Foto nga VCG
Të enjten, ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao u takua në Pekin me CEO-n e kompanisë “Apple” Tim Cook. Të dy palët diskutuan për marrëdhëniet ekonomiko-tregtare kino-amerikane dhe zhvillimin e biznesit të “Apple”-it në Kinë, sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Tregtisë.
Wang Wentao u shpreh se që nga maji, ekipet ekonomiko-tregtare të të dyja vendeve kanë zhvilluar katër raunde bisedimesh për të stabilizuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Kinë-ShBA, por pas bisedimeve në shtator në Madrid, pala amerikane shpalli një sërë masave të reja kufizuese ndaj Kinës.
“Këto veprime kanë dëmtuar rëndë interesat e Kinës dhe kanë prishur atmosferën e bisedimeve dypalëshe ekonomiko-tregtare,” tha kreu i dikasterit kinez të tregtisë.
Ai shprehu shpresën që ShBA-ja do të punojë me Kinën për t’i zgjidhur problemet ekonomiko-tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve të barabarta, duke siguruar një mjedis më të qëndrueshëm e më të parashikueshëm për kompanitë e të dyja vendeve.
Ministri Wang u shpreh se qeveria kineze do të promovojë me vendosmëri hapjen cilësore me botën e jashtme dhe do të përmirësojë vazhdimisht mjedisin e biznesit, për të siguruar që ndërmarrjet e vendeve të ndryshme të ndajnë mundësitë e zhvillimit të Kinës.
Ai e mirëpriti “Apple”-in ta thellojë bashkëpunimin me Kinën dhe të marrë pjesë aktivisht në zhvillimin cilësor të Kinës.
Nga ana e tij, Tim Cook tha se “Apple” do të vijojë ta thellojë biznesin në Kinë dhe do të marrë pjesë aktivisht në zhvillimin cilësor të Kinës.
Marrëdhëniet e shëndetshme ekonomiko-tregtare ShBA-Kinë kanë rëndësi të madhe jo vetëm për të dy vendet, por edhe për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik global, vuri në dukje ai, duke shtuar që kompania “Apple” është e gatshme të japë kontributin e vet aktiv për promovimin e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së.