Rritje përballë sfidave: Ekonomia kineze drejt përfundimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar

Përparimi i Kinës në kuadër të Planit të 14-të Pesëvjeçar, i cili përfundon këtë vit, është përshkruar në një sërë informimesh të nivelit të lartë  me të dhënat që tregojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit përballë sfidave globale dhe presioneve të jashtme në rritje. Nëse analizohet performanca ekonomike e gjysmës së parë të këtij viti, por edhe ajo e katër apo pesë viteve të fundit, që përfshihen në Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021–2025), vihet re se sfidat e hasura kanë qenë më të mëdha sesa pritej, por arritjet i kanë tejkaluar pritshmëritë.

Pesë vitet e fundit kanë qenë periudhë me shumë zhvillime. Një pjesë e sfidave ishin të papritura, si pandemia, por Kina arriti të kalojë këtë fazë dhe po njeh një rimëkëmbje të dukshme – veçanërisht në kërkesën e brendshme. Edhe përballë luftës tregtare dhe tensioneve gjeopolitike, tregtia ka treguar qëndrueshmëri të konsiderueshme. Përvoja e pesë viteve të fundit tregon rëndësinë e vlerësimit të faktorëve themelorë dhe shmangien nga gjykimet mbi luhatjet e përkohshme. Pandemia ishte e papritur. Lufta tregtare mund të ishte parashikuar, por jo në përmasat që mori. Megjithatë, ecuria e ekonomisë kineze përcaktohet nga faktorët bazë që ndikojnë në çdo ekonomi.

 

Shifrat dhe realiteti i përshtatjes 

Për të kuptuar sa shpejt mund të rritet një ekonomi, duhen marrë në konsideratë dy tregues: përqindja e PBB-së që investohet dhe sa efikase janë këto investime. Investimet në Kinë janë jashtëzakonisht efikase. Duhet të investohet rreth 8% e PBB-së për të arritur një rritje ekonomike prej 1%. Kina investon rreth 40% të PBB-së, gjë që sjell një normë vjetore rritjeje prej rreth 5%. Ky është rezultati që është arritur gjatë kësaj periudhe dhe vazhdon të ruhet.

Të dhënat nga institucionet përkatëse tregojnë se shitjet me pakicë të mallrave konsumatore janë dyfishuar.

Sektori i shitjeve me pakicë dhe konsumi në përgjithësi është thelbësor për rritjen ekonomike të Kinës, jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen. Para vitit 2020, konsumi kontribuonte në rreth 60% të rritjes së PBB-së. Pas fillimit të pandemisë, ky kontribut ka rënë ndjeshëm. Paralelisht, është vërejtur një rënie e çmimeve të mallrave gjatë dy apo tre viteve të fundit, një prirje që duket se po thellohet. Në të ardhmen, konsumi dhe tregu i shitjeve me pakicë – veçanërisht në qytetet më të vogla – pritet të jenë shtyllat kryesore të rritjes ekonomike. Megjithatë, për momentin, ekonomia ndodhet në një fazë të thellë tranzicioni, ku perspektivat e të ardhurave dhe tregu i punës kanë nevojë për forcim përpara se të ndodhë një rimëkëmbje e madhe në tregun e konsumit.

Sipas të dhënave të disponueshme, tregtia me pakicë në Kinë është tashmë e barasvlershme me rreth 80% të asaj në SHBA. Megjithatë, nëse kjo krahasohet duke përdorur fuqinë blerëse reale (purchasing power parity) sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kina ka arritur një vlerë rreth 1.6 herë më të madhe se SHBA, duke e tejkaluar atë. Kjo ilustron ndryshimin mes të dhënave nominale dhe atyre reale të bazuara në fuqinë blerëse. Vëllimi i konsumit në Kinë është shumë më i lartë sesa perceptimi i përgjithshëm mbi performancën e tregut të saj me pakicë. Kjo dëshmon për qëndrueshmërinë e tregut të gjerë të konsumatorëve.

Një tjetër faktor që kontribuon në rritjen ekonomike globale, dhe në veçanti në atë të Kinës, është tregtia e jashtme. Eksportet kanë një rëndësi thelbësore për ekonominë kineze. Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë, Kina ka kryesuar në botë për tregtinë ndërkufitare të mallrave fizike.  Në të njëjtën kohë, po vërehet një diversifikim i tregjeve, me një orientim më të gjerë drejt vendeve të tjera për shkak të tarifave dhe të ashtuquajturës “luftë tregtare”.

