Foto nga VCG
Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, shkëmbeu të dielën mesazhe urimi me Bruno Rodríguez Parrilla, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Jashtëm i Kubës, për 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Wang Yi deklaroi se gjatë 65 vjetëve të fundit, marrëdhëniet Kinë-Kubë kanë vazhduar të thellohen. Të dy vendet kanë pasur besim të fortë dhe të thellë politik te njëri-tjetri, bashkëpunim të frytshëm në fusha të ndryshme dhe mbështetje të ndërsjellë në çështjet ndërkombëtare e rajonale, duke demonstruar vazhdimisht miqësinë e tyre të ngushtë dhe të patundur. “Jo shumë kohë më parë, Presidenti Xi Jinping u takua me Presidentin Miguel Díaz-Canel Bermúdez në Pekin, duke arritur një konsensus të ri dhe të rëndësishëm mbi zhvillimin e marrëdhënieve midis dy partive dhe dy vendeve. Unë jam i gatshëm të mbaj kontakte të ngushta me Ju për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, për të rritur besimin e ndërsjellë politik midis dy partive e dy vendeve, për të forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis dy ministrive të jashtme, për të nxitur zhvillimin e ri të marrëdhënieve të veçanta miqësore ndërmjet Kinës e Kubës në një pikënisje të re historike dhe për të pasuruar vazhdimisht përmbajtjen e bashkësisë me një të ardhme të përbashkët Kinë-Kubë,” u shpreh kreu i diplomacisë kineze.
Rodríguez tha se përgjatë viteve, Kuba dhe Kina e kanë respektuar dhe mbështetur njëra-tjetrën, kanë konsoliduar vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik, kanë zhvilluar bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe kanë mbrojtur së bashku socializmin dhe multilateralizmin, duke krijuar një miqësi të fortë vëllazërore që u ka sjellë vazhdimisht dobi dy popujve. Përballë situatës aktuale të rëndë ndërkombëtare, Kuba është e gatshme të punojë me Kinën për të zbatuar konsensusin e ri të arritur nga dy liderët, për të forcuar koordinimin politik dypalësh në fusha të ndryshme, për të intensifikuar bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për të promovuar ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët Kubë-Kinë.