Pallati i Paqes, selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hagë, Holandë. /VCG
Kina i bëri thirrje të enjten bashkësisë ndërkombëtare që ta marrë mendimin këshillimor të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) si një udhëzues për lehtësimin efektiv të krizës humanitare në Palestinë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, tha në një konferencë të rregullt shtypi se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë përpjekje të pandërprera për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë e të qëndrueshme të çështjes palestineze sa më parë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë, konfirmoi të mërkurën se Izraeli është i detyruar ta lehtësojë shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gazë, përfshirë ndihmën e ofruar nga agjencitë e OKB-së.
Guo tha se mendimi këshillimor i GJND-së thotë qartë se Izraeli është i detyruar të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj për të siguruar ofrimin e ndihmës humanitare në territoret e pushtuara palestineze, gjë që u përgjigjet shqetësimeve dhe shpresave të bashkësisë ndërkombëtare.
Si një vend i madh dhe i përgjegjshëm, Kina mori pjesë aktivisht në procedurat e GJND-së, paraqiti mendime me shkrim e bëri deklarata me gojë në gjykatë, të cilat shpjeguan plotësisht qëndrimet e saj mbi çështje të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, tha Guo, duke shtuar që qëndrimet e Kinës pasqyrohen plotësisht në mendimin këshillimor të publikuar nga gjykata.
“Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në mënyrë konstruktive në çështjet ligjore ndërkombëtare, të mbrojmë drejtësinë e barazinë ndërkombëtare me veprime konkrete dhe të promovojmë përparimin e sundimit të ligjit ndërkombëtar,” u shpreh ai.
Lidhur me çështjen palestineze, qëndrimi i Kinës është konsistent dhe i qartë: Kina ka mbrojtur gjithmonë drejtësinë dhe ka mbështetur fuqimisht kauzën e drejtë të popullit palestinez, theksoi zëdhënësi.