Në dy dekadat e fundit, marrëdhëniet ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Evropian janë konsideruar si një nga boshtet më të rëndësishme të sistemit ekonomik ndërkombëtar. Tregtia, investimet dhe bashkëpunimi teknologjik kanë qenë për vite me radhë shtyllat e kësaj marrëdhënieje. Megjithatë, në vitet e fundit, panorama e bashkëpunimit është zbehur nga tensione të reja, të nxitura nga konkurrenca industriale, divergjencat ideologjike dhe ndikimi në rritje i faktorëve gjeopolitikë.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron zhvendosja graduale e politikave të BE-së drejt një qasjeje më të kujdesshme, të cilësuar si “zvogëlim i riskut” dhe “zvogëlim i varësisë” nga Kina. Kjo ka çuar në përplasje të reja tregtare, si në rastin e automjeteve elektrike, telekomunikacionit dhe sektorëve të energjisë së re. Megjithatë, pavarësisht ftohjes së marrëdhënieve, bashkëvarësia ekonomike dhe industriale midis Kinës dhe Evropës mbetet shumë e thellë për t’u shkëputur.
Tensionet në Marrëdhëniet Tregtare
Në vitet e fundit, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë riorientuar politikat ekonomike ndaj Kinës, duke theksuar “sigurinë ekonomike” dhe kontrollin e varësive strategjike. Kjo qasje ka sjellë një rritje të tensioneve tregtare, veçanërisht në sektorët e teknologjisë së lartë dhe automjeteve elektrike. Për shembull, Komisioni Evropian ka nisur hetime dhe masa kufizuese ndaj kompanive kineze të automjeteve elektrike, nën argumentin e subvencioneve të padrejta që deformojnë konkurrencën e tregut evropian. Nga ana tjetër, Kina ka kundërshtuar se këto masa janë proteksioniste dhe përbëjnë shkelje të parimeve të tregtisë së lirë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Një rast tjetër i ndjeshëm është sektori i telekomunikacionit, ku kompanitë kineze Huawei dhe ZTE janë shpallur “furnizues me rrezik të lartë” nga Komisioni Evropian. Dokumentet e vitit 2023 mbi sigurinë e rrjeteve 5G nxitën shtetet anëtare të BE-së të përjashtonin këto kompani nga ndërtimi i infrastrukturës kritike të komunikimit. Deri në shtator 2024, trembëdhjetë vende të BE-së kishin zbatuar kufizime ndaj operatorëve kinezë, ndërsa vende si Suedia dhe Belgjika futën klauzola që ndalonin pjesëmarrjen e kompanive kineze në tenderë publikë për arsye politike dhe mjedisore.
Kina reagoi ashpër, duke ngritur çështjen në OBT për mbrojtjen e interesave legjitime të ndërmarrjeve të saj. Sipas Pekinit, barrierat e vendosura nga BE-ja nën petkun e sigurisë teknologjike dëmtojnë konkurrencën e drejtë dhe pengojnë inovacionin në vetë tregun evropian.
Pasojat janë të qarta: mbështetja e tepërt te furnizuesit vendas, e shoqëruar me kufizime për kompanitë kineze, po dobëson zinxhirët e furnizimit të Evropës dhe do të rrisë kostot për konsumatorët. Për më tepër, rrezikohet edhe dinamika e inovacionit, që për dekada ka qenë motori kryesor i konkurrencës globale të BE-së.
Pse Kina po fiton Terren në industrinë e automjeteve elektrike?
Një fushë tjetër ku konkurrenca ka marrë trajta të ashpra është industria e automjeteve elektrike. Avantazhi krahasues i Kinës në këtë sektor buron nga katër faktorë kryesorë: zhvillimi teknologjik, infrastruktura e integruar, ekonomitë e shkallës dhe ndërtimi i markave të reja konkurruese.
Kina ka investuar masivisht në teknologjitë bazë të zinxhirit të prodhimit të automjeteve me energji të re, duke arritur pavarësi teknologjike në fushat kyçe të prodhimit të baterive, motorëve elektrikë dhe sistemeve të menaxhimit të energjisë. Kjo ka krijuar një avantazh të qartë ndaj prodhuesve evropianë, të cilët kanë mbetur prapa në inovacionin teknologjik. Në veçanti, diferenca më e madhe shihet në prodhimin e baterive, ku kompanitë kineze zotërojnë mbi 70% të kapaciteteve globale.
Së dyti, infrastruktura kineze e karikimit është shumë më e zhvilluar. Në vitin 2021, raporti i stacioneve publike të karikimit ndaj numrit të automjeteve elektrike ishte pesë herë më i lartë në Kinë sesa në BE, duke e bërë më të lehtë përdorimin masiv të automjeteve të energjisë së re. Kjo përparësi infrastrukturore ka nxitur një treg të brendshëm dinamik dhe ka përshpejtuar rritjen e kompanive kineze.
