Kryediplomati kinez: Kina do të vazhdojë ta përkrahë Iranin në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit

foto nga MInistria e Punëve të Jashtme e Kinës

Kina do të vijojë ta mbështesë Iranin në mbrojtjen e sovranitetit dhe dinjitetit kombëtar, në përballimin e politikës së forcës dhe ngacmimit, në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij të ligjshme nëpërmjet negociatave politike dhe në respektimin e parimit të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, për të vazhduar përmirësimin dhe zhvillimin e  marrëdhënieve me vendet fqinje, tha të mërkurën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Gjatë një takimi në Tianjin të Kinës Veriore me ministrin e Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi,  i cili ndodhet në Kinë për takimin e këshillit të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), Wang, që është edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha gjithashtu që, si një partnere e gjithanshme strategjike, Kina është e gatshme të punojë me Iranin për të thelluar besimin e ndërsjellë, për të forcuar bashkëpunimin, për të zgjeruar shkëmbimet dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm e afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe.

foto nga MInistria e Punëve të Jashtme e Kinës

Nga ana e tij, Araghchi e falënderoi Kinën për përkrahjen e çmuar për Iranin dhe shprehu mbështetje për rolin e Kinës si vend kryesues i radhës i OBSh-së dhe për përgatitjet e saj për samitin e Tianjin-it.

Irani është i gatshëm të forcojë shkëmbimet dypalëshe të nivelit të lartë, të thellojë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë dhe të vazhdojë mbështetjen e vendosur për njëri-tjetrin, tha ai.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamjet e tyre mbi çështjen bërthamore iraniane.

Araghchi përsëriti se Irani nuk ka asnjë qëllim për të prodhuar armë bërthamore, por nuk do të heqë dorë nga e drejta e vet e ligjshme për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Teherani është i gatshëm të rinisë negociatat e konsultimet me të gjitha palët sa më shpejt të jetë e mundur, në bazë të barazisë e respektit, për të gjetur një zgjidhje politike për çështjen iraniane.

Ndërsa Wang u shpreh nga ana e tij që Kina e ka kundërshtuar gjithmonë përdorimin e forcës apo kërcënimin për përdorimin e forcës dhe mbron zgjidhjen e dallimeve nëpërmjet dialogut e konsultimeve. Pala kineze e vlerëson lart angazhimin e palës iraniane për të mos prodhuar armë bërthamore, respekton të drejtën e Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe vlerëson synimin e Iranit për paqe me anë të mjeteve diplomatike.

Kina e përkrah Iranin në vijimin e dialogut me të gjitha palët dhe është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e zgjidhjes së çështjes bërthamore iraniane dhe të qëndrueshmërisë në rajonin e Lindjes së Mesme, vuri në dukje ai.

Burimi ©CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us