Foto nga CMG
Të enjten u zhvillua në Shangai një forum tematik në kuadër të edicionit të nëntë të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar “Hongqiao”, me temën “Hapja e nivelit të lartë përmirëson mirëqenien e njerëzve – Shijet e botës në tryezat kineze”. Në aktivitet morën pjesë afro 300 përfaqësues të institucioneve qeveritare, drejtues të organizatave ndërkombëtare e të kompanive të sektorit agro-ushqimor, si edhe ekspertë e studiues.
Forumi përfshiu fjalime kryesore, prezantime të përvojave praktike dhe diskutime në tryezë të rrumbullakët. Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi prirjet e zhvillimit të importeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore, lehtësimin e tregtisë, integrimin e zinxhirëve të furnizimit dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemeve ushqimore. Aktiviteti shërbeu si një platformë komunikimi dhe bashkëpunimi për kompanitë kineze e të huaja të këtij sektori.

Foto nga CMG
Wu Weixing, rektor i Universitetit të Ekonomisë dhe Biznesit Ndërkombëtar, u shpreh se ndryshimet që sjell hapja e Kinës ndaj botës shihen më qartë në tryezat e qytetarëve. Produkte që pak më shumë se dhjetë vjet më parë konsideroheshin të rralla, sot mund të gjenden lehtësisht në supermarkete të zakonshme. Kina është bërë importuesja më e madhe në botë e produkteve bujqësore, ndërsa ushqimet nga vende të ndryshme kanë hyrë në miliona familje kineze. Sipas tij, kjo është një dëshmi konkrete e përfitimeve që hapja e nivelit të lartë sjell për jetën e përditshme të njerëzve. Njëkohësisht, konkurrenca nga produktet e importuara po i nxit prodhuesit vendas të përmirësojnë cilësinë dhe të zhvillojnë markat e tyre.
Cao Derong, kryetar i Dhomës Kineze të Tregtisë për Importin dhe Eksportin e Produkteve Ushqimore, Bujqësore dhe Blegtorale, bëri të ditur që importet kineze të produkteve bujqësore dhe ushqimore janë zgjeruar vazhdimisht që nga anëtarësimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Në vitin 2025, vlera e përgjithshme e importeve të produkteve bujqësore arriti në 207.4 miliardë dollarë.
Foto nga CMG
Gjatë fjalimit kryesor, Yi Xiaozhun, ish-zëvendësministër i Tregtisë i Kinës dhe ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i OBT-së, ndau vëzhgime nga përvoja e tij personale se si hapja e Kinës ka transformuar ushqimin në tryezat e njerëzve të zakonshëm. Ai kujtoi se gjatë negociatave për anëtarësimin e Kinës në OBT kishte nxitur uljen e tarifave doganore për avokadot, duke bërë të mundur që ky frut, dikur i konsideruar luks, të bëhej pjesë e konsumit të përditshëm. Ai gjithashtu theksoi se si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kinës dhe Kilit ka lehtësuar eksportin e 90 % të prodhimit të qershive kiliane drejt Kinës, duke krijuar rreth 200 000 vende pune në vit në këtë shtet të Amerikës së Jugut.
Gjatë forumit u shfaq gjithashtu episodi i parë i dokumentarit serial të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) “Shijet e botës në tryezat kineze”, që mban të njëjtin titull me temën e aktivitetit.