Foto nga VCG
Kina po kërkon mendime publike mbi rregullat e reja të sigurisë për automjetet inteligjente me energji të re të lidhura me rrjetin. Organet rregullatore kanë forcuar mbikëqyrjen pas një sërë aksidentesh të këtyre automjeteve.
Të mërkurën, Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut dhe Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit e Kinës publikuan një njoftim për kërkimin e mendimeve, ku shtjellohen hollësisht kërkesat më të rrepta për tërheqjen, qëndrueshmërinë e prodhimit, përditësimin e softuerëve dhe shitjen në treg të automjeteve me energji të re të pajisura me sisteme të kombinuara të ndihmës për drejtuesin e automjetit. Afati për kërkimin e mendimeve publike do të zgjasë deri më 15 shtator 2025.
Në njoftim thuhet se kompanitë prodhuese të automjeteve duhet të shfaqin në mënyrë të dukshme udhëzimet e sigurisë, të vendosin funksionet e fuqishme të monitorimit të drejtuesit të automjetit e ndërhyrjes dhe të forcojnë sigurinë kibernetike për të parandaluar aksidentet e shkaktuara nga të metat e sistemit. Njoftimi gjithashtu ndalon promovimin mashtrues, si për shembull drejtimin plotësisht autonom të automjetit.
Ky njoftim doli pas një sërë aksidentesh, duke përfshirë një aksident në mars të automjetit elektrik “Su7” të kompanisë “Xiaomi” gjatë kohës kur ishte duke përdorur funksionin e ndihmës në drejtim, duke shkaktuar tre të vdekur, dhe tërheqjen në janar të automjeteve për shkak të të metave në sistemin e ndihmës për parkim. Këto aksidente kanë shkaktuar një shqyrtim më të rreptë të mënyrës se si kompanitë prodhuese i tregtojnë dhe i menaxhojnë teknologjitë e tyre të drejtimit inteligjent të automjetit.