Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu: Një thesar i humbur që pret të rikthehet

Dorëshkrimet e mëndafshit Chu datojnë rreth vitit 300 p.e.s. /CMG

Më të vjetra se Rrotullat e Detit të Vdekur, Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu që përmbajnë një mit kinez të krijimit, janë ndarë nga atdheu i tyre për gati 80 vjet. Po çfarë janë dorëshkrimet? Pse janë kaq domethënëse? Dhe si u çuan ato në mënyrë të paskrupullt në Shtetet e Bashkuara?

Përpara se të ekzistonin dielli dhe hëna, katër shpirtra e ndanin vitin në katër stinë nëpërmjet një stafete hapash. Kur trupat qiellorë u shfaqën, ata sollën kaos dhe çekuilibër. Për të rivendosur rendin kozmik, katër shpirtrat ngritën pemë gjigante për të mbajtur qiellin, duke i dhënë jetë pranverës, verës, vjeshtës dhe dimrit.

Kjo është pjesë e një miti të hershëm kinez të krijimit, të ruajtur në Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu, një tekst i lashtë astrologjik dhe astronomik i vitit 300 p.e.s., i zbuluar në Zidanku (një emër vendi që fjalë për fjalë do të thotë “depo plumbash”) në Changsha, Provinca Hunan. Ato janë të vetmet dorëshkrime prej mëndafshi që njihen nga periudha e Shteteve Ndërluftuese të Kinës, por kanë qenë të humbura jashtë vendit për gati 80 vjet, pasi u çuan në mënyrë të paskrupullt në Shtetet e Bashkuara në vitin 1946.

I zbuluar në vitin 1942 në një varr të Shtetit Chu, dorëshkrimi që më vonë u bë i njohur si Almanaku i Katër Stinëve, së bashku me disa fragmente të tij, u ble dhe u restaurua nga antikuari vendas Cai Jixiang, i cili e njohu rrallësinë e dorëshkrimit dhe besonte se ishte përdorur nga njerëzit e lashtë kur u luteshin hyjnive. Me tekste dhe ilustrime, dorëshkrimi paraqet një formë të hershme të traditës kineze të almanakut.

Një replikë e Almanakut të Katër Stinëve nga Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu të bëra nga Cai Jixiang dhe djali i tij /CMG

Me përmasa 47 me 38 cm, ai është i ndarë në tre pjesë: një tekst i gjatë i brendshëm mbi temën e vitit, një tekst i shkurtër i brendshëm që rrëfen mitin e krijimit kozmik dhe vendosjen e katër stinëve, si edhe një kufi me dymbëdhjetë perëndi zoomorfike muajsh dhe katër pemë simbolike, secila prej të cilave korrespondon me një stinë.

Në vitin 1946, Cai i solli dorëshkrimet në Shangai për të kërkuar imazhe infra të kuqe që mund të ndihmonin në deshifrimin e karaktereve të tyre të paqarta. Atje, John Hadley Cox, një antikuar amerikan, mashtroi Cain që t’i dorëzonte dorëshkrimet, duke i kontrabanduar ato në Shtetet e Bashkuara. Cai kaloi dekada duke u përpjekur t’i merrte dorëshkrimet mbrapsht, por dështoi. Në vitin 1965, Almanaku i Katër Stinëve u ble nga Arthur M. Sackler, një filantrop amerikan.

Një letër nga Cai Jixiang drejtuar John Hadley Cox në lidhje me Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu /CMG

Sot, Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu – Almanaku i Katër Stinëve dhe fragmente të tjera që përfshijnë një lloj tjetër almanaku dhe një manual parashikimi për sulmin dhe mbrojtjen – ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik në Uashington, së bashku me kutinë origjinale të ruajtjes prej bambuje.

Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu është njëri nga dy dorëshkrimet e plota klasike të mëndafshit të zbuluar. Tjetri është Tekstet e Mëndafshit Mawangdui, që datojnë në vitin 168 p.e.s.

Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu përfaqësojnë shembullin më të hershëm të njohur të letërsisë shushu (numra dhe aftësi), një kategori kryesore e shkrimeve të lashta kineze që përfshin astronominë, shkencën kalendarike dhe parashikimet. Miti i krijimit të dorëshkrimeve, i panjohur para zbulimit të tyre, gjithashtu riformëson kuptimin e kozmologjisë së hershme kineze.

Në krahasim me Rrotullat e famshme të Detit të Vdekur, të cilat datojnë rreth vitit 170 p.e.s. dhe u zbuluan në vitin 1947, Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu janë akoma më të vjetra dhe janë gjetur më herët. Rëndësia e tyre është njohur gjithnjë e më shumë në botë. Para vdekjes së tij, vetë Arthur M. Sackler shprehu dëshirën për ta kthyer në Kinë dorëshkrimin që bleu.

“Dr. Sackler e kuptoi se çfarë rëndësie kishte Dorëshkrimi i Mëndafshit”, tha Lothar von Falkenhausen, Profesor i Shquar i Arkeologjisë dhe Historisë së Artit Kinez në UCLA. “Ai e kuptoi se diçka kaq e rëndësishme, nuk duhet të mbahet jashtë vendit të origjinës. Shpresoj fuqimisht që të gjitha Dorëshkrimet e Mëndafshit, do të kthehen sa më parë në Kinë, në vendin që i përkasin.”

Gjatë një rigërmimi në Zidanku në vitin 1973, arkeologët zbuluan një pikturë mëndafshi të punuar bukur, që përshkruante një burrë që hipte mbi një dragua. Studiuesit shpresojnë që një ditë, dorëshkrimet dhe reliket e tjera nga varri Chu në Zidanku do të ribashkohen në Hunan, duke lejuar që pasuria dhe arritjet e plota të qytetërimit Chu të shfaqen siç duhet.

Piktura prej mëndafshi e zbuluar gjatë një gërmimi të ripërtërirë në Zidanku në vitin 1973 përshkruan një burrë që hipën mbi një dragua. /CMG

Dorëshkrimet e Mëndafshit Chu, nuk janë vetëm një thesar i kulturës së lashtë kineze, por edhe një simbol i shumë relikteve kulturore të shpërndara në të gjithë botën. Shpresa për rikthimin e tyre, pasqyron një dëshirë më të gjerë për ribashkimin e trashëgimisë së humbur të Kinës.

Burimi ©CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us