Foto nga VCG
Kina dhe Finlanda kanë formuar një partneritet të fortë gjatë një historie mbi 75-vjeçare të marrëdhënieve diplomatike, me bashkëpunimin dypalësh të përqendruar në shkencë e teknologji dhe zhvillimin e gjelbër. Kryeministri finlandez Petteri Orpo mbërriti të dielën në Pekin, për të bërë një vizitë që synon rritjen e vazhdueshme të lidhjeve dypalëshe.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes ndërqeveritare për Bashkëpunimin në Shkencë dhe Teknologji në vitin 1986, Kina e Finlanda kanë krijuar një kornizë të fortë për bashkëpunimin në fushën e risive. Gjatë dekadave, ky partneritet është zgjeruar nga kërkimi shkencor tradicional në fusha të përparuara, si ndryshimi i klimës, asnjëanësimi i karbonit dhe risitë teknologjike.
Në vitin 2017, të dy vendet krijuan Komitetin për Bashkëpunim Inovativ në Biznes Kinë-Finlandë, i cili është bërë një platformë e rëndësishme për promovimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis ndërmarrjeve në sektorët e nxitur nga risitë. Përgatitjet në zhvillim e sipër për takimin e gjashtë të komitetit, pasqyrojnë vijimin e vrullit të bashkëpunimit dypalësh.
Në nivel institucional, Finlanda ka ngritur një sërë qendrash inovacioni në Kinë, duke përfshirë zyrën e Tekes-it në Pekin (tani e njohur si “Business Finland”), Qendrën e Inovacionit “FinChi” (Finlandë-Kinë) në zonën Zhangjiang të Shangait dhe Qendrën e Nano-Inovacionit Kinë-Finlandë në qytetin Suzhou të provincës Jiangsu. Ndërkohë, Kina ka thelluar bashkëpunimin për risitë me Finlandën nëpërmjet Qendrës së Inovacionit “FinChi” në Zhongguancun, duke e zgjeruar ekosistemin e risive të Pekinit në Evropën Veriore.

Pavijoni i Finlandës në Ekspozitën e Importit të Kinës, Shangai, viti 2023/Foto nga VCG
Një simbol i ekosistemit plot gjallëri të kompanive fillestare finlandeze është konferenca “Slush”, një nga veprimtaritë kryesore botërore për kompanitë fillestare. Zhongguancun, i përshkruar shpesh si qendra e inovacionit e Pekinit, luan një rol të ngjashëm në nxitjen e sipërmarrjes dhe përparimeve teknologjike. Në vitin 2015, me koordinim nga Qendra e Inovacionit “FinChi”, “Slush” u paraqit në Kinë, duke e zhvilluar veprimtarinë e tij të parë në Parkun e Softuerëve Zhongguancun dhe duke promovuar shkëmbimet midis krijuesve të risive kinezë dhe finlandezë. Që atëherë, veprimtaritë “Slush” janë mbajtur në disa qytete kineze, si Shangai, Chongqing dhe Chengdu, duke forcuar më tej bashkëpunimin në teknologjinë e lartë.
Përballimi i ndryshimeve klimatike është bërë gjithashtu një përparësi e përbashkët. Kina dhe Finlanda kanë punuar së bashku për energjinë e pastër dhe teknologjitë e qëndrueshme, për të gjetur zgjidhje praktike.
Një shembull i spikatur është programi “Pekini i Bukur”, i nisur në qershor 2013, i cili u mbështet në ekspertizën finlandeze të teknologjisë së pastër për të ndihmuar në eksplorimin e mënyrave për të përmirësuar cilësinë e ajrit në kryeqytetin kinez. Bashkëpunimi përfshiu përdorimin e energjisë, ndërtimin, transportin, prodhimin industrial dhe monitorimin e ndotjes. Sipas kësaj nisme, kompania finlandeze e teknologjisë së pastër “AAVI Technologies” filloi të prodhonte pajisje për pastrimin e ajrit të përshtatura për kushtet e Kinës, duke krijuar një model të bashkëpunimit industrial me përfitime të ndërsjella.

Foto nga VCG
Në tetor 2024 të dy vendet publikuan Planin e Përbashkët të Veprimit midis Kinës dhe Finlandës për Promovimin e Partneritetit Bashkëpunues të Tipit të Ri të Orientuar drejt së Ardhmes 2025-2029, që i jep përparësi zhvillimit me karbon të ulët. Të dyja vendet angazhohen për të kërkuar zgjidhje kundër ndryshimeve klimatike në përputhje me objektivat, parimet e normat e përcaktuara në Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjen e Parisit, si edhe kontributet e tyre përkatëse të përcaktuara në shkallë kombëtare.
Plani thekson veprime konkrete për rritje të qëndrueshme nëpërmjet bashkëpunimit publik-privat, duke u përqendruar në fushat kryesore, si tranzicioni i energjisë, ekonomia qarkulluese, klima, biodiversiteti dhe mjedisi.