I dërguari kinez u kërkon rebelëve Huthi të ndalojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq

Foto nga VCG

Një i dërguar kinez u bëri thirrje të mërkurën rebelëve Huthi në Jemen, që të ndalojnë sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Kina shpreh shqetësim të thellë për sulmet e fundit të armatosura ndaj dy anijeve mallrash në Detin e Kuq. Vendi përsërit thirrjen ndaj rebelëve Huthi, që të respektojnë të drejtat e lundrimit të anijeve tregtare të të gjitha vendeve në Detin e Kuq, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Gjithashtu të heqin dorë nga shënjestrimi i anijeve tregtare dhe të ruajnë sigurinë e rrugëve ujore në Detin e Kuq, tha Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

Kina është e shqetësuar për raundin e ri të shkëmbimeve të zjarrit midis rebelëve Huthi dhe Izraelit, si edhe trendin e përkeqësuar të zhvillimeve, tha ai në Këshillin e Sigurimit. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë qetësi dhe vetëkontroll, si edhe të përmbahen nga veprimet që përshkallëzojnë tensionet.”

Geng u kërkoi të gjitha palëve në konflikt në Jemen të shfaqin vullnet politik, të forcojnë dialogun dhe komunikimin, të ndërtojnë gradualisht besim të ndërsjellë, si edhe të krijojnë kushtet për një zgjidhje përfundimtare politike të çështjes së Jemenit.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të rrisë ndihmën humanitare për Jemenin dhe të ndihmojë në zbutjen e krizës humanitare në terren.

Burimi ©CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us