Antifashizmi, lufta, sakrificat dhe triumfi i popullit kinez mbi agresionin japonez

Viti 2025 shënon 80-vjetorin e fitoreve si në Luftën Botërore Antifashiste ashtu edhe në Luftën e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez. Gjatë këtyre viteve, populli kinez përjetoi masakra të tmerrshme, shkatërrime masive dhe një terror të pamëshirshëm që synonte jo vetëm të pushtonte territorin, por edhe të nënshtronte shpirtin e kombit. Populli kinez zhvilloi një luftë të gjatë dhe të vështirë, duke derdhur gjak dhe duke bërë sakrifica të mëdha për të mbrojtur sovranitetin dhe dinjitetin e tij kombëtar. Kina ishte vendi kryesor i frontit të Lindjes së Largët, duke kontribuar në mënyrë vendimtare për fitoren globale mbi fashizmin. Historia e agresionit japonez dhe fitorja kundër tij mbeten një kujtesë e fuqishme se paqja nuk është e dhënë përgjithmonë, por duhet mbrojtur dhe ruajtur me vendosmëri.

Lufta e rezistencës kineze kundër Japonisë nuk ishte thjesht një konflikt ushtarak, por një përpjekje për mbijetesë. Rreth 35 milionë kinezë humbën jetën gjatë kësaj periudhe të errët dhe tragjike. Kina ishte vendi i parë që iu përball agresionit fashist. Rezistenca nisi me Incidentin e 18 shtatorit 1931, duke shënuar fillimin e një beteje të gjatë kundër pushtimit japonez. Kina u bë fronti më jetëgjatë dhe më i rëndësishëm në luftën kundër fashizmit global, duke ofruar jo vetëm sakrifica të mëdha, por edhe mbështetje strategjike kyçe për aleatët dhe duke ndihmuar në ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar antifashist.

Megjithatë, në 80 vitet e fundit, roli i Kinës është lënë shpesh në hije, për shkak të trashëgimisë së Luftës së Ftohtë dhe tendencave për ta anashkaluar. Ndërsa tmerri i Holokaustit njihet gjerësisht, shumë pak njerëz dinë për Masakrën e Nanjingut, ku u vranë 300 mijë kinezë, për luftën bakteriologjike dhe eksperimentet makabre që u bënë mbi njerëzit nga forcat japoneze. Kjo mungesë njohjeje e bën Kinën një “aleat të harruar” të Luftës së Dytë Botërore, një padrejtësi historike që kërkon të korrigjohet patjetër.

 

Sfondi historik

Lufta e Rezistencës së Popullit Kinez kundër agresionit japonez (1931–1945), si pjesë thelbësore e Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte vetëm një betejë për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, por edhe një kontribut vendimtar për fitoren globale mbi fashizmin. Agresioni japonez filloi gradualisht, me pushtimin e Mançurisë në vitin 1931, duke u shndërruar më pas në një luftë të përmasave të plota pas Incidentit të Urës së Marco Polos ose Urës Lugou më 7 korrik 1937. Megjithatë, përballë këtij agresioni brutal, Kina tregoi një vendosmëri të jashtëzakonshme. Forcat e armatosura, së bashku me mbështetjen e popullit, zhvilluan një luftë të gjatë dhe të vështirë. Pas luftës, Japonia pranoi pa kushte dorëzimin, ndërsa bota nisi procesin e ndërtimit të një rendi të ri ndërkombëtar, i cili u mbështet mbi parimet e Kartës së OKB-së dhe mbi idealin e paqes. Për popullin kinez, kjo fitore mbetet një simbol i krenarisë kombëtare dhe i forcës së unitetit. Ajo është një kujtesë se pavarësia dhe dinjiteti kombëtar fitohen me sakrifica të mëdha dhe se ato duhet të ruhen me vendosmëri.

Jo të gjitha momentet më të errëta të historisë ndodhën vetëm në fushën e betejës. Një nga momentet më të tmerrshme të këtij agresioni ishte Masakra e Nanjingut, ku u vranë mbi 300,000 civilë kinezë. Gratë u dhunuan seksualisht, fëmijët u varrosën të gjallë, ndërsa ushtria japoneze kreu eksperimente çnjerëzore dhe mizore mbi trupat e njerëzve. Krimet dhe mizoritë e kryera në Nanjing janë aq të rënda sa është e vështirë t’i përshkruash me fjalë. Ajo që e bën situatën edhe më të dhimbshme është se Japonia kurrë nuk ka kërkuar falje të sinqertë për këto krime. Ata vazhdojnë t’i mohojnë ato. Duke e krahasuar këtë me Gjermaninë pas Holokaustit — Gjermania ka pranuar përgjegjësinë e saj, ka paguar kompensime dhe udhëheqësit e saj kanë shprehur haptazi pendesë dhe keqardhje. Kjo plagë mbetet e hapur dhe e pashëruar deri sot.

