150 vjetori i veprës Carmen, solli për herë të parë në Kinë Orkestrën e Operas së Parisit, në një shfaqje me zërat më virtuozë të operistikës së sotme botërore. Mes tyre edhe Blerta Zhegu, sopranoja shqiptare e skenave të mëdha, një zë që nuk ka pasur nevojë ti bërtasë sukseset e saj për t’u dëgjuar. E takojmë Blertën në Changsha, ku në një intervistë për CMG flet për turneun tre javor, 12 qytetet e Kinës që preku, si dhe projektin që e solli për publikun kinez.
Blerta mirë se erdhe në Kinë! Rrugëtimi yt artistik ka patur shumë stacione. Nga Tirana në Itali, në Francë, dhe aktualisht je në Kinë për një turne me 12 shfaqje. Si ishte kjo eksperiencë?
Ky është një projekt që ka disa vite që ekziston. Unë këtë vit pata mundësinë të ftohem nga Zhan Michel Ferron, dirigjenti i këtij turneu, me të cilin kam bashkëpunuar në festivalin Mik që Inva Mula organizon në Shqipëri. Bëhet fjalë për Carmen, këtë kryevepër të operistikës franceze. Është një version pak i reduktuar i Carmenit. Në orkestër janë instrumentistët e Operas së Parisit, si dhe këngëtarë solistë francezë që kanë një karrierë prej vitesh.

Ishte një kënaqësi e madhe se për tre javë mbajtën 12 koncerte, çdo herë në një qytet të ndryshëm, në salla shumë prestigjioze, në Pekin, në Shanghai. Çdo herë ishte një eksperiencë e re, një zbulim. Jam shumë e impresionuar nga dashuria që publiku ka për operan në përgjithësi dhe për Carmen në veçanti. Një eksperiencë shumë pasuruese, si humane, si intelektuale, si kulturore, si artistike mbi të gjitha.
Si reagoi publiku ndaj shfaqjeve në qytete të ndryshme?
Publiku ishte jashtë masë shumë i ngrohtë. Kishte një ndryshim të vogël mes Kinës së Veriut dhe Kinës së Jugut. Sallat ishin më të mbushura në Kinën e Jugut dhe pak më të zbrazura në Kinën e Veriut. Ndoshta nga moti sepse në veri bënte shumë ftohtë, ndërsa në jug është një kohë pranverore. Megjithatë ishte një pritje shumë e ngrohtë. Isha shumë e impresionuar edhe përsa i përket punonjësve të teatrit, mënyrën si na mirëpritën dhe na bënë të ndjeheshim mirë. Por edhe publiku që na priste pas shfaqjes për të bërë foto, për të marrë autografe, shumë të emocionuar. Mbi të gjitha, besoj se një eksperiencë e veçantë për ta është të shohin të huaj. Duke qenë se janë qytete që jo çdo herë kanë shumë turistë, për ata ishte çudi të na shihnin në skenë. Nga ana vizuale mbeteshin pak të çuditur nga prezenca jonë, por në një sens shumë pozitiv. Përgjithësisht, jam ndjerë jashtë mase shumë e mirëpritur ngrohtë nga publiku kinez.

Si ishin pritshmëritë e tua personale ndaj Kinës? Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje?
E kam ndjekur gjithmonë kulturën aziatike në përgjithësi dhe atë kineze në veçanti, nëpërmjet artit, muzikës, kinematografisë kineze dhe aziatike, që është shumë interesante. Kisha dëgjuar përtej kësaj edhe mbi Kinën sot. Kemi edhe një të kaluar të përbashkët me Kinën.
Ajo që më la mbresë ishte zhvillimi i madh që Kina ka patur. Shoh qytete madhështore, të zhvilluara në teknologji. Më duket sikur janë shumë përpara.
Më impresionon shumë edhe etika e sjelljes që kanë ndaj të tjerëve. Ka gjithmonë një etikë të madhe në mënyrën si sillen me njerëzit.
Po sfida më e madhe që ke patur? P.sh me ushqimin?
Për fat, mua më pëlqen shumë ushqimi kinez ndaj, nuk e pata problem. Por besoj se për një vit nuk do shkoj në restorante aziatike, sepse e kam marrë dozën për shumë kohë.
Barriera më e madhe ishte barriera e gjuhës, ndaj nuk ishte e thjesht të komunikoje. Edhe gjestet që mbase ne europianët mund ti kemi të kuptueshme për njëri tjetrin, nuk kuptoheshin gjithmonë.
Gjithashtu, duke qenë se ishte një turne me të vërtetë shumë i ngarkuar dhe gjatë gjithë kohës ishim në udhëtim, nga ana fizike duhej një rezistencë e vërtetë për ti përballuar të gjitha shfaqjet. Por me profesionizëm dhe teknikë besoj ja dolëm.
Në Kinë ka shumë dashamirës të muzikës. A keni ndonjë sugjerim për ta?
Kam qenë gjithmonë shumë e impresionuar nga niveli i këngëtarëve kinezë në Europë. Kam shumë miq kinezë që këndojnë shumë bukur, janë artistë të mëdhenj. Jo vetëm këngëtarë, por edhe instrumentistë që kanë një nivel të mrekullueshëm dhe janë për tu marrë shëmbull, përsa i përket forcës që kanë edhe psikologjike. Përsa i përket forcës që kanë shpirtërore dhe psikologjike, jam unë që duhet të marr shembull nga ata.

Shpresoj të kem mundësi të vij, jo vetëm si artiste por edhe si pedagoge. Do më pëlqente të bëja një master class me dijet e mia mbi operan në përgjithësi. Të kisha mundësi ti transmetoja këtu në Kinë. Shpresoj të kem mundësi ta bëj edhe këtë eksperiencë në të ardhmen.
Çfarë janë tre suveniret që do marrësh me vete nga Kina?
Unë kam blerë një pendë bashkë me një tapet të vogël kaligrafie, për të ushtruar kaligrafinë kineze.
Më pëlqejnë shumë këto pellushat që varen nëpër çanta.
Kam marrë edhe një veshje tradicionale kineze për vajzën time katër vjeçe.
Do riktheheshe një ditë në Kinë bashkë me familjen për pushime?
Natyrisht që do rikthehem. Shpresoj kur vajza ime të jetë pak më e madhe, që të mund të bisedojmë edhe për këtë eksperiencë që unë kam kaluar dhe të shohim me të vërtetë ndryshimin që do të ketë Kina edhe pas, po themi 10 vjetësh.
Cili është projekti i ardhshëm i Blertës? Kush është stacioni i ardhshëm?
Ka disa projekte që po diskutohen, për të propozuar Carmen edhe në shtete të tjera. Stacioni im kryesor i qëndrimit do të jetë Franca, por do të ketë lëvizje në vende të tjera dhe projekte të tjera.