Në shtator të vitit 2023, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi “Masat për promovimin e zhvillimit cilësor të turizmit nëpërmjet shtimit të konsumit turistik”, ku vihet në dukje se do të përgatitet përvoja e re e turizmit inteligjent nëpërmjet teknologjisë digjitale. Në të njëjtën kohë, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Kinës publikoi “Planin 3-vjeçar të veprimit për zhvillimin inovativ të Metaverse-it (2023-2025)”, për zhvillimin e metaverse-it turistik, me qëllim që të promovohet krijimi i metaverse-it turistik, duke përgatitur mënyra të reja turistike, si shfaqje artistike digjitale, “turizmi në re (cloud)” etj.
Qyteti Xian në provincën Shaanxi është një qytet i lashtë magjik turistik. Xian-i ka qenë kryeqyteti i 14 dinastive në historinë kineze dhe ishte pikënisja më lindore e Rrugës së Lashtë të Mëndafshit. Historia e lavdishme e Xian-it ka tërhequr turistë të panumërt vendas dhe të huaj. Qyteti po kërkon të gjejë modele të reja turistike dhe ka zhvilluar turizmin e metaverse-it për të promovuar zhvillimin cilësor turistik.
Sot në Xian ka 126 muze, që zë vendin e tretë në vend. Popullsia e qytetit është 13 milionë, domethënë ka mesatarisht një muze për 100 mijë banorë, duke u afruar me nivelin e vendeve të zhvilluara.
Qyteti Xian përdor teknologjinë digjitale të metaverse-it për t’u sjellë turistëve një përvojë krejt të re zhytëse. Turistët mund të “kthehen” në dinastinë Tang ose dinasti të tjera për të përjetuar jetën e kinezëve të lashtë në botën e metaverse-it. Krahas kësaj, Xian-i zhvillon fuqimisht turizmin arkeologjik, vizitën natën në muze etj., për t’u dhënë turistëve më shumë zgjedhje. Në Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së 2025, qyteti Xian kishte përgatitur një pjesë me këngë e valle, që quajtur “Changan-i në poema”, e cila integronte kulturën e dinastisë Tang me teknologjinë e metaverse-it, duke u dhënë shikuesve një festë vizuale.
Integrimi i teknologjisë së metaverse-it me turizmin zhytës dhe trashëgimitë kulturore jomateriale mund të çlirojë shumë potencialin e burimeve të muzeve dhe të galerive të artit, duke përhapur më tej magjinë e kulturës tradicionale kineze.
Krahas turizmit, tani më shumë lojëra kompjuterike kanë filluar të përdorin teknologjinë e metaverse-it për të forcuar përvojën e lojtarëve. Për shembull në lojën kompjuterike shumë popullore “Festa e vezëve”, prodhuesit përdorën teknologjinë e metaverse-it për të krijuar një botë virtuale të kombësisë miao në Kinën Jugperëndimore. Në të u kopjua një fshat tipik i kombësisë miao, ku lojtarët mund të kontaktojnë gjatë lojës me elemente të ndryshme kulturorë të kësaj kombësie, duke përfshirë stolitë e argjendit, thurjen e bambusë, ngjyrosjen me dyll, fenerët etj. Loja kompjuterike “Festa e vezëve” shfaq magjinë e kulturës së kombësisë miao.
Metaverse ka ende një hapësirë të gjerë zhvillimi dhe jemi të bindur se, me përparimin teknologjik, do të na sjellë më shumë surpriza.
Foto nga ©VCG
Burimi ©CGTN