foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang zhvilloi të hënën në Pekin bisedime me kryeministrin e Singaporit Lawrence Wong, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Duke vënë në dukje që Kina dhe Singapori janë vende fqinje mike dhe partnerë të rëndësishëm, Li tha se, nën drejtimin strategjik të udhëheqësve të tyre, miqësia tradicionale midis Kinës dhe Singaporit është thelluar vazhdimisht që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 35 vjet më parë. Lidhjet dypalëshe janë forcuar dhe bashkëpunimi praktik ka arritur rezultate të frytshme.
Kreu i qeverisë theksoi se Kina është e gatshme të përpiqet së bashku me Singaporin për të vijuar traditën e respektit dhe të besimit të ndërsjellë, të barazisë dhe përfitimeve të ndërsjella, duke ruajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë, duke rritur komunikimin strategjik dhe duke konsoliduar besimin e ndërsjellë politik.
Li tha më tej që Kina është e gatshme të shfrytëzojë plotësisht mekanizmin e saj të bashkëpunimit dypalësh me Singaporin, të zbatojë planin e tyre të bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe të zgjerojë e forcojë projektet kryesore të bashkëpunimit. Kina është gjithashtu e gatshme të rrisë shkallën e tregtisë dhe investimeve të dyanshme, të zgjerojë në mënyrë aktive bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta dhe të nxisë bashkëpunimin e ri në fusha të tilla si ekonomia digjitale, ekonomia e gjelbër, inteligjenca artificiale, qytetet inteligjente dhe energjia oqeanike.
Ai u bëri thirrje të dy vendeve të forcojnë shkëmbimet arsimore, kulturore, turistike e mediatike, t’i përmbahen rajonalizmit të hapur e multilateralizmit të vërtetë, të promovojnë në mënyrë aktive liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve dhe të ruajnë qëndrueshmërinë dhe funksionimin e qetë të zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit.
foto nga Xinhua
Kina është e gatshme të punojë me shtetet anëtare të ASEAN-it, duke përfshirë Singaporin, për të promovuar nënshkrimin dhe zbatimin në kohë të versionit 3.0 të paktit të përmirësuar Kinë-ASEAN, për të zbatuar Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal me cilësi të lartë dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit ekonomik rajonal, tha kryeministri kinez.
Nga ana e tij, Wong vuri në dukje se Singapori mirëpret ruajtjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë e të nivelit të lartë me Kinën në fusha të ndryshme, duke thelluar miqësinë dhe besimin e ndërsjellë dhe duke promovuar projektet kryesore të bashkëpunimit, si Parku Industrial i Suzhou-t. Pala singaporase është gjithashtu e gatshme të eksplorojë potencialin e bashkëpunimit në fusha në zhvillim, si ekonomia digjitale, ekonomia e gjelbër, inteligjenca artificiale e biomjekësia, si edhe të zgjerojë bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta dhe të rrisë shkëmbimet njerëzore e kulturore.
Wong tha se Singapori ka besim të plotë te ekonomia kineze dhe është i gatshëm të shtojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën në platformat rajonale e shumëpalëshe për të mbrojtur tregtinë e lirë dhe sistemin tregtar shumëpalësh.
Burimi ©CGTN