Së treti, ekonomitë e shkallës kanë luajtur një rol vendimtar. Kina është tashmë tregu më i madh në botë për automjetet elektrike, çka i lejon prodhuesit të reduktojnë kostot dhe të ofrojnë çmime konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Së katërti, markat kineze kanë fituar terren në dizajn, cilësi dhe inovacion, duke hyrë në mënyrë agresive në tregun evropian me produkte të reja dhe çmime më të ulëta. Përballë këtij realiteti, prodhuesit evropianë po përballen me presione për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjive të pastra dhe për të rifituar avantazhin inovativ që dikur e kishin.
Divergjenca ideologjike dhe perceptimet
Krahas faktorëve ekonomikë, marrëdhëniet Kinë–BE janë ndikuar edhe nga dallimet ideologjike dhe konceptuale. Bashkimi Evropian e ka parë gjithnjë e më shumë Kinën përmes lenteve të rivalitetit sistemik dhe konkurrencës gjeopolitike. Këto perceptime janë thelluar në të njëjtën masë që fuqia ekonomike e Kinës është rritur dhe ndikimi i saj global është zgjeruar.
Në dokumentet strategjike të BE-së, Kina nuk shihet më vetëm si partnere tregtare, por edhe si “rival sistemik” që sfidon modelin perëndimor të qeverisjes dhe zhvillimit. Deklaratat e zyrtarëve të lartë, si ajo e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, se “Kina ndjek një rend global hierarkik dhe kinezo-qendror”, tregojnë për një zhvendosje të thellë të perceptimeve.
Nga ana tjetër, Kina e konsideron BE-në një partner të rëndësishëm ekonomik dhe mbështet ruajtjen e një rendi ndërkombëtar shumëpalësh dhe të drejtë, të bazuar në rregullat e OBT-së, duke kundërshtuar ndërhyrjet ideologjike në çështjet tregtare.
Këto dallime janë reflektuar edhe në mënyrën se si BE-ja e interpreton iniciativën kineze “Një brez, një rrugë”. Për BE-në, kjo është parë shpesh si instrument gjeopolitik i ndikimit, ndërsa Kina e paraqet si platformë bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi të përbashkët. Strategjitë e BE-së si “Global Gateway” janë perceptuar në Pekin si kundërpërgjigje ndaj nismave kineze, gjë që ka gërryer besimin strategjik dhe ka penguar krijimin e një dialogu më të qëndrueshëm.
Roli i SHBA-së dhe ndikimi i Gjeopolitikës
Një element thelbësor që ka ndikuar në prishjen e ekuilibrit Kinë–BE është ndikimi i Shteteve të Bashkuara. Që nga administrata Trump e deri te ajo e Biden, SHBA-të kanë ndjekur politika të qëllimshme për të frenuar zhvillimin e Kinës, fillimisht përmes tarifave dhe më pas përmes aleancave shumëpalëshe.
Administrata Biden ka ushtruar trysni të konsiderueshme mbi aleatët evropianë për të sinkronizuar qëndrimet ndaj Kinës, veçanërisht në fushën e teknologjisë, sigurisë dixhitale dhe zinxhirëve të furnizimit.
Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në politikën e BE-së ndaj Kinës, duke e larguar Evropën nga pozicioni i saj tradicional i “autonomisë strategjike”. Konflikti ruso-ukrainas e ka thelluar këtë varësi, duke i dhënë SHBA-së një ndikim të shtuar në drejtimin e politikave të sigurisë dhe ekonomisë evropiane. Si rezultat, marrëdhëniet Kinë–BE janë politizuar gjithnjë e më shumë, ndërsa qasja ekonomike e dikurshme është zëvendësuar nga logjika e rivalitetit gjeopolitik.
Megjithëse tensionet aktuale janë të dukshme, bashkëpunimi ekonomik midis Kinës dhe BE-së mbetet i domosdoshëm për të dyja palët. Ndërvarësia e thellë në industrinë prodhuese, teknologjinë, tregtinë dhe investimet e ndërsjella e bën të pamundur një “shkëputje” reale.E ardhmja e marrëdhënieve Kinë–BE nuk duhet të përcaktohet nga frika dhe rivaliteti, por nga aftësia për të menaxhuar dallimet dhe për të ndërtuar besim të ndërsjellë Në vend të konfrontimit, të dyja palët duhet të ndjekin parimin e dialogut dhe kompromisit, duke u përqendruar në fushat ku interesat e tyre përputhen.
Në fund të fundit shkëputja nga Kina nuk është zgjidhja, dhe në vitin 2025 me gjithë ndërlidhjen dhe ndërvarsinë ekonomike, nuk është më një opsion që mund të aplikohet.
©AIGS