Qeveria kineze ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mirëpritur turistët dhe udhëtarët nga e gjithë bota. Me një sërë masash të reja që përfshijnë përjashtime nga viza, marrëveshje bilaterale dhe leje tranziti pa vizë, dhe kështu vendi po krijon një ambient akoma më të hapur dhe mikpritës, duke e bërë udhëtimin në Kinë më të lehtë dhe më të këndshëm se kurrë më parë. Dhe duket se këto politika kanë funksionuar më së miri pasi shifrat flasin qartë.
Numri i vizitorëve ndërkombëtarë në Kinë është rritur ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Vetëm Pekini ka regjistruar një rritje prej 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Aeroporti Ndërkombëtar i Shangait, Pudong, ka shënuar një rritje prej 45% të vizitave ndërkombëtare. Kjo tendencë pozitive ndërtohet mbi një rritje që filloi të marrë vrull vitin e kaluar, pas vendimit të Kinës për të lehtësuar kërkesat për viza, për vizitorët ndërkombëtarë. Çfarë po e nxit këtë rritje të papritur të udhëtimeve drejt Kinës? Çfarë pritet më tej dhe çfarë duhet bërë ende për ta bërë Kinën më të qasshme?
Kina është bërë shumë interesante për udhëtarët ndërkombëtarë. Turizmi po rikuperohet dhe jo vetëm kaq – po përshpejtohet. Politikat e reja të vizave, lehtësitë e udhëtimit dhe rritja e fluturimeve janë faktorët kryesorë që e kanë mundësuar këtë. Numrat janë shumë inkurajues. Prirja është rritëse dhe njerëzit po eksplorojnë gjithnjë e më shumë qytetet jashtë destinacioneve tradicionale.
Një nga gjërat që bie më shumë në sy është ndërveprimi i shtuar mes Kinës dhe vendeve që tradicionalisht nuk kanë qenë shumë të lidhura me të. Këto politika e kanë bërë më të lehtë për shumë njerëz të udhëtojnë drejt Kinës. Ato tregojnë një përpjekje të qartë nga autoritetet kineze për të thelluar dialogun dhe shkëmbimet ndërkombëtare, qoftë për qëllime biznesi, turizmi, kulturore apo akademike.
Masa që japin menjëherë lehtësime praktike
Këto masa të ndërmarra nga qeveria qendrore ndihmojnë veçanërisht ata që duan të zbulojnë Kinën, pa pasur shqetësime për procedura të gjata dhe të paparashikueshme vizash. Kjo politikë dërgon një sinjal shumë pozitiv dhe, nga ana tjetër, dyqanet pa taksa dhe rimbursimi i TVSH-së janë gjithashtu nxitëse për njerëzit që të vijnë dhe të blejnë produkte “Made in China”, duke përfituar nga skemat e çmimeve të favorshme.
Shumë vizitorë mund të vijnë thjesht për turizëm, por shpesh vizitat janë me qëllime të shumëfishta, përfshirë bashkëpunimin ekonomik. Me një rritje prej 5.3%, dy herë më e lartë se mesatarja globale, ekonomia kineze ofron mundësi të shumta për bashkëpunim dhe përfshirje të të rinjve në tregtinë elektronike – gjë që është shumë inkurajuese.
Sa i përket vendimmarrjes për të udhëtuar në Kinë, disa faktorë mund të kenë krijuar hezitim më pare, si distanca, kostoja e biletave apo procesi burokratik për vizë. Më parë, aplikimi për vizë ka qenë një procedurë disi e lodhshme. Me lehtësimin e këtyre procedurave, është reduktuar ndjeshëm tensioni psikologjik i udhëtarëve dhe ka ndihmuar në rritjen e spontanitetit, sidomos tek brezat e rinj që janë më të prirur për të udhëtuar në mënyrë spontane. Shumë e shohin si mundësi të thjeshtë dhe argëtuese të ndalen për disa ditë në qytete si Pekini, Shangai apo Guangzhou, gjatë udhëtimeve ndërkombëtare.
Politikat e reja, të shoqëruara me promovime të përshtatshme, kanë bërë që Kina të perceptohet si një destinacion i qasshëm, i sigurt dhe i përballueshëm. Udhëtarët mund të lëvizin lehtësisht, të komunikojnë, të hanë pa problem dhe të përjetojnë kulturën vendase – duke ndihmuar kështu në suksesin e kësaj politike.
Lehtësimi i procesit dhe përmirësimi i eksperiencës
Kina ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt hapjes ndaj botës. Tani, udhëtimi është shumë më i thjeshtë – disa njerëz madje mund të mendojnë të kalojnë një fundjavë të gjatë në Kinë, duke blerë biletën në minutën e fundit. Një tjetër element i rëndësishëm është dixhitalizimi i jetës shoqërore, që konsiderohet si një arritje madhore në modernizimin e vendit. Megjithatë, kjo mund të përbëjë edhe sfida për të huajt: si të përdorësh aplikacione për transport, si të gjesh një taksi në rrugë, siç ndodhte dikur. Sot gjithçka funksionon përmes aplikacioneve dhe kjo kërkon disi njohuri paraprake.
