Foto nga MPJ-ja
Ministri i Jashtëm Wang Yi tha të enjten se Kina është e gatshme të punojë me Pakistanin për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga liderët e dy vendeve dhe për të vazhduar ndërtimin e një komuniteti Kinë-Pakistan me të ardhme të përbashkët.
Wang i bëri komentet në Islamabad me Mohammad Ishaq Dar, zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Pakistanit, gjatë mbajtjes së Raundit të Gjashtë të Dialogut Strategjik të Ministrave të Jashtëm Kinë-Pakistan.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të dy vendeve të mbështesin sistemin tregtar shumëpalësh dhe të kundërshtojnë unilateralizmin.
Kina është e gatshme të punojë me Pakistanin për të përmirësuar Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan në lidhje me industrinë, bujqësinë dhe minierat, tha Wang, duke shtuar se shpreson të thellojë bashkëpunimin në fusha si teknologjia e informacionit, siguria kibernetike dhe shkëmbimet kulturore.
Kina shpreson që Pakistani do të vazhdojë të krijojë një mjedis biznesi të sigurt, efikas dhe të përshtatshëm, si edhe të mbrojë sigurinë e personelit, projekteve dhe institucioneve kineze në Pakistan.
Dar falënderoi Kinën për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme ndaj Pakistanit. Ai tha se Pakistani dhe Kina kanë besim të fortë politik të ndërsjellë dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur nivele të reja, duke u bërë një model midis vendeve.
Ai vuri në dukje se Pakistani i përmbahet fuqimisht parimit të një Kine dhe mbështet Kinën në mbrojtjen e interesave dhe dinjitetit të saj kombëtar. Gjithashtu tha se do të mbështesë fuqimisht ndërtimin e një komuniteti Pakistan-Kinë me të ardhme të përbashkët, si dhe Nismën “Një Brez, një Rrugë”.
Ai shtoi se Pakistani do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar të gjitha format e terrorizmit dhe do të marrë të gjitha masat për të siguruar institucionet dhe personelin kinez në Pakistan.