Si platforma me nivel të lartë hapjeje, numri i zonave kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik është rritur në mbi 230 në fund të vitit të kaluar, nga 14 që ishte në vitin 1984, duke mbuluar 31 krahina të Kinës dhe duke çliruar gjallëri të fortë për rritjen ekonomike dhe teknologjike të Kinës.
Në mbledhjen e Këshillit të Shtetit të Kinës të zhvilluar në mes të majit, është vënë në dukje që “duhet të nxitet reforma dhe inovacioni në zonat kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik të Kinës e të nxitet reforma e thellë dhe zhvillimi cilësor me anë të hapjes së nivelit të lartë”. Ky është konsideruar si një sinjal i qartë nga qeveria kineze për mbështetjen e vazhdueshme të reformës dhe hapjes, që do të krijojë më shumë fuqi stabilizuese për investimet e huaja.
Më pas, në fund të majit, Ministria e Tregtisë e Kinës publikoi projektin e punës “Thellimi i reformës dhe inovacionit në zonat kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik dhe drejtimi i zhvillimit me cilësi të lartë nëpërmjet hapjes me nivel të lartë”, ku janë përfshirë 16 masa konkrete, të cilat synojnë të nxisin zhvillimin me cilësi të lartë nëpërmjet hapjes së mëtejshme të Kinës ndaj botës së jashtme.
Foto nga VCGNë këtë dokument është theksuar që do të ngrihet niveli i hapjes ekonomike. Për këtë, janë përfshirë katër masa konkrete: ngritja e cilësisë së përdorimit të investimeve të huaja; mbështetja për krijimin e markës “Investim në Kinë”; nxitja e zhvillimit inovativ të tregtisë së jashtme dhe forcimi i rolit të hapjes.
Lidhur me përdorimin e investimeve të huaja, në këtë dokument është theksuar qartë që t’u jepen përparësi investimeve të huaja në qarqet e integruara, biomjekësi dhe prodhimin të pajisjeve të përparuara në listën e projekteve kryesore të investimeve të huaja. Organet e pushtetit në krahinat e ndryshme duhet të shtojnë mbështetjen për këto projekte dhe të nxisin zbatimin e shpejtë të tyre. Krahas kësaj, do të inkurajohen fondet e ndryshme, si edhe fondet ndërkombëtare, të futen në këta sektorë, do të inkubohen kompanitë përkatëse, si edhe do të zbatohen mirë politikat tatimore favorizuese për investitorët e huaj.
Përveç kësaj, Kina do t’i inkurajojë këto zona kombëtare të zgjerojnë eksportin e shërbimeve digjitale, duke krijuar një zonë të nivelit të lartë për tregtinë digjitale. Kina do të mbështetë disa zona kombëtare me kushte të përshtatshme të ndërtojnë qendra logjistike ndërkombëtare, qendra tregtare të mallrave të paambalazhuara dhe qendra globale të shpërndarjes.
Krahas këtyre, Kina do të shtojë hapjen sistemore në këto zona kombëtare dhe do t’u japë atyre më shumë funksione eksperimentale lidhur me reformën e hapjen. Do të shtohet zhvillimi i koordinuar mes këtyre zonave kombëtare me zonat eksperimentale të tregtisë së lirë, si edhe do të kopjohen e zgjerohen në mënyrë të rregullt arritjet e inovacionit të zonave eksperimentale të tregtisë së lirë dhe pikat komplekse eksperimentale për zgjerimin e hapjes së sektorit të shërbimit. Do të inkurajohen zonat kombëtare me kushte të përshtatshme të marrin pjesë aktivisht në tetë veprimet kryesore të nismës “Një brez, një rrugë”, si edhe do të mbështeten zona të tilla kombëtare të ndërtojnë parqe ndërkombëtare, të shtojnë lidhjet industriale me zonat tregtare ndërkombëtare dhe të thellojnë eksplorimin e modelit të bashkëpunimit “Dy vende, dy parqe”.
Përveç masave mbështetëse lidhur me hapjen për investimet e huaja, në këtë dokument është theksuar posaçërisht përmirësimi i mjedisit të biznesit.
Në dokument është nënvizuar që në zonat kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik duhet të formohen marrëdhënie të afërta qeveri-kompani dhe të vazhdojë krijimi i një mjedisi biznesi të nivelit të parë të orientuar nga tregu, të bazuar në sundimin e ligjit dhe të ndërkombëtarizuar.
Do të përmirësohet lista e punëve kyçe me konceptin“Të bëhet çdo punë në mënyrë efikase”, të përmirësohet shërbimi me një ndalesë “kryerje menjëherë, në internet e njëherësh” dhe të zgjidhen problemet e dukshme që kufizojnë biznesin e ndërmarrjeve. Krahas këtyre, do të mbështeten shërbimet administrative brenda krahinave ose mes krahinave të ndryshme.
Studiuesi në Institutin e Kërkimeve pranë Ministrisë së Tregtisë, Zhou Mi, u shpreh: “Në gjendjen aktuale, promovimi i thellë i reformave dhe inovacionit në ndërtimin e zonave kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik është i favorshëm për zhvillimin e një ekonomie të hapur me nivel të lartë, e gjithashtu do të ofrojë më shumë mundësi për ndërmarrjet globale të hyjnë në tregun gjigant kinez, veçanërisht në sektorët e rinj”. (Jiang Lei)
Foto nga ©VCG
Burimi ©CGTN