Tufë karabullakësh dhe tufë gatësh të bardha në bregdetin e qytetit Xiamen në janar 2024/ VCG
Në fillim të dimrit, dhjetra shpendë fluturuan në parkun ligatinor të gjirit Uyuan.
Me këtë rast, Peng Zhiwei shtypi butonin e aparatit fotografik, duke thënë me gëzim: “U rikthyen miqtë”. Ai është kryetari i Shoqatës së Vëzhgimit të Zogjve të qytetit Xiamen, ndërsa “miqtë” e tij janë një tufë karabullakësh, që u kthyen në dimër në këtë qytet nga veriu.
Gjiri Uyuan është parku më i madh ligatinor në ishullin Xiamen. Si një nga dëshmitarët e ndryshimeve të mjedisit në këtë park, Peng Zhiwei e ka ndjekur për shumë vjet me radhë këtë ligatinë. “Shumë vjet më parë, mjedisi natyror këtu u dëmtua shumë rëndë dhe kudo gjendeshin mbeturina. Ndërsa tani ekosistemi detar është mëkëmbur dhe mjedisi është bërë gjithnjë e më i mirë, duke tërhequr gjithnjë e më shumë zogj,” rrëfen Peng.
Për gjendjen e mjedisit ekologjik, zogjtë “votojnë” me krahët e tyre. Vitet e fundit, me përmirësimin e mjedisit, gjithnjë e më shumë shpendë shtegtarë po qëndrojnë këtu.
Në mes të shekullit të 20-të, për të përmbushur kërkesat e mbrojtjes kombëtare dhe të zhvillimit ekonomik, në ishullin Xiamen u ndërtuan diga bregdetare në disa gjire, por me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e mënyrës së zhvillimit, këto diga të vjetra filluan të kufizonin zhvillimin e qytetit. Digat pengonin shkëmbimin e ujërave midis zonës lindore e asaj perëndimore dhe kjo shkaktoi grumbullimin e mbeturinave dhe përkeqësimin e mjedisit.
foto nga VCG
Vitet e fundit, qyteti Xiamen ka nisur një sërë projektesh për mëkëmbjen e ekologjisë detare, duke përfshirë transformimin e digave, pastrimin e hapësirave ujore etj. Digat u hoqën tërësisht ose pjesërisht, kështu që hapësirat detare, që u ndanë dikur me qëllim, u integruan përsëri dhe cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm.
Mëkëmbja ekologjike dhe zhvillimi kompleks i gjirit Uyuan radhiten në vendin e parë të 11 shembujve tipikë të produkteve ekologjike, të publikuar nga Ministria e Burimeve Natyrore e Kinës.
Transformimi dhe mbrojtja e gjireve kanë luajtur rol të rëndësishëm për ekuilibrimin ekologjik dhe shfrytëzimin e vazhdueshëm të burimeve detare në qytetin Xiamen, duke krijuar një mjedis të bukur banimi si për banorët vendës, ashtu edhe për kafshët.
foto nga VCG
Në malin Qima pranë gjirit Uyuan gjendet zona e mbrojtur natyrore e bletëngrënësit bishtblu, i cili vlerësohet si ndër zogjtë më të bukur kinezë dhe është ndër kafshët e egra të mbrojtura të nivelit të dytë kombëtar. Kjo zonë e mbrojtur natyrore me afro 200 lloje bimësh, ka tërhequr 138 lloje zogjsh, nëntë prej të cilëve janë ndër shpendët e mbrojtur në nivelin e dytë kombëtar. Krejt ndryshe nga zonat e tjera të mbrojtura natyrore, kjo zonë nuk gjendet larg, por ka shumë godina përreth.
Për të mbrojtur këta zogj të çmuar, qyteti Xiamen hartoi rregullore të veçanta për t’u ofruar brenda mundësive mjedis të përshtatshëm, për të pakësuar shkarkimin e gazrave dhe për të shmangur dritat e forta dhe zhurmat e larta.
foto nga VCG
Në majën e një kodre në këtë zonë gjenden shumë mure balte me vrima, të cila janë pikërisht shtëpitë e këtyre zogjve. Sot në këtë zonë të mbrojtur natyrore pranë gjirit Uyuan vijnë çdo vit qindra bletëngrënës bishtblu, numri i të cilëve është shtuar disa herë në krahasim me periudhën fillestare të krijimit të kësaj zone. Kjo është bërë shtëpia e përbashkët e njerëzve dhe e kafshëve.
Gjiri Uyuan është pasqyrë e përmirësimit të mjedisit ekologjik të Xiamen-it, i cili vitet e fundit është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si Çmimi i Habitatit i Kombeve të Bashkuara, Qytet Kopsht Ndërkombëtar, Qytet Shembullor i Kinës për Mbrojtjen e Mjedisit, Qytet Kombëtar me Kopshtari Ekologjike, Qytet Kombëtar i Pyllëzimit, Zonë Kombëtare Model e Qytetërimit Ekologjik Detar etj.
foto nga VCG
Burimi ©CGTN