Qeveria kineze po tregon kujdes për të huajt, duke ndërmarrë hapa për ta bërë më të lehtë qendrimin dhe lëvizjen. Për shembull, po kërkohet nga hotelet dhe restorantet të pranojnë pagesa me para në dorë dhe karta të huaja krediti, përveç përdorimit të aplikacioneve si Alipay apo WeChat. Ka përmirësime të dukshme: versionet në anglisht të aplikacioneve, mundësia për t’i lidhur me kartat ndërkombëtare, gjë që është shumë e përshtatshme. Nga ana tjetër, shumë aplikacione kanë tashmë sisteme të përkthimit automatik, gjë që i ndihmon udhëtarët që nuk flasin gjuhën kineze. Përdorimi i teknologjisë së zgjuar është gjithsesi një proces që kërkon kohë për t’u kuptuar dhe përvetësuar nga të gjithë.
Përgatitja për udhëtimin përfshin një gatishmëri për të përdorur aplikacionet lokale dhe për të eksperimentuar me destinacione të reja. Duke qenë se Kina është një destinacion i largët, vizitorët zakonisht planifikojnë qëndrime më të gjata, shpesh dyjavore, për të përfituar sa më shumë nga udhëtimi. Infrastruktura e Kinës është jashtëzakonisht e përshtatshme – aeroportet dhe sistemi i trenave e bëjnë udhëtimin të lehtë dhe efikas.
Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se përvoja e vizitorëve ndërkombëtarë mund të jetë e ndryshme në varësi të burimeve të informacionit që përdorin. Për shembull, grupmoshat më të reja dhe më të vjetra mund të kenë kanale të ndryshme për të marrë informacion, gjë që ndikon edhe në mënyrën se si e përjetojnë Kinën. Megjithatë, duhet theksuar se në vend është eliminuar pothuajse plotësisht përdorimi i parasë fizike – pagesat kryhen kryesisht përmes telefonit celular. Prandaj, sfidat që hasin të huajt nuk lidhen me faktin që janë të huaj, por me faktin që sistemi i pagesave është thjesht ndryshe dhe kërkon përshtatje.
Duke parë përpara, politikat kineze janë të përkushtuara për të mbajtur një politikë të hapur, të bazuar në sundimin e ligjit dhe hapjen institucionale. Kina po kalon nga një paradigmë ekonomike e bazuar në prodhim në një të bazuar në inovacion, që do të tërheqë më shumë bashkëpunim ndërkombëtar dhe do të ndihmojë në zhvillimin cilësor. Programet arsimore po përmirësohen dhe pritet që më shumë studentë të huaj të shkojnë për të studiuar në Kinë, duke thelluar shkëmbimet kulturore dhe njohuritë reciproke. Përmirësimet e shpejta në infrastrukturë do të ofrojnë përvojë të kënaqshme për udhëtarët.
Aspektet ligjore dhe reduktimi i pengesave burokratike
Në fund të vitit 2023, Kina nisi një fushatë të përkohshme që u mundëson shtetasve të shumë vendeve të hyjnë në territorin kinez pa nevojën për vizë, për qëndrime deri në 30 ditë. Kjo hapje vlen për qëllime turistike, biznesi, vizita familjare ose mikpritëse, shkëmbime kulturore dhe tranzit, duke bërë udhëtimin më fleksibël dhe më të aksesueshëm. Ajo që e bën këtë masë veçanërisht tërheqëse është mundësia për hyrje të shumta gjatë periudhës, pa kufizime për numrin e qëndrimeve, për sa kohë që qëllimi i vizitës respektohet.
Lista e vendeve që përfitojnë nga kjo mundësi deri më 30 dhjetor 2025 përfshin një gamë të gjerë shtetesh evropiane dhe aziatike si Andorran, Australinë, Austrinë, Belgjikën, Brunein, Bullgarinë, Kroacinë, Qipron, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Hungarinë, Islandën, Irlandën, Italinë, Japoninë, Letoninë, Lihtenshtajnin, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Malajzinë, Maltën, Monakon, Malin e Zi, Holandën, Norvegjinë, Zelandën e Re, Poloninë, Portugalinë, Rumani, Sllovakinë, Slloveni, Korenë e Jugut dhe Zvicrën. Përtej këtij afati, shtete të tjera si Argjentina, Brazili, Kili, Peruja dhe Uruguai kanë mundësinë të përfitojnë nga ky lehtësim deri më 31 maj 2026, ndërsa Bahreini, Kuvajti, Omani dhe Arabia Saudite deri më 8 qershor 2026.
Përtej këtyre përjashtimeve të përkohshme, Kina ka zhvilluar edhe marrëveshje bilaterale të përhershme me 30 vende, të cilat garantojnë hyrje pa vizë për periudha më të gjata dhe me një bazë më të qëndrueshme diplomatike. Këto marrëveshje synojnë të forcojnë lidhjet afatgjata në fushat politike, turistike dhe ekonomike. Në këtë kuadër, shtetasit e Shqipërisë, Armenisë, Bosnje e Hercegovinës dhe San Marinos mund të qëndrojnë në Kinë deri në 90 ditë pa vizë, ndërsa banorët e Mauriciusit për 60 ditë.