Procesi i diversifikimit mund të karakterizohet në disa mënyra. Së pari, në aspektin e partnerëve tregtarë. SHBA-ja dikur ishte partneri më i madh tregtar i Kinës, duke përfaqësuar rreth  20% të vëllimit të tregtisë së jashtme të vendit. Por kjo përqindje ka rënë dhe aktualisht duke u tejkaluar nga Bashkimi Evropian dhe vendet e ASEAN-it. Ky është rezultat i strategjisë kineze për të ndërtuar më shumë partneritete globale dhe për të zgjeruar iniciativat e saj nëpër botë

 

“Diversifikimi” – fjala kyç e një planifikimi të shëndoshë ekonomik

Diversifikimi i ekonomisë kineze nuk kufizohet vetëm te partnerët tregtarë, por përfshin edhe monedhën me të cilën realizohet tregtia. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e tregtisë po realizohet në renminbi (RMB) në vend të dollarit amerikan. Ky zhvillim është pozitiv për tregtinë globale, sepse i ofron vendeve të botës – qofshin ato në zhvillim apo të zhvilluara – më shumë alternativa, si në origjinën e mallrave ashtu edhe në monedhën e përdorur në transaksione.

Megjithëse jemi në një periudhë kalimtare dhe ekzistojnë pasiguri të caktuara, përfshirë vendet që ndodhen midis Kinës dhe SHBA-së si BE-ja, Japonia, Koreja dhe vendet e ASEAN-it, strategjia e diversifikimit vazhdon. Megjithatë, parashikimet për pjesën e dytë të vitit përmendin një ngadalësim të eksporteve kineze.

Nëse analizohen faktet, SHBA-të përbëjnë sot vetëm 11% të tregtisë botërore të mallrave. Ajo përqindje është disi më e lartë në aspektin e importeve, por gjithsesi nuk është aq e madhe sa për të bllokuar zhvillimin e përgjithshëm të tregtisë botërore. Kjo vërehet qartë në tregtinë e Kinës, e cila po rritet; të dhënat e eksporteve janë shumë të mira. Përqindja e eksporteve kineze që shkojnë drejt SHBA-ve ka rënë nën 10% gjatë tre muajve të fundit, që përfshijnë efektet e tarifave. Megjithatë, eksportet e përgjithshme të Kinës vazhdojnë të rriten sepse po orientohen drejt tregjeve të tjera. SHBA-të thjesht nuk janë një faktor mjaftueshëm i madh për të ndikuar ndjeshëm në perspektivën e zhvillimit të tregtisë së Kinës apo të vendeve të tjera.

Çdo vend preket nga tregtia ndërkombëtare, përfshirë edhe Kinën. Sa i përket marrëveshjeve tregtare të fundit, ato mbeten të paqarta dhe të vështira për t’u kuptuar, për shkak të mungesës së transparencës për përmbajtjen dhe zbatimin. Problematikat janë ende të paadresuara për shkak të mungesës së standardeve dhe procedurave për identifikimin e tyre.

Megjithatë, fabrikat dhe bizneset kineze nuk shfaqin shqetësim për luftën tregtare. Ata janë duke përshtatur strategjitë e tyre dhe po ridrejtojnë aktivitetin e tyre drejt tregjeve të reja. Kjo qasje praktike dhe fleksibile po ndihmon në zbutjen e problemeve të mundshme që shfaqen në titujt kryesorë të lajmeve. Pavarësisht vështirësive, ekziston energji dhe përpjekje për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar në këtë realitet të ri tregtar.

 

Me sytë dhe kalkulimet nga e ardhmja

Në aspektin e zhvillimeve të brendshme, është raportuar progres i madh në ndërtimin e rrjetit kombëtar të transportit në kuadër të planit pesëvjeçar të 14-të të vendit. Kina tashmë udhëheq botën për sa i përket gjatësisë së linjave të hekurudhës me shpejtësi të lartë, duke përfaqësuar mbi 70% të totalit global. Po ashtu, udhëtimet ajrore mbulojnë mbi 91% të popullsisë. Kjo nënkupton një rritje të konsiderueshme të investimeve në infrastrukturë dhe një shtysë për rritjen ekonomike. Ky zgjerim infrastrukturor ka qenë një motor kyç për zhvillimin urban dhe rural, ka mbështetur zgjerimin industrial dhe integrimin rajonal, si dhe ka përmirësuar konkurrueshmërinë e Kinës në eksport.

Dhe kur shikojmë sa është ndërtuar dhe sa shumë njerëzit e përdorin, bëhet edhe më e dukshme. Pas viteve të investimeve në infrastrukturë, kinezët tani kanë koston për person në transport ndër më të ulëtat në botë dhe shumë më të ulët se pothuajse të gjitha tregjet në zhvillim. Kjo ka qenë baza për rritjen rajonale.

