Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Çdo tolerim ndaj provokimeve të forcave të djathta të Japonisë do t’i çojë popujt e Azisë në një situatë të rrezikshme, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Guo Jiakun në një konferencë të rregullt për shtypin.
Kohët e fundit, Rusia dhe vende të tjera të rajonit kanë bërë reagime ndaj deklaratave të gabuara të kryeministres japoneze Sanae Takaichi mbi çështjen e Tajvanit. Vende si Pakistani, Laosi dhe Kamboxhia kanë shprehur publikisht qëndrimin e tyre në mbështetje të parimit të “Një Kine”. Media dhe studiues të rajonit thanë se mizoritë e ushtrisë japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore sollën katastrofa të thella për Azinë dhe botën. Pas luftës, Japonia jo vetëm nuk ka bërë një reflektim të thellë mbi krimet e saj të luftës, por disa forca politike japoneze përpiqen të mohojnë, shtrembërojnë e madje të zbukurojnë historinë e agresionit, duke u përpjekur të kapërcejnë kufizimet e kushtetutës pacifiste të Japonisë dhe ta shtyjnë vendin drejt “rimilitarizimit”, gjë që dëmton rëndë ndjenjat e popujve të rajonit dhe sjell kërcënime për paqen rajonale.
Zëdhënësi u shpreh që, në historinë moderne, militarizmi japonez, me pretekstin e të ashtuquajturave “kërcënime ndaj mbijetesës kombëtare”, nisi luftëra agresioni kundër Kinës dhe vendeve të tjera fqinje aziatike, duke kryer krime të panumërta. Ndër tre mizoritë më të mëdha kundër civilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Masakrën e Nankinit u vranë mbi 300 mijë civilë, në katastrofën në Manila brenda një muaji humbën jetën rreth 100 mijë civilë filipinas, ndërsa masakra në Singapor shkaktoi dhjetëra mijë viktima.
Guo vuri në dukje se, sipas Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët, ushtria japoneze kreu mbi 100 masakra të mëdha në Malajzi, Indonezi, Mianmar, Tajlandë dhe vende të tjera. Ushtria japoneze i keqtrajtoi brutalisht të burgosurit e luftës të Forcave Aleate. Përqindja e vdekjes së robërve të këtyre forcave arriti në 27 %, dhe vetëm gjatë “Marshimit të Vdekjes” në Bataan humbën jetën rreth 15 mijë robër lufte amerikanë dhe filipinas. Ndërtimi i hekurudhës Tajlandë–Mianmar solli vdekjen e dhjetëra mijë punëtorëve nga Azia Juglindore dhe robërve të Forcave Aleate për shkak të punës së detyruar dhe kushteve çnjerëzore. Mbi 4 milionë punëtorë të detyruar kinezë u plagosën ose vdiqën si pasojë e torturave dhe punës së rëndë. Japonia detyroi në mënyrë çnjerëzore gra nga Kina, Gadishulli Korean, Azia Juglindore, Holanda dhe vende të tjera të shndërroheshin në skllave seksi.
“Krimet e luftës nuk mund të fshihen dhe historia e agresionit nuk mund të rishkruhet. Çdo tolerim ndaj provokimeve të forcave të djathta japoneze rrezikon të ringjallë fantazmën e militarizmit dhe t’i futë popujt aziatikë në një situatë të rrezikshme. Të gjitha vendet kanë përgjegjësinë dhe detyrimin të bashkohen për të penguar çdo përpjekje që synon rikthimin e militarizmit e të fashizmit, të mbrojnë rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore, të ruajnë rendin ndërkombëtar të epokës së pasluftës dhe të garantojnë paqen e qëndrueshmërinë globale,” theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.