Foto nga CMG
Sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës, të martën, më 18:45 sipas orës së Pekinit, pas rreth tetë orësh aktivitet jashtë stacionit hapësinor kinez, astronautët e anijes kozmike “Shenzhou-21” Zhang Lu, Wu Fei dhe Zhang Hongzhang bashkëpunuan ngushtë dhe, me ndihmën e krahut robotik të stacionit hapësinor dhe mbështetjen e ekipit shkencor në Tokë, përfunduan me sukses detyrat e tyre. Këto detyra përfshinin inspektimin dhe fotografimin e dritares së kapsulës së kthimit të anijes kozmike “Shenzhou-20”, instalimin e pajisjeve të mbrojtjes kundër mbeturinave hapësinore dhe zëvendësimin e mbulesës shumështresore për përshtatësin e kontrollit të temperaturës etj. Astronautët që kryen daljen jashtë stacionit, Zhang Lu dhe Wu Fei, u kthyen në mënyrë të sigurt në modulin laboratorik “Wentian”, duke shënuar një sukses të plotë të aktivitetit jashtë.
Foto nga CMG
Komandanti Zhang Lu, pas gati dy vjetësh e gjysmë, bëri sërish një ecje në hapësirë, ndërsa Wu Fei u bë astronauti më i ri kinez që ka kryer një detyrë të tillë.
Sipas planit, gjatë misionit të fluturimit të “Shenzhou-21” do të zhvillohen aktivitete të tjera jashtë anijes për personelin dhe pajisjet e aplikimit, si dhe eksperimente shkencore e prova teknologjike. Ekuipazhi do të kryejë, sipas nevojës, një trajtim mbrojtës për dritaren e dëmtuar të anijes kozmike “Shenzhou-20”.