Sa i përket infrastrukturës, projekti i ri i madh për ndërtimin e një dige në lumin Yalong është shumë i përfolur. Ky është projekti më i madh ujor në historinë njerëzore dhe zhvillimi i tij tregon angazhimin e qeverisë qendrore për të arritur neutralitetin e karbonit në qytete dhe për të krijuar vende pune gjatë periudhave të vështira ekonomike. Kur u ndërtua diga Tre Gorge në vitin 1998, gjatë krizës financiare aziatike, ishte projekti i vetëm që ndihmoi në kthimin e ciklit ekonomik. Ky projekt i ri pritet të ketë një ndikim të ngjashëm, duke punësuar shumë punëtorë dhe kompani teknologjike, duke sjellë kështu nxitjen që Kina ka nevojë prej kohësh.

Në një dekadë do të vërehet se diga jo vetëm do të furnizojë me energji rajonin, por edhe do të ndihmojë në balancimin e përdorimit të ujit mes vendeve, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Bangladeshin.

Ky projekt është pjesë e përpjekjeve kombëtare për të prodhuar sa më shumë energji të rinovueshme dhe të pastër, duke reduktuar varësinë nga nafta, gazi dhe qymyri, burime fosile. Gjithashtu, ky projekt do të krijojë një model për botën për mënyrën se si energjia e pastër mund të prodhohet jo vetëm nga energjia ujore, por edhe në kombinim me energjinë diellore dhe atë eolike.

 

Hapje dhe lidhje e mëtejshme me botën

Në Kinë, përveç investimeve të qeverisë brenda vendit, investimet jashtë vendit janë po aq të rëndësishme. Megjithatë, për shkak të tensioneve gjeopolitike, rrjedha e investimeve të huaja drejt Kinës nuk është aq e lartë sa pritej. Ka dëshirë për më shumë investime të huaja në sektorë të ndryshëm në Kinë, por situata është sfiduese. Interesi është i madh në sektorë si kimikatet, plastikat e inxhinierizuara, investimet në automjetet elektrike (EV), dhe zgjerimin e zinxhirit të furnizimit në Evropë.

Në një krahasim global, ekonomia kineze po performon shumë mirë në një botë me sfida të mëdha. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së fundit, pagat reale ranë, ndërsa në Evropë rritja ekonomike është nën 1% në vit. Situata ndërkombëtare nuk është shumë pozitive dhe ka pakënaqësi të madhe në Evropë dhe SHBA.

Në Kinë, ekonomia po ecën mirë, ndryshe nga pritshmëritë dhe krahasuar me pjesën tjetër të botës.  Ndërsa në Kinë konsumi i brendshëm mbetet i ulët dhe tregu i pasurive të paluajtshme nuk është ende stabilizuar plotësisht. Qeveria po përpiqet të rrisë konsumin e brendshëm, për shembull përmes subvencioneve për pajisjet shtëpiake, dhe kjo ka sjellë rritje në këtë drejtim. Pyetja është sa do të jetë kjo e qëndrueshme dhe sa do të vazhdojnë subvencionet. Gjysma e dytë e vitit do të jetë shumë ndryshe nga gjysma e parë për situatën ekonomike. Besohet se Kina do të ketë nevojë për një stimul fiskal shtesë prej një deri në dy trilionë për të ruajtur rritjen prej 5% për vitin 2025.

Në Planin e 15-të  Pesëvjeçar të  pritet një vijimësi me fokus më të madh dhe më të gjerë në inovacion, pasi ende duhet zgjidhur problemi i sovranitetit teknologjik, i cili është thelbi i shumë konflikteve dhe sfidave aktuale. Një tjetër fokus është në rrjetin e sigurisë sociale, duke marrë parasysh ndikimin e zhvillimit ekonomik në jetën e njerëzve. Pritet një rritje e shpenzimeve, përfshirë një plan të hollë për arsimin dhe shëndetësinë.

 

Nëse e shikojmë rritjen e tregtisë me pothuajse gjithë botën, por gjithashtu vëmë re një lidhje më të fortë me vendet aziatike, dhe Bashkimi Europian është gjithashtu në këtë skenë. Kjo tregon shumë në aspektin gjeoekonomik për ndryshimet që po ndodhin në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit, si dhe për mënyrën se si konsumatorët po orientojnë interesat e tyre. Shpesh flitet për kalimin drejt cilësisë së lartë dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh, sepse eksportet kineze po rriten kryesisht në produktet me teknologji të lartë, të cilat kanë një ndikim të madh në sektorë të ndryshëm, nga qëndrueshmëria, fushat e gjelbra, deri te inovacioni.

Kur themelet e një ekonomie janë të vendosura siç duhet, ajo është në gjendje të përballojë dhe të përshtatet me luhatje të papritura, të cilat ndodhin në çdo periudhë dhe pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Pikërisht stabiliteti dhe saktësia e këtyre themeleve bëjnë të mundur që të jemi të sigurt për vazhdimësinë e performancës ekonomike në të njëjtën mënyrë si aktualisht, pavarësisht zhvillimeve të papritura.

 

AIGS

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us