Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

Rruga e Re e Mëndafshit – “Një brez, një rrugë”

Rruga e Mëndafshit ishte një produkt ikonik i Kinës, por ndër shekuj u bë pjesë e historisë tregtare dhe kulturore të Euroaziasë e më tej. Me të u krijua një nocion i trashëgimisë botërore dhe si i tillë duhet parë edhe në shekullin e 21-të. Nisma “Një brez, një rrugë” po përpiqet të rigjurmojë rrugët e lashta tregtare të Rrugës së Mëndafshit duke lidhur Lindjen dhe Perëndimin në rrugë tokësore dhe rrugë detare. Për më shumë se 1600 vjet Rruga e Mëndafshit promovoi shkëmbimin midis qytetërimeve perëndimore dhe lindore, duke bashkuar kinezë, indianë, persë, arabë, grekë dhe romakët. Në kohët moderne, nisma “Një brez, një rrugë” përpiqet të injektojë vitalitet të ri në këto rrugë të lashta tregtare përmes një masterplani të ri ekonomik që do të lidhë Azinë, Evropën dhe Afrikën brenda të njëjës kornizë ekonomike dhe zhvillimore. Kjo nismë nxjerr në pah thelbin e zhvillimit të ri strategjik të Kinës, i bazuar në progresin ekonomik dhe prosperitetin e përbashkët.

Çfarë është Nisma “Një brez, një rrugë” në praktikë? Sipas pasqyrimit të nismës nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, BRI bazohet në pesë prioritete bashkëpunimi: Koordinimi i politikave: Promovimi i bashkëpunimit ndërqeveritar, shkëmbimi i politikave makro dhe ndërqeveritare në shumë nivele dhe mekanizma të shtuar të komunikimit. Lehtësimi i ndërlidhjes: Përmirësimi i lidhjes përmes planeve të ndërtimit të infrastrukturës dhe sistemeve të standardeve teknike. Tregtia e lirë ose papenguar: Reduktimi i pengesave të investimeve dhe pengesave tregtare, promovimi i integrimit ekonomik rajonal. Integrimi financiar: Koordinimi dhe bashkëpunimi në politikën monetare dhe ngritja e institucioneve financiare. Lidhjet dhe shkëmbimet mes njerëzve: Shkëmbimi dhe dialogu kulturor