, duke thënë se të dyja palët kanë shënuar përparim në fusha të ndryshme falë zbatimit të konsensusit të arritur nga udhëheqësit e tyre.

Ai tha se ka rifilluar eksporti i produkteve bujqësore e ujore kanadeze në Kinë, ndërsa tregtia dypalëshe është rritur me shpejtësi.

Duke e cilësuar JETC-në si një nga mekanizmat më të rëndësishëm për dialogun ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve, Sidhu u shpreh se Kanadaja është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën për të trajtuar çështjet e mbetura pezull dhe për të çuar më tej bashkëpunimin përmes këtij kuadri.

Ai gjithashtu inkurajoi bizneset nga të dyja vendet që të zgjerojnë tregtinë e investimet, duke mirëpritur një pjesëmarrje më të gjerë të kompanive kineze në sektorët e bujqësisë moderne, prodhimit, shërbimeve financiare dhe energjisë në Kanada.

Para takimit, Wang dhe Sidhu morën pjesë së bashku në një tryezë të rrumbullakët mbi investimet dhe tregtinë mes Kinës e Kanadasë. Pas takimit, të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një tryeze të rrumbullakët të drejtuesve të biznesit nga Kina dhe Kanadaja, sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us