Chen Xu (Foto nga VCG)
Diplomati i lartë kinez Chen Xu theksoi të martën se Kina kundërshton me vendosmëri dhe dënon sulmin izraelit në Katar, dhe u bën thirrje palëve të ndryshme të punojnë së bashku për të qetësuar situatën rajonale.
Chen Xu, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në Zvicër, i tha këto në një debat urgjent të mbajtur në sesionin e 60-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.
Sulmi i Izraelit kundër Katarit cenoi sovranitetin territorial dhe sigurinë kombëtare të Katarit, shkeli ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së dhe minoi përpjekjet për paqe, u shpreh Chen.
Duke vënë në dukje se abuzimi i forcës nuk është rrugëdalje për zgjidhjen e problemit, ai tha që Kina u bën thirrje të gjitha palëve përkatëse, veçanërisht Izraelit, të bëjnë përpjekje më aktive për të shuar konfliktin e për të rifilluar negociatat, duke zbatuar detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut e ligjit humanitar ndërkombëtar, si edhe duke respektuar të drejtën e mbijetesës së njerëzve në vendet fqinje.
Kina është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të luajtur një rol konstruktiv për nxitjen e armëpushimit dhe zbutjen e situatës rajonale, shtoi përfaqësuesi kinez.