I dërguari i posaçëm kinez bën thirrje për dialog dhe ulje të tensioneve në Jemen dhe Detin e Kuq

I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, takohet me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, princin Faisal bin Farhan Al Saud, në Riad, më 12 nëntor 2026. / Ministria e Jashtme e Kinës

I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, bëri thirrje për dialog dhe ulje të tensioneve në Jemen dhe Detin e Kuq gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Riad me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, princin Faisal bin Farhan Al Saud.

Zhai u bëri thirrje palëve përkatëse të shmangin veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale dhe t’i zgjidhin dallimet e mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut dhe negociatave.

Të dyja palët zhvilluan diskutime të thelluara mbi marrëdhëniet Kinë-Arabi Saudite dhe situatën aktuale në Lindjen e Mesme.

Zhai u shpreh që partneriteti i gjithanshëm strategjik mes Kinës dhe Arabisë Saudite është zhvilluar me ritme të shpejta vitet e fundit, nën drejtimin strategjik të udhëheqësve më të lartë të të dy vendeve.

Duke vënë në dukje se tensionet në rritje në Jemen dhe Detin e Kuq kanë cenuar më tej sigurinë dhe zhvillimin rajonal, Zhai u shpreh që konfliktet nuk duhet të përshkallëzohen dhe armiqësitë nuk duhet të përhapen.

Ai theksoi që konfrontimi vetëm sa i thellon përçarjet, ndërsa dialogu mbetet rruga e duhur, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të punojë për uljen e tensioneve dhe përfundimin e konflikteve, si edhe për të nxitur rikthimin sa më shpejt të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Gjirit.

Nga ana e tij, Faisal u shpreh që Arabia Saudite u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve miqësore me Kinën dhe është e gatshme të shfrytëzojë 10-vjetorin e vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik mes dy vendeve si një mundësi për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe.

Ai theksoi se, përballë situatës komplekse dhe delikate në rajon, të gjitha palët duhet të përqafojnë paqen, të punojnë drejt objektivave të përbashkëta dhe të ndërtojnë së bashku një arkitekturë të re të sigurisë rajonale.

Ministri i Jashtëm saudit vlerësoi gjithashtu lart qëndrimin e paanshëm të Kinës ndaj çështjeve të Lindjes së Mesme dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për uljen e tensioneve rajonale. Ai shtoi që Arabia Saudite është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën për të përballuar së bashku sfidat e sigurisë rajonale.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us