Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

“Ethet” e maratonës në Kinë

Pas ardhjes së pranverës, pasioni dhe energjia e njerëzve për sportet në natyrë po “çlirohen”. Ndër to, maratona është një ndër veprimtaritë më të pëlqyera vitet e fundit nga banorët kinezë.

Me mbi 20 gara që u zhvilluan në të njëjtën kohë në mbarë vendin, 23 marsi i sivjetshëm u quajt “Superdita e Maratonës” në Kinë.

Ajo që ra më shumë në sy ishte maratona në Wuhan të Kinës Qendrore, ku numri i pjesëmarrësve arriti në 40 000 këtë vit, 10 000 më shumë se edicionin e vjetshëm. Megjithatë, kërkesa në fakt ishte shumë më e lartë, sepse mbi 450 000 veta kishin paraqitur aplikim, duke e ulur përqindjen e pranimit deri në 8.8 %.

Vrapuesi me përvojë nga Pekini, Yang Jun, e kishte pritur prej kohësh një vend në Maratonën e Wuhan-it. “Kam aplikuar pesë herë dhe më në fund fitova me short sivjet,” tha Yang, që ka marrë pjesë në dhjetëra maratona në dekadën e fundit.

Në fakt, entuziazmi i tij është pjesë e një tendence më të gjerë: sipas Shoqatës së Atletikës të Kinës, numri i garave në rrugë në mbarë vendin u rrit nga 699 në 749 në dy vjetët e fundit, duke tërhequr më shumë se shtatë milionë vrapues.

“Ethet” në rritje për vrapimin në rrugë e ka riformësuar gjithashtu shoqërinë në shumë aspekte.

Paraqitje më e mirë, jetë më e shëndetshme

Nën një shi të imët dhe një temperaturë të përshtatshme prej 18 gradësh celsius, vrapuesit etiopianë Asefa Mengstu Negewo dhe Guteni Shone Imana vendosën përkatësisht rekorde të reja në garat për meshkuj dhe femra në Wuhan. Ndërkohë, ylli kinez i maratonës He Jie vendosi gjithashtu rekord të ri kombëtar për Maratonën e Wuhan-it me kohën dy orë, 10 minuta e 29 sekonda.

“Nuk isha në gjendjen më të mirë pas maratonës sime të fundit në Tokio, por moti me shi dhe i freskët më lejoi të shijoja garën,” tha ai. Pasi maratona në Wuhan u bë një ngjarje zyrtare e Etiketës së Artë të Atletikës Botërore, ai gjeti një mundësi të re për të garuar me vrapuesit e nivelit botëror.

Në përgjithësi, rezultatet e vrapuesve kinezë kanë pasur përmirësime të ndjeshme. Sipas “Raportit të punës së vrapimit në rrugë të Kinës”, të publikuar nga Shoqata e Atletikës e Kinës, mbi 18 000 vrapues e përfunduan maratonën brenda tre orëve në garat e certifikuara në vitin 2024, dhe koha mesatare kombëtare e përfundimit të maratonës u përmirësua me më shumë se pesë minuta, duke arritur në katër orë, shtatë minuta e një sekondë.

Ndërsa vrapuesit elitë ndjekin rekordet, shumë pjesëmarrës amatorë u japin përparësi shëndetit e përvojës e jo vetëm rezultatit.

Chen Weifen nga provinca Shandong e Kinës Lindore e përfundoi garën në dy orë, 35 minuta dhe 50 sekonda, duke u bërë vrapuesja kineze me kohën e pestë më të mirë në Maratonën e Wuhan-it. “Kjo nuk ishte paraqitja ime më e mirë, por nuk ndiej asnjë keqardhje. Qëllimi im kryesor tani është të shijoj atmosferën e garës në qytete të ndryshme,” shprehet ajo.

Në mënyrë të ngjashme, edhe Yang Jun ka përfituar nga vrapimi. “Dikur pesha ime ishte mbi 90 kilogramë për shkak të stilit të plogësht të jetesës. Vrapimi në maratonë më ndihmoi të humbisja 20 kilogramë dhe tani, në moshën 55 vjeçe, zgjohem në orën pesë çdo ditë dhe shkoj në punë pas një ore vrapimi,” tha ai.

Përveç humbjes së peshës, vrapimi i ka dhënë atij përmirësim përqendrimi dhe energji. “Nuk vrapoj më për mburrje. Vrapoj për gëzimin që më sjell.”

Industria e lulëzuar dhe shpenzimet në rritje

Ndërsa kultura e fitnesit fiton popullaritet, më shumë vrapues kinezë janë të gatshëm të investojnë në pajisjet që lidhen me sportin.

