Foto nga VCG
Grupimi i inovacionit Shenzhen – Hong-Kong – Guangzhou i Kinës zë vendin e parë në renditjen e Treguesit Global të Inovacionit 2025 të 100 grupimeve kryesore të inovacionit në botë të publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) të hënën.
Një zëdhënës i administratës së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) të Kinës tha se renditja pasqyron njohjen nga bashkësia ndërkombëtare të kapacitetit inovativ të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao (GBA).
Zëvendësministri i Shkencës dhe i Teknologjisë i Kinës, Chen Jiachang, vuri në dukje që Hong-Kongu ka institucione kërkimore të nivelit botëror, një grup talentesh ndërkombëtare dhe një sistem të fortë të pronësisë intelektuale, të cilat e bëjnë atë një qendër kyçe në rrjetin botëror të inovacionit. Qeveria qendrore e Kinës e mbështet plotësisht Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut në përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit dhe të shndërrimit në një qendër ndërkombëtare të teknologjisë dhe të inovacionit.
Renditja e grupimeve sipas Treguesit Global të Inovacionit identifikon përqëndrimet vendore të veprimtarisë së inovacionit të klasit botëror duke përdorur tre parametra kryesorë: aplikimin për patenta ndërkombëtare nëpërmjet Traktatit të Bashkëpunimit të Patentave të WIPO-s dhe publikimet shkencore, teksa këtë vit u shtua edhe numri i marrëveshjeve të kapitalit me rrezik.
Grupimi i inovacionit Shenzhen – Hong-Kong – Guangzhou mbajti vendin e dytë për pesë vjet përpara se të kalonte Tokio-Yokohama të Japonisë këtë vit, duke zënë vendin e parë.
Grupimi San-Hoze – San-Francisco në ShBA zuri vendin e tretë, ndërsa Pekini e Seuli u renditën përkatësisht në vendin e katërt dhe në të pestin.