 

Për të mos harruar…

Një film që përkujton me krenari sakrificat dhe kontributet e pashlyeshme të Kinës gjatë suftës po shfaqet këto ditë në kinema. Filmi “Dead to Rights”, i cili ka thyer rekorde në shitjen e biletave gjatë sezonit veror në Kinë, ka prekur zemrat e spektatorëve. Ai rrëfen historinë tronditëse të një grupi civilësh kinezë gjatë Masakrës së Nanjingut në vitin 1937, të cilët guximshëm rrezikuan jetën për të ruajtur provat fotografike të mizorive të kryera nga trupat japoneze, me qëllim që e vërteta të dalë në dritë për botën.

Me theks te vuajtjet e pafundme të viktimave kineze, filmi nxjerr në pah veprimet e vogla, por plot guxim të njerëzve të zakonshëm që vendosën të qëndrojnë për dinjitetin dhe të vërtetën, edhe në ballafaqim me vdekjen. Duke u bërë filmi më i shikuar në botë gjatë fundjavës së kaluar, kjo tregon se reflektimi i thellë i regjisorëve kinezë mbi historinë, njerëzimin dhe drejtësinë transmeton një mesazh universal që kapërcen çdo kufi.

Megjithatë, duhet theksuar diçka e rëndësishme: Përkujtimi i një prej kapitujve më të errët të historisë kineze dhe triumfi i Rezistencës së Popullit Kinez kundër agresionit japonez nuk është thjesht një kujtesë, por një thirrje për paqe.

Njësia 731: programi sekret i mizorisë

Njësia 731 ishte njësi sekrete e Ushtrisë Perandorake Japoneze, e krijuar për të zhvilluar armë biologjike dhe kimike, por edhe për të kryer eksperimente njerëzore të egra dhe vdekjeprurëse gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo njësi vrau pa mëshirë dhe torturoi qindra e mijëra njerëz, kryesisht kinezë të pafajshëm, në emër të “shkencës” dhe “sigurisë kombëtare”. Megjithatë, disa përpiqen ta mohojnë të vërtetën dhe të minimizojnë vuajtjet e viktimave. Por historitë, dokumentarët dhe dëshmitë e të mbijetuarëve flasin qartë: këto eksperimente brutale kanë ndodhur dhe janë pjesë e një kapitulli të errët dhe të dhimbshëm të historisë njerëzore.

Një nga shkencëtarët kryesorë të Njësisë, Hisato, kishte një interes të veçantë për hipoterminë dhe përdorte njerëz si “objekte eksperimentimi”, duke zhytur gjymtyrët e tyre në ujë me akull deri sa ato të ngrinin totalisht. Ai maste kohën që duhej për t’i shkaktuar ngrirje dhe më pas provonte metoda makabre për të “shpëtuar” viktimat, duke i lënë pa trajtim natën ose duke përdorur zjarr e ujë të nxehtë. Këto eksperimente, përtej mizorisë së tyre, ishin të tmerrshme dhe dëshmojnë për mizorinë ekstreme të këtij programi. Por Njësia 731 nuk ndaloi me kaq. Ata testuan me bajoneta, shpata dhe thika mbi trupat e të burgosurve, përdorën flakëhedhës për të djegur lëkurën, krijuan dhoma gazesh për të torturuar viktimat me gaz nervor dhe agjentë që shkaktojnë flluska, dhe ekspozuan mijëra njerëz ndaj rrezeve X, që shkaktuan sterilizim dhe vdekje të ngadaltë. Kjo nuk është vetëm histori; kjo është një thirrje që nuk duhet kurrë të mohohet, të manipulohet apo të harrohet.

Pushtimi japonez i Kinës la një plagë të thellë në shpirtin e popullit kinez, dhe krimet e kësaj njësie janë një nga kapitujt më të errët të kësaj periudhe. Qeveria Perandorake Japoneze, duke fshehur nën petkun e “Departamentit për Parandalimin e Epidemive dhe Pastrimin e Ujit” një program vrasës të armëve biokimike, tregoi anën më mizore dhe çnjerëzore të luftës moderne.

Ka dhe shumë, shumë praktika që janë tepër makabër për t’u shkruar.

 

Në vitin 2025, tetë dekada pas asaj lufte shkatërrimtare, Azia nuk ka nevojë për plagë të reja, por për kujtesë dhe mençuri. Ky përvjetor nuk është thjesht një faqe historie, por një thirrje për të mos harruar kurrë çfarë mund t’i ndodhë njerëzimit kur militarizmi, agresioni dhe etja për pushtet marrin hov. Kjo luftë  nuk është vetëm kronikë faktesh, por një paralajmërim i gjallë se sa e brishtë është jeta dhe sa shpejt ajo mund të rrënohet. Agresioni japonez në Azi solli shkatërrim dhe humbje të pafundme njerëzore — duke treguar se mizoria lë gjurmë e plagë në trupin dhe shpirtin e popujve. Sot, kur bota përballet ende me konflikte e tensione, mësimi i vërtetë i Luftës së Rezistencës është se jeta, paqja dhe dinjiteti njerëzor janë pasuritë më të mëdha që kemi.

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us