Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Guo Jiakun u shpreh në mërkurën se Kina do të vazhdojë të forcojë komunikimin me të gjitha palët përkatëse mbi çështjen e Iranit, duke përfshirë ato të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, dhe do të luajë një rol konstruktiv për zbutjen e situatës së nderë dhe rivendosjen e paqes.
Duke folur në një konferencë të rregullt për shtypin, Guo Jiakun theksoi se Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake dhe të kthehen sa më parë në rrugën e dialogut dhe të negociatave, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Ai tha që ditët e fundit ministri i Jashtëm kinez Wang Yi ka kryer aktivitete intensive diplomatike, duke zhvilluar bisedime telefonike me ministrat e Jashtëm të Kuvajtit, Bahrejnit, Pakistanit e Katarit, për të shkëmbyer pikëpamje mbi situatën e Iranit dhe për zbutjen e situatës së nderë.
Kina po promovon në mënyrë aktive bisedimet paqësore nëpërmjet ndërmjetësimit diplomatik dhe i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjen e Lindjes së Mesme aktualisht po zhvillon diplomacinë ndërmjetësuese në këtë rajon, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.
Duke folur për raportet që ShBA-ja po zhvendos pjesë të sistemit të mbrojtjes nga raketat (THAAD) nga Koreja e Jugut në Lindjen e Mesme, Guo tha që Kina i ka vënë re raportet përkatëse.
Ai ritheksoi se qëndrimi kundërshtues i Kinës ndaj vendosjes së sistemit THAAD në Korenë e Jugut mbetet i pandryshuar.