Foto nga VCG
Punonjësit e shpëtimit po vijojnë përpjekjet për të kontrolluar përmbytjet, kërkimin e banorëve të bllokuar dhe pastrimin e rrugëve pas ditëve të tëra me rrebeshe shiu që kanë shkaktuar shembje dheu dhe çrregullime të trafikut në mbarë provincën Guangdong të Kinës Jugore.
Deri të mërkurën në mbrëmje, punonjësit e shpëtimit kishin nxjerrë tetë nga 14 vetat e bllokuar prej një rrëshkitjeje dheu në fshatin Dayuan, nën administrimin e qytetit Guangzhou, njoftuan autoritetet vendore të zjarrfikjes dhe shpëtimit.
Deri në orën 16:00 të së mërkurës, gjashtë pjesë autostradash, duke përfshirë dy stacione për pagimin e tarifës dhe një zonë shërbimi, së bashku me gjashtë autostrada kombëtare apo provinciale dhe 36 rrugë rurale anembanë provincës Guangdong, mbetën të mbyllura për shkak të shirave të mëdha të vazhdueshme, sipas departamentit të transportit të provincës.
Ekipet e emergjencës po punojnë për të rifilluar qarkullimin e automjeteve.
Foto nga VCG
Yang Guojie, kreu i shërbimit meteorologjik të provincës, tha se shirat e mëdha që ende po vazhdojnë, kanë lidhje me një sistem subtropikal të presionit të lartë dhe një zonë presioni të ulët monsuni aktiv.
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës, organi më i lartë i planifikimit ekonomik i Kinës, njoftoi të mërkurën që ka caktuar 100 milionë juanë (rreth 14 milionë dollarë amerikanë) nga buxheti qendror për të mbështetur përpjekjet e rimëkëmbjes emerrgjente pas përmbytjeve të shkaktuara nga stuhitë e shiut në provincën Guangdong.
Foto nga VCG
Fondet do të përqendrohen në rregullimin e rrugëve, sistemeve të furnizimit me ujë, spitaleve e infrastrukturave të tjera kritike të dëmtuara, si edhe të objekteve të shërbimit publik në zonat e prekura, duke përshpejtuar kthimin në jetën dhe punën normale, tha Komisioni.