Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

Kinë-BE dhe bashkëpunimi ekonomik në fokus

Kina dhe BE-ja jo vetëm që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga zhvillimi i njëra-tjetrës, por  gjithashtu kanë krijuar një konsensus të gjerë për të punuar së bashku, edhe pse është e qartë që nuk bien dakord për gjithçka. Bashkë kanë 20 vite “partneritet strategjik” janë partnere të rëndësishme tregtare për njëra-tjetrën. Në vitin 2023, tregtia dypalëshe arriti në 5.5 trilion RMB (mbi 702 miliardë euro), me një vëllim transaksioni prej më shumë se 1.3 milion euro në çdo minutë. Tregtia ndërmjet Kinës dhe BE-së gjatë vitit 2023, përbënte 13.2% të volumit të përgjithshëm botëror të importeve dhe eksporteve, dhe prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës dhe BE-së përbën afro 1/3 e botës.

Të dhënat më të fundit tregojnë se numri i trenave të mallrave Kinë-Evropë ka tejkaluar 85,000 duke lidhur 219 qytete në 25 vende evropiane, duke ndërtuar kanal të sigurt për zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit në një botë të turbullt. Kina dhe BE kanë bashkëpunim të thellë në zinxhirët industrialë dhe të furnizimit dhe vazhdojnë të arrijnë inovacione dhe përparime në fushat teknologjike kyçe, duke u bërë të dyja palët lojtarët ekonomikë me vlerën më të lartë të shtuar të eksporteve në botë dhe duke vazhduar të injektojnë momentum të ri në zhvillimin cilësor të ekonomisë dhe tregtisë botërore.

Investimet

 

Megjithëse diktuar nga politika e “reduktimit të rrezikut” ose “çrrezikimit” , investimet e BE-së në Kinë mbetën aktive dhe investimet direkte Kinë-BE treguan një qëndrueshmëri të fortë. Gjatë vitit të kaluar (2023) investimet në Kinë nga vendet e zhvilluara të Evropës vazhduan të rriten, me investimet nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania me +173.3%, +135.3% dhe +14.2% respektivisht. Sipas statistikave të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Franceze në Kinë, aktualisht ka rreth 2,100 kompani franceze që kanë investuar në Kinë, dhe optimizmi për tregun e madh të Kinës është një arsye e rëndësishme për kompanitë franceze për të investuar.

Sa i përket investimeve të Kinës në Evropë, sipas një raporti të lëshuar nga Ernst & Young, shumat e bashkimeve dhe blerjeve të shpallura nga kompanitë kineze në Evropë u rritën me 3.5% në baza vjetore; këto ishin të përqëndruara kryesisht në fushat e telekomunikacioneve, medias dhe teknologjisë (TMT), pasurive të patundshme, hoteleve, ndërtimit, prodhimit të avancuar dhe transportit. Destinacionet kryesore ishin Mbretëria e Bashkuar, Polonia dhe Gjermania. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se modeli i investimeve të BE-së në Kinë po ndryshon. Më shumë kompani të BE-së po fillojnë të përqëndrohen në biznesin e tregut të brendshëm të Kinës, duke kaluar nga “prodhuar në Kinë për botën” në “prodhuar në Kinë për Kinën”. Shumë kompani po adoptojnë një strategji “Kina plus një”, që do të thotë kryerje e prodhimit me vlerë të lartë në Kinë dhe prodhimit me vlerë të ulët në vendet me kosto më të ulët, duke ndryshuar kështu spektrin origjinal të investimeve. Kjo mund të rezultojë në ndryshimin e tregtisë dhe të ketë një ndikim të caktuar në volumin e tregtisë dypalëshe.

Industria

Zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Kinës dhe Evropës janë ngushtësisht të lidhura me bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të thellë ndërmjet dy palëve në industri. Kina dhe Evropa kanë një komplementaritet të fortë në strukturën industriale, nivelin teknologjik, kërkesën e tregut, etj., dhe bashkëpunimi praktik në fusha të shumta është duke u thelluar vazhdimisht dhe duke sjellë përfitime të mëdha për të dy palët.

Për shembull, në industrinë automobilistike, Kina dhe Gjermania, si vende kryesore të prodhimit, janë në një pozitë udhëheqëse në të gjitha aspektet e industrisë automobilistike, duke përfshirë kërkimin dhe zhvillimin, prodhimin, montimin dhe shitjet. Industria e automjeteve në Kinë ka zinxhirë të plotë industrial dhe të furnizimit, dhe po transformon gradualisht avantazhin e saj të parë në automjetet e reja të energjisë në avantazhe teknike, industriale dhe bashkëpunimi. Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë në industrinë automobilistike po bëhet gjithnjë e më i ngushtë. Kompanitë kryesore gjermane të automjeteve po përshpejtojnë layout-in e tyre në Kinë. Volkswagen ka investuar më shumë se 6.5 miliardë Euro në Kinë, Mercedes-Benz ka krijuar qendrën e saj të dytë të kërkimit dhe zhvillimit në Kinë, dhe projekti i baterisë së fuqisë prej 2 miliardë Euro të BMW-së është gjithashtu plotësisht  në operim.

Çështjet që parashtrohen në bashkëpunimin Kinë-BE

Kina dhe BE-ja kanë krijuar një partneritet miqësor dhe një mekanizëm të qëndrueshëm dialogu të nivelit të lartë. Në Samitin e 24-të Kinë-BE, palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, zhvillimit të gjelbër, treguesve gjeografikë, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe tregtisë së emisioneve të karbonit, të cilat do të ndihmojnë në konsolidimin e mëtejshëm të bazës së bashkëpunimit Kinë-BE dhe zgjerimin e mëtejshëm të rezultateve të bashkëpunimit praktik ndërmjet dy palëve. Ndërkohë, Kina dhe Evropa janë të përkushtuara ndaj multilateralizmit, qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së; ato kanë konsensus të gjerë mbi një seri çështjesh globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe inteligjencën artificiale.

