Industria e automjeteve me energji të re e Kinës fokusohet në rritjen globale

Ekspozita e sektorit të automjeteve “Automechanika Shanghai” për vitin 2025 u hap këtë javë me më shumë se 7 000 ekspozues nga mbarë bota, duke e rritur fokusin në teknologjitë e energjisë së re. Seksioni i automjeteve me energji të re është 50 % më i madh në këtë edicion, duke nënvizuar përparimet në elektrifikimin, lëvizshmërinë e zgjuar dhe transportin e gjelbër.

Mbi 2000 kompani kineze e të huaja po paraqesin risi në fushën e automjeteve me energji të re, nga sistemet elektrike të drejtimit dhe përbërësit me performancë të lartë te qelizat e karburantit me hidrogjen, teknologjitë e ngarkimit e të ndërrimit të baterive dhe materialet e reja. Ato dëshmojnë për një zinxhir furnizimi gjithnjë e më të pjekur, të specializuar e konkurrues në nivel global.

Edhe kompanitë e mëdha të pjesëve të këmbimit nga Japonia, Gjermania dhe qendra të tjera tradicionale të sektorit të automjeteve po e forcojnë praninë e tyre në Kinë, ndërsa ky sektor po kalon drejt elektrifikimit.

Wada Mitsuharu, menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë Tregtare “Aisin” të Shangait, i tha CGTN-it që Kina mbetet një nga tregjet më të rëndësishme për këtë kompani.

Përtej zgjerimit të pranisë në Kinë të prodhuesve të mëdhenj globalë, një temë qendrore në ekspozitën e sivjetshme është zgjerimi i shpejtë global i zinxhirit kinez të pjesëve të këmbimit. Gjithnjë e më shumë kompani kineze të pjesëve të këmbimit po shpërngulen jashtë vendit, duke nxitur rritjen e tyre ndërsa kontribuojnë edhe në kalimin e industrisë botërore të automjeteve drejt lëvizshmërisë elektrike dhe inteligjente.

Tregu kinez i automjeteve me energji të re vazhdon të zgjerohet me shpejtësi. Sipas Shoqatës Kineze të Prodhuesve të Automjeteve, në tetor në Kinë u shitën 1.7 milion automjete me energji të re, që përbëjnë 51.6 % të të gjitha shitjeve të makinave të reja. Kjo do të thotë se një në dy makina të reja të shitura në Kinë është një automjet me energji të re, çka përbën një moment historik që dëshmon rolin e Kinës si tregu më dinamik në botë i automjeteve me energji të re.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us