Foto MirrorMe Tech
Në garën globale për lëvizshmërinë robotike ka dalë një kryesues i ri: një robot humanoid me përmasa reale njerëzore i quajtur Bolt, i cili arrin një shpejtësi maksimale vrapimi prej 10 metrash për sekondë.
Ky përparim, i publikuar të hënën nga një institut për robotë humanoidë në Universitetin e Zhejiang-ut në Kinën Lindore, shënon zyrtarisht shpejtësinë më të madhe të regjistruar nga një robot humanoid i kësaj kategorie.
Bolt, me gjatësi 175 centimetra dhe peshë 75 kilogramë, është projektuar për të imituar përmasat njerëzore dhe për të shtyrë kufijtë fizikë të lëvizjes me dy këmbë.
Gjatë një demonstrimi në video, roboti u vë në garë me themeluesin e organizatës, Wang Hongtao, në një garë në pistën e vrapit. Ndërsa vrapuesi njerëzor nisi të lodhej, roboti ruajti një hap të qëndrueshëm, me shpejtësi që arriti deri 10 metra në sekondë.
Emri i robotit lidhet me legjendën e vrapimit Usain Bolt, rekordi botëror i të cilit në garën e 100 metrave, 9.58 sekonda, mbetet standardi më i lartë i performancës njerëzore. Me shpejtësinë e tij maksimale të tanishme, roboti teorikisht mund ta kryejë një vrapim 100 metra pikërisht në 10 sekonda, thuajse po aq sa atletët më të mirë olimpikë.
Projekti është një bashkëpunim midis institutit dhe firmave teknologjike private “MirrorMe Tech” dhe “Kaierda”. Wang, i cili është gjithashtu themelues i “MirrorMe”, vuri në dukje që qëllimi kryesor i kërkimit nuk ishte thjesht të thyente rekorde, por të zhvillonte një bazë teknologjike që u afrohet ose edhe i tejkalon kufijtë biologjikë të lëvizjes njerëzore.