foto nga VCG
Kina ka arritur suksese historike në mbrojtjen dhe administrimin e lumenjve, ndërsa ndjek një strategji për lumenjtë në epokën e re që përqendrohet në parimin e bashkëjetesës harmonike midis njeriut e natyrës, theksohet në raportin e një instituti studimi politikash të publikuar të premten.
Raporti, me titull “Shfrytëzimi i lumenjve për begati kombëtare dhe mirëqenie publike – Një studim mbi strategjinë për lumenjtë në epokën e re”, u publikua nga Instituti Kombëtar i Studimit të Politikave i Nivelit të Lartë i Agjencisë së Lajmeve “Xinhua” dhe Instituti i Kërkimeve për Burimet Ujore dhe Energjinë Ujore i Kinës pranë Ministrisë kineze të Burimeve Ujore.

foto nga VCG
Përparimi historik i Kinës në mbrojtjen dhe administrimin e lumenjve ka forcuar ndjeshëm kontrollin e përmbytjeve, furnizimin me ujë, sigurinë ushqimore e sigurinë ekologjike, duke hedhur themele më të forta për zhvillimin ekonomik e shoqëror me cilësi të lartë, thuhet në këtë raport.
Dokumenti vë në dukje gjithashtu që Kina i përmbahet parimit të “përparësisë së kursimit të ujit”, ka zbatuar plotësisht nismën kombëtare për kursimin e ujit dhe ka vendosur kufizime të rrepta lidhur me burimet ujore, duke nxitur një ndryshim nga përdorimi ekstensiv e joefikas i ujit drejt kursimit dhe efikasitetit.

foto nga VCG
Me vetëm 6 për qind të burimeve të ujit të ëmbël në botë, Kina mban pothuajse 20 për qind të popullsisë botërore dhe krijon më shumë se 18 për qind të prodhimit ekonomik global, vëren raporti.
Ndërsa ndryshimi klimatik përshpejtohet, siguria globale e ujit përballet me trysni në rritje, dhe administrimi i lumenjve është bërë një sfidë gjithnjë e më e madhe, sipas raportit, i cili bën thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar për të trajtuar problemin e mungesës së ujit.
Përgjatë viteve, Kina ka zhvilluar bashkëpunim të gjerë me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në fushën e burimeve ujore, ka ndarë përparimet në kërkimin global të shkencave ujore dhe ka bashkëpunuar me vende e rajone të ndryshme në mbarë botën për të përballuar sfidat në rritje lidhur me ujin, vihet në dukje në raport, duke shtuar gjithashtu që Kina do të vijojë të ndërmarrë hapa konkretë për të çuar përpara objektivat në lidhje me ujin në kuadër të Agjendës për Zhvillimin Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.