Chen Binhua, zëdhënës i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit të Kinës/Foto nga Xinhua
Lidhur me propozimin e paraqitur në një forum të kohëve të fundit me pjesëmarrjen e grupeve të mendimit të Partisë Komuniste të Kinës dhe Kuomintangut Kinez mbi thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit turistik midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, realizimin e vizitave turistike në grup në Tajvan për banorët e provincës Fujian dhe qytetit Shangai, si dhe zgjerimin e vizitave turistike nga banorët e pjesës kontinentale për në Kinmen dhe Matsu të Tajvanit, Chen Binhua, zëdhënës i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit të Kinës, u shpreh të enjten në një konferencë shtypi se do të bëhen përpjekje për të vënë në jetë rezultatet përkatëse, sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai shprehu shpresën që autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) do të prioritizojnë mirëqenien e bashkatdhetarëve tajvanezë, të heqin sa më parë të gjitha kufizimet dhe ndalimet, për të normalizuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin turistik ndër-ngushticë.
Chen Binhua tha se në përgjigje të pritshmërive të banorëve tajvanezë dhe qarqeve turistike të këtij ishulli, pjesa kontinentale rifilloi turizmin në Matsu dhe Kinmen të Tajvanit për banorët e provincës Fujian, përkatësisht në prill dhe gusht 2024, gjë që u mirëprit nga sektori i turizmit dhe publiku tajvanez. Deri tani, numri i banorëve të provincës Fujian që kanë udhëtuar në Kinmen dhe Matsu ka tejkaluar 200.000, duke sjellë përfitime të prekshme për operatorët turistikë vendas dhe duke rritur lidhjet midis bashkatdhetarëve në dy brigjet e ngushticës.

Foto nga Xinhua
Më 3 shkurt, Zyra e Përgjithshme e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës, zbuloi listën për markat e njohura kineze të konsumit të vitit 2025, ku u përfshinë për herë të parë disa ndërmarrje tajvaneze me bazë në pjesën kontinentale, gjë që tërhoqi vëmendje të mëdha publike. Në konferencën për shtyp, Chen vuri në dukje se kjo është një masë tjetër e rëndësishme për të zbatuar trajtimin e barabartë për bashkatdhetarët dhe ndërmarrjet tajvaneze, si dhe për të thelluar integrimin ndër-ngushticë.
“Ne do të mbështesim ndërmarrjet tajvaneze me bazë në pjesën kontinentale, për të marrë pjesë në përzgjedhjen për çmimin e industrisë kineze, titullin e kompanisë udhëheqëse kineze për menaxhimin e të dhënave industriale, si dhe titullin e kompanisë udhëheqëse kineze për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit, në mënyrë që më shumë ndërmarrje tajvaneze të ndajnë nderin dhe mundësitë gjatë krijimit të markave kombëtare, duke forcuar ekonominë kombëtare të Kinës.
Sipas tij, gjatë periudhës së “Planit të 15-të Pesëvjeçar”, modernizimi i Kinës padyshim do të krijojë hapësirë më të gjerë zhvillimi për bashkatdhetarët dhe ndërmarrjet tajvaneze.
“Ne i mirëpresim ngrohtësisht bashkatdhetarët dhe ndërmarrjet tajvaneze të qëndrojnë në pjesën kontinentale, të shfrytëzojnë mundësitë e kohës dhe të arrijnë një zhvillim më të mirë”, tha zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të qeverisë kineze.