MJK: Respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta, zgjedhja e vetme e drejtë për Kinën dhe ShBA-në

Foto nga VCG

Respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta janë zgjedhja e vetme e drejtë për marrëdhëniet kino-amerikane, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Guo Jiakun duke komentuar të hënën në një konferencë të rregullt shtypi përmbajtjen e raportit të fundit të strategjisë së sigurisë kombëtare të ShBA-së që lidhet me Kinën.

Sipas raportimeve, ShBA-ja ka publikuar së fundmi raportin e saj të ri të strategjisë së sigurisë kombëtare, në të cilin përfshihen disa pjesë që kanë lidhje me Tajvanin. Raporti thotë nga njëra anë që ShBA-ja “nuk mbështet asnjë përpjekje të njëanshme për të ndryshuar situatën aktuale në ngushticën e Tajvanit”, ndërsa nga ana tjetër flet për “forcimin e aftësive të ShBA-së dhe aleatëve të saj për të penguar çdo përpjekje ‘për ta marrë Tajvanin me forcë'”.

Lidhur me këtë, Guo Jiakun ritheksoi se Tajvani është Tajvani i Kinës dhe është një pjesë e pandashme e territorit kinez. Çështja e Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës dhe “vija e parë e pakalueshme” në marrëdhëniet kino-amerikane.

“Si dhe kur do të zgjidhet çështja e Tajvanit është një çështje e popullit kinez dhe në të nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje e jashtme. ShBA-ja duhet të zbatojë me veprime konkrete parimin e ‘një Kine’ dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, të përmbushë premtimet e bëra nga udhëheqësi amerikan, ta trajtojë me shumë kujdes çështjen e Tajvanit dhe të ndalojë mbështetjen për forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’, që synojnë ‘pavarësi me forcë’ ose ‘kundërshtim për ribashkimin me forcë’. Vendosmëria e Kinës për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial është e palëkundur,” tha zëdhënësi.

Ai theksoi që bashkëpunimi midis Kinës e ShBA-së sjell përfitime për të dyja palët, ndërsa përplasja sjell dëm reciprok. Kina është e gatshme të punojë së bashku me ShBA-në për të ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj të zhvillimit.

“Shpresojmë që pala amerikane do të ecë në të njëjtin drejtim me palën kineze, duke zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shteteve, duke forcuar dialogun e bashkëpunimin, duke menaxhuar si duhet dallimet dhe duke nxitur një zhvillim të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane, për të sjellë më shumë siguri e qëndrueshmëri për botën,” u shpreh zëdhënësi i diplomacisë kineze.

 

CGTN

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us