Marsela Musabelliu
Për ditë me radhë, shumë ekspertë dhe studiues nga Çekia, Bullgaria, Shqipëria, Portugalia etj. kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj parimit të “një Kine”. Ata kundërshtojnë veprimet separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” dhe bëjnë thirrje për mbrojtjen e paqes në Ngushticën e Tajvanit dhe të besimit të ndërsjellë Kinë-Evropë.
Drejtorja ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit (AIGS) Marsela Musabelliu vuri në dukje që parimi i “një Kine” është themeli për mbrojtjen e qëndrueshmërisë në Ngushticën e Tajvanit dhe orvatja për ta sfiduar këtë parim do të shkaktojë vetëm kriza të reja. Duke komentuar për manipulimin kohët e fundit me çështjen e Tajvanit nga një numër i vogël politikanësh në Parlamentin Evropian, ajo e kritikoi këtë veprim politik dritëshkurtër, duke thënë se “nuk është në ndihmë të autonomisë strategjike të Evropës, por vetëm shkel seriozisht themelet e besimit dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës”.

Simeon Milanov
Historiani bullgar Simeon Milanov vuri në dukje: “Qoftë për sa u përket dokumenteve historike ose ligjit ndërkombëtar, Tajvani është pa dyshim pjesë e territorit kinez.” Ai theksoi që, për shumë vende, ndjekja e parimit të “një Kine” ka për qëllim mbrojtjen e unitetit dhe të tërësisë territoriale të tyre.
Ndërsa studiuesi i Universitetit të Lisbonës të Portugalisë, profesori António dos Santos Queirós, u shpreh: “Respektimi i parimit të ‘një Kine’ nga BE-ja është shtylla thelbësore për ruajtjen e sigurisë së saj ekonomike dhe qëndrueshmërisë gjeopolitike.” Ai vuri në dukje që ky qëndrim do t’i mbrojë shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin në fushën e investimeve në shkallë të gjerë midis BE-së dhe Kinës, duke shmangur rreziqe të tilla si ndërprerja e zinxhirit furnizues, të shkaktuara nga paqëndrueshmëria e situatës në Ngushticën e Tajvanit.