foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang zhvilloi bisedime të martën në Pekin me homologun portugez Luis Montenegro. Të dyja palët u zotuan të rrisin bashkëpunimin dhe të punojnë bashkërisht për të mbrojtur tregtinë e lirë.
Li theksoi se ky vit shënon 20-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Portugali, i cili paraqet mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.
Li shtoi që Kina është e gatshme të forcojë lidhjen e strategjive të saj të zhvillimit me Portugalinë, të vazhdojë përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin cilësor të nismës “Një brez, një rrugë”, të shfrytëzojë potencialin e fushave në zhvillim, si ekonomia digjitale dhe ekonomia e gjelbër, të krijojë më shumë nxitës rritjeje për bashkëpunim dhe të mbështesë ndërmarrjet nga të dy vendet në eksplorimin e përbashkët të tregjeve të palëve të treta.
Ai vuri në dukje se Kina është e gatshme të importojë më shumë produkte bujqësore e ushqimore me cilësi të lartë nga Portugalia dhe inkurajon më shumë ndërmarrje kineze të investojnë në Portugali, duke shprehur gjithashtu shpresën që edhe Portugalia do të nxisë një mjedis të favorshëm biznesi.
Kryeministri kinez u bëri thirrje të dyja palëve të lehtësojnë më tej shkëmbimet e personelit, të çlirojnë gjallërinë e aktiviteteve ekonomike të drejtuara nga turizmi dhe të rrisin shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha si arsimi i lartë, mësimdhënia e gjuhëve, arsimi digjital dhe angazhimi i të rinjve.
Li tha se, aktualisht, veprimet unilateraliste e proteksioniste po ndikojnë rëndë në rendin ndërkombëtar dhe, si dy forca kryesore globale, Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) duhet të forcojnë bashkërendimin dhe të punojnë së bashku për të përballuar këto sfida.
Ai shprehu shpresën e palës kineze që Portugalia do ta inkurajojë dhe udhëheqë BE-në t’i përmbahet pozicionimit të saj si partnere e Kinës, të ndjekë një politikë pozitive e pragmatike ndaj Kinës dhe të punojë me Kinën për të mbrojtur tregtinë e lirë dhe interesat e përbashkët të të dyja palëve.
Montenegro tha nga ana e tij se qeveria portugeze është e gatshme ta shfrytëzojë 20-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve si një mundësi për të shtuar dialogun dhe shkëmbimet në të gjitha nivelet, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si tregtia, bujqësia, detaria, kultura e sporti dhe për të krijuar arritje të reja të spikatura në risitë tekniko-shkencore, ekonominë digjitale, energjinë e gjelbër dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Ai shtoi që Portugalia është e gatshme të forcojë komunikimin e bashkërendimin me Kinën në platformat shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, si edhe të punojë me Kinën për të kundërshtuar proteksionizmin dhe për të mbështetur tregtinë e lirë të hapur dhe të drejtë.