Forcimi i bashkëpunimit jo vetëm që do të ndihmojë zhvillimin konstruktiv të marrëdhënieve Kinë-BE, por gjithashtu do të ketë një ndikim pozitiv të rëndësishëm në paqen dhe zhvillimin botëror. Këto kanë krijuar një bazë të fortë për bashkëpunimin Kinë-BE në thellimin e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve. Megjithatë, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-BE përballet gjithashtu me disa sfida reale.

Zërat e fuqishëm për “reduktimin e rrezikut” në Evropë

Megjithëse Evropa është ende burimi më i madh i teknologjisë për Kinën, produktet e larta teknologjike evropiane po humbasin avantazhet e tyre konkurruese ndërsa niveli teknologjik i Kinës rritet, dhe pjesa e tyre në treg po bie. Për të parandaluar që Kina të kontrollojë teknologjinë e avancuar, Evropa ka lëshuar një politikë ndaj Kinës, për arsye “sigurie”, duke kufizuar kompanitë evropiane nga investimet në sektorin e lartë teknologjik të Kinës. Kina është bërë një çështje thelbësore në pothuajse të gjitha agjendat kryesore të BE-së. Komisioni Evropian lëshoi iniciativën “Strategjia Evropiane e Sigurisë Ekonomike”, e cila konsiderohet të jetë një mjet i ri për rrugën e “reduktimit të rrezikut” ndaj Kinës. Përmbajtja kryesore e iniciativës përfshin krijimin e një liste të teknologjive të larta dhe të avancuara të BE-së dhe kryerjen e vlerësimeve të rrezikut, zhvillimin e sovranitetit teknologjik të BE-së dhe qëndrueshmërisë së zinxhirëve të vlerës së BE-së, vlerësimin e mekanizmit të rishikimit të investimeve të drejtpërdrejta të huaja të BE-së dhe studimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë të sjella nga investimet e huaja të BE-së.

Në vitin 2023 udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke deklaruar se BE dhe Kina janë partnerë të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë të njëri-tjetrit, dhe se në të ardhmen, BE-ja do të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha si ndryshimet klimatike, biodiversiteti dhe siguria ushqimore për t’u përballur së bashku me sfidat globale.

Megjithëse kjo deklaratë e përbashkët përmbledh politikën aktuale ekonomike të BE-së ndaj Kinës më shumë nga perspektiva e çështjeve ekonomike, tregtare dhe globale Kinë-BE, ajo gjithashtu thekson se BE-ja do të vazhdojë të zvogëlojë varësinë e saj strategjike nga Kina në fusha kyçe në të ardhmen. Sipas planit të veprimit të vendosur në “Strategjinë Evropiane të Sigurisë Ekonomike”, BE dhe shtetet anëtare të saj do t’i kushtojnë më shumë vëmendje rreziqeve të sigurisë që mund të lindin nga investimet e huaja, të cilat në një masë të caktuar do të ndikojnë në fushat dhe shkallën e investimeve të ardhshme të kompanive të BE-së në Kinë, dhe do të sjellin sfida për aktivitetet investuese të dyanshme.

Perspektivat e Zhvillimit

Mbajtja e dialogut pozitiv dhe lehtësimi i shqetësimeve të të dy palëve duhet të jetë në krye të agjendës. Ndërsa ekonomia evropiane vazhdon të përballet me sfida, disa institucione dhe zyrtarë të BE-së nuk kanë përmirësuar qëndrimin e tyre jo miqësor ndaj Kinës, i cili në një masë të caktuar do të ndikojë në zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve BE-Kinë. Megjithatë, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të BE-së me aleatët e saj perëndimorë nuk mund të zëvendësojnë marrëdhëniet e saj ekonomike dhe tregtare me Kinën në një afat të shkurtër. Kina dhe Evropa janë ende partnerë dhe konsensuset e tyre janë shumë më të mëdha se ndryshimet e tyre. Në Kinë shpresojnë se Evropa do të shikojë dhe të pozicionojë Kinën në një mënyrë më objektive dhe racionale, të zhvillojë marrëdhëniet Kinë-BE me një qëndrim më konstruktiv dhe një perspektivë më afatgjatë, të riparojë “deficitin e njohjes” për Kinën dhe të promovojë përparime më të mëdha në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE.

Bashkëpunimi i thellë në zinxhirin industrial mbetet e ardhmja e bashkëpunimit Kinë-BE. Faktet tregojnë se vendosja e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit nga kompanitë shumëkombëshe në Kinë jo vetëm që i ndihmon ato të zgjerojnë tregun e tyre kinez dhe të shfrytëzojnë mundësitë e zhvillimit, por gjithashtu ndihmon në përmirësimin e konkurrencës së tyre në tregun ndërkombëtar.

 

Së fundmi, politikat e BE-së ndaj Kinës, veçanërisht ato tregtare, reflektojnë tensione më të gjera gjeopolitike dhe konsiderata ekonomike. Por nuk duhet harruar ekziston një potencial i madh për bashkëpunim Kinë-BE me idenë e përfitimeve të ndërsjella, si në energjinë e rinovueshme, në fushën e teknologjisë digjitale, inteligjencë artificiale etj. Nëse do të gjendet vullneti për të punuar së bashku, do të gjendet edhe mënyra më e mirë dhe më e lëhtë për të përfituar të gjithë.

 

© AIGS

 

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us