“Pjesa më e vështirë nuk është vrapimi i garës, por që të arrish të marrësh pjesë,” thotë Dai Dongsheng, një vrapues nga qyteti Chengdu i Kinës Jugperëndimore. “Po të zësh një vend, shpenzimet për regjistrimin, pajisjet dhe udhëtimin janë vetëm pjesë e përvojës.”

Maratonat kanë nxitur veprimtarinë ekonomike, veçanërisht për sa u përket veshjeve sportive, pajisjeve të mbajtshme, si edhe produkteve ushqyese dhe përtëritëse.

“Për t’u përgatitur për Maratonën e Wuhan-it, shpenzova 299 juanë (rreth 41 dollarë amerikanë) për një bluzë vrapi, 399 juanë për pantallona, 600 juanë për kufje dhe rreth 1 000 juanë për atlete,” tha Luo Fuyuan nga Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang i Kinës Jugore. Investimi e tij i mori frytet me arritjen e rezultatit më të mirë vetjak: dy orë, 30 minuta e 58 sekonda.

Të dhënat e tregut gjithashtu e vërtetojnë këtë prirje. Sipas “Raportit të garave në rrugë të Kinës 2023”, 90 % e vrapuesve blejnë pajisje mbrojtëse sportive, dhe 30.21 % e tyre shpenzojnë mbi 2 000 juanë në vit. Ndërkohë, 59.34 % investojnë mbi 1 000 juanë në pajisjet e mbajtshme dhe mbi 10 % shpenzojnë më shumë se 5000 juanë.

Sektori turistik përfiton gjithashtu nga nxitja e shpenzimeve prej maratonave. Organizatorët e Maratonës së Wuhan-it raportuan se më shumë se 71 000 turistë e vizituan qytetin për shkak të organizimit të garës. Vrapuesit pjesëmarrës krijuan 1.17 miliardë juanë shpenzime të drejtpërdrejta dhe ndikimi i përgjithshëm ekonomik arriti në 2.98 miliardë juanë, 40.2 % më shumë se një vit më parë.

“Bumi i maratonës dhe ethet e konsumit për pajisjet sportive janë rezultat i natyrshëm i rritjes së të ardhurave të kinezëve dhe fokusit në rritje të tyre te fitnesi,” tha Jing Yan, profesor në Universitetin e Sporteve të Wuhan-it.

Maratona si një kartëvizitë e qytetit

Është një konsensus i gjerë në Kinë që maratona mund të jetë një mënyrë e mirë për të promovuar qytetet. Maratona e Wuhan-it mbahet në stinën e çeljes së luleve të qershisë dhe organizatorët ekspozojnë peizazhin piktoresk të qytetit gjatë itinerarit të garës.

“Rrugët me lule të çelura qershie në kulmin e tyre ishin mahnitëse,” tha Li Zhengyue nga provinca Fujian e Kinës Juglindore. “Bukuria natyrore, së bashku me brohoritjet e shikuesve, më nxitën të vrapoja deri në fund dhe kjo përvojë më la një përshtypje të shkëlqyer për qytetin”.

Për shumë vrapues, maratonat nënkuptojnë gjithashtu mundësi udhëtimi. “Kam pritur prej kohësh të shoh lulet e qershisë të Wuhan-it. Meqenëse për pjesëmarrësit në maratorë ofrohen zbritje çmimi në akomodim dhe shikimin e peizazheve, mora familjen time. Do të qëndrojmë edhe dy ditë pas garës për të shijuar më shumë qytetin”, tha Chen Weifen .

Edhe qytete të tjera kineze e kanë përqafuar këtë koncept, duke i projektuar rrugët e maratonës përgjatë pikave të njohura. Për shembull, Maratona e Pekinit fillon nga sheshi “Tiananmen” dhe kalon nëpër Teatrin Kombëtar dhe vendet olimpike. Ndërkohë, gara në qytetin Chongqing të Kinës Jugperëndimore përfshin teleferikun e lumit Jance dhe ndërtesat ikonike “Hongyadong”.

Edhe qytetet më të vogla po zhvillojnë turizmin e maratonës. Në vitin 2022, fshati Yaozhihe në provincën Hubei të Kinës Qendrore organizoi një gjysmë maratonë me shtigje shumëngjyrëshe përmes mjegullës malore. Veprimtari si këto sjellin në qendër të vëmendjes “perlat e fshehura”, duke dëshmuar se maratonat nuk janë vetëm gara, por edhe katalizatorë kulturorë e ekonomikë.

Foto nga ©VCG

Burimi ©CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us