Foto nga VCG
Tarifat e modifikuara nga Shtetet e Bashkuara ndaj dhjetëra partnerëve tregtarë pritet të hyjnë në fuqi të enjten, duke nxitur shqetësime të gjera në mbarë botën se normat e reja tarifore, nga 10 deri në 40 për qind, do të dëmtojnë rendin tregtar global.
Shumë udhëheqës politikë e analistë besojnë që ShBA-ja, për të maksimalizuar interesat e veta të njëanshme, po i përdor tarifat si mjet presioni ndaj ekonomive të tjera për të bërë lëshime në marrëveshjet tregtare.
Mënyra se si i trajton Trump-i marrëveshje të tilla tregtare dhe përdorimi prej tij i fuqive të emergjencës për të vendosur tarifa ndaj partnerëve tregtarë ka shkaktuar kritika të shumta.
Udhëheqësi i pakicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer/VCG
Udhëheqësi i pakicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer, deklaroi se tarifat përbëjnë një “luftë tregtare kundër popullit amerikan”, se ka pasur “kaos e pasiguri” dhe se “askush nuk e di se çfarë do të ndodhë kur Donald Trump-i nuk ka asnjë plan e strategji dhe nuk është i sinqertë për atë që paraqet”.
“Bizneset tona kanë nevojë për njëfarë sigurie, ndërkohë që ajo që marrin është kaosi e inflacioni. Kjo luftë tregtare me tarifa është në fakt një luftë kundër vetë popullit amerikan. Ne kemi parë këtë javë kaos dhe pasiguri”, theksoi ai.
Në përgjigje të marrëveshjes së BE-së me ShBA-në, zv.kancelari dhe ministri i Financave i Gjermanisë Lars Klingbeil e kritikoi qëndrimin negociues të bllokut, duke thënë që ishte “shumë i dobët” në bisedimet mbi tarifat e reja.
“Mendoj se ishim shumë të dobët. Nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin që u arrit”, tha Klingbeil-i të hënën.
Foto nga VCG
Ndërkohë, India reagoi ashpër ndaj njoftimit të ShBA-së për një tarifë shtesë prej 25 % mbi importet e saj, duke e cilësuar këtë veprim si “të padrejtë, të papërligjur e të papranueshëm” dhe duke deklaruar që do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e veta kombëtare.
“Së fundmi, ShBA-ja ka vënë në shënjestër importet e naftës të Indisë nga Rusia. Ne e kemi bërë tashmë të qartë qëndrimin tonë për këto çështje, përfshirë faktin se importet tona bazohen në faktorët e tregut dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë energjetike për 1.4 miliard banorë të Indisë,” tha në një deklaratë zyrtare zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme indiane Randhir Jaiswal.
Sipas revistës “Time”, duke i ngritur shumë lart pengesat tarifore dhe duke minuar e dobësuar Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), administrata e Trump-it ka dëmtuar seriozisht sistemin tregtar global, gjë që mund ta largojë ShBA-në nga pjesa tjetër e botës dhe të mbjellë farat e izolimit dhe humbjes së rëndësisë së saj në arenën ndërkombëtare.