Një numër i madh vendesh të tjera përfitojnë qëndrime deri në 30 ditë, duke përfshirë vende si Antigua dhe Barbuda, Azerbajxhani, Bahamas, Barbados, Bjellorusi, Brunei, Dominika, Ekuador, Fiji, Gjeorgjia, Kazakistani, Maldivet, Mongolia, Katari, Samoaja, Serbia, Seychelles, Singapori, Ishujt Solomon, Suriname, Tajlanda, Tonga, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistan.
Një tjetër lehtësi e madhe për udhëtarët është mundësia e tranzitit pa vizë deri në 144 orë (6 ditë) në disa qytete të mëdha kineze. Ky privilegj u mundëson vizitorëve që janë në tranzit për në një vend të tretë të qëndrojnë në Kinë pa nevojën për viza, duke i bërë ndalesat e tyre më komode dhe më të këndshme. Rreth 55 vende përfitojnë nga kjo lehtësi, duke përfshirë shumicën e vendeve evropiane, vende nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, disa vende aziatike si Brunei, Indonezia, Japonia, Katari, Singapori, Korea e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Australia dhe Zelandën e Re nga Oqeanija. Në tërësi, Kina po ofron një sërë mundësish unike dhe fleksibël për turistët dhe udhëtarët nga e gjithë bota.
Lehtësitë e hyrjes pa vizë në Kinë: shqiptarët të privilegjuar
Duke parë statistikat e vendve më sipër, duket qartë se politika e heqjes së vizave për 3 muaj e vendos Shqipërinë në listen e vendeve të privilegjuara në Kinë.
Shtetasit shqiptarë përfitojnë nga disa forma të ndryshme të përjashtimit nga viza, që e bëjnë udhëtimin në Kinë më të thjeshtë dhe më të përshtatshëm. Një nga masat më të rëndësishme është marrëveshja bilaterale që lejon qytetarët shqiptarë të qëndrojnë në Kinë për deri në 90 ditë pa nevojën e aplikimit për vizë. Ky është një përfitim i jashtëzakonshëm për udhëtarët që synojnë të vizitojnë Kinën për qëllime turistike, biznesi apo vizita familjare dhe miqësore, duke eliminuar kështu një nga pengesat kryesore që shpesh ndodheshin më parë në udhëtimet ndërkombëtare. Kjo lehtësi hap dyert për shqiptarët që të eksplorojnë destinacionet e shumta turistike të Kinës, nga qytetet e mëdha historike si Pekini dhe Shangai, tek peizazhet natyrore mahnitëse si ato në Zhangjiajie apo në Hainan. Për më tepër, kjo lehtësi i jep mundësinë Shqipërisë të konsolidojë pozicionin e saj në itineraret globale të udhëtimit, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimesh me Kinën. Ky zhvillim nxit një formë të re bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Kinës, duke i hapur rrugë edhe mundësive të reja investimesh dhe shkëmbimeve kulturore.
Të gjitha këto masa të miratuara nga autoritetet kineze tregojnë një përkushtim të fortë për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërkulturore midis Shqipërisë dhe Kinës. Lehtësitë e përjashtimit nga viza nuk përfaqësojnë thjesht një hap burokratik, por një ftesë e hapur për shqiptarët që të eksplorojnë historinë e pasur, kulturën unike dhe peizazhet e jashtëzakonshme të Kinës. Këto masa gjithashtu krijojnë një atmosferë të përshtatshme për biznes dhe investime, duke nxitur lidhje të reja ekonomike dhe turistike që përfitojnë të dyja vendet.
Për shqiptarët që dëshirojnë të udhëtojnë në Kinë, këto zhvillime janë një mundësi e jashtëzakonshme për të përjetuar një nga kulturat më të lashta dhe më dinamike të botës, pa barrierat burokratike që shpesh e ndërlikonin udhëtimin. Shqiptarët mund të eksplorojnë qytete moderne me arkitekturë mbresëlënëse, tempuj historikë me vlera të pakrahasueshme, tradita të lashta dhe natyrë të paprekur. Ky hap i ri gjithashtu nxjerr në pah rëndësinë që Kina i kushton miqësisë dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, duke krijuar një urë të fortë lidhjeje mes dy vendeve.
Në të ardhmen, kjo politikë e hapur pritet të intensifikohet edhe më tej, duke përfshirë mundësi të reja për udhëtime studimore, shkëmbime kulturore dhe bashkëpunim ekonomik. Për momentin, çdo shqiptar që dëshiron të njohë Kinën ka më shumë mundësi dhe komoditet për të udhëtuar, për të njohur dhe për të përjetuar magjinë e këtij vendi të madh, që nuk është aq larg dhe i largët sa mendohet.
AIGS