Foto: Shtatë laureatët e Çmimit të Shkencës së Ardhshme 2025. / Çmimi i Shkencës së Ardhshme
Çmimi i Shkencës së Ardhshme i Kinës iu dha të mërkurën shtatë shkencëtarëve, duke përfshirë tre laureatëve në Çmimin e Shkencës së Jetës, tre në Çmimin e Shkencës Fizike dhe një në Çmimin e Matematikës dhe Shkencës Kompjuterike.
Paleontologët Ji Qiang, Xu Xing dhe Zhou Zhonghe u nderuan për zbulimet e tyre të rëndësishme mbi origjinën e zogjve, pas gjetjes së provave fosile që mbështesin tezën se zogjtë evoluan nga dinozaurët. Puna e tyre “transformoi një debat të gjatë në një teori shkencore të pranuar gjerësisht, duke riformësuar kuptimin tonë për evolucionin e vertebrorëve,” u tha në motivacionin e dhënies së çmimit.
Fang Zhong, Dai Xi dhe Ding Hong u nderuan për kontributet e tyre në parashikimin kompjuterik dhe realizimin eksperimental të materialeve elektronike topologjike.
Zbulimi i materialeve elektronike topologjike përfaqëson një nga përparimet më të rëndësishme në fizikën e materies së kondensuar në dekadat e fundit, me ndikime në fusha si spintronika, informatika kuantike dhe teknologjitë energjetike.
Me çmim u nderua edhe Lu Chihyuan për risitë dhe udhëheqjen e tij në zhvillimin e memorieve jo të luhatshme të brezit të ri. Zbulimet e Lu dhe ekipit të tij kanë çuar në krijimin e produkteve të reja të fuqishme dhe kanë vendosur bazën për të ardhmen e teknologjive të memories, duke mundësuar përparime në fusha si AI-ja, pajisjet e lëvizshme, informatika cloud dhe informatika e përparuar.
Çmimi i Shkencës së Ardhshme, i krijuar më 2016, është i sponsorizuar në mënyrë private, me nismën e shkencëtarëve dhe të sipërmarrësve. Ai u jepet atyre që kanë arritje të spikatura në shkencë. Deri tani, 46 shkencëtarë janë nderuar me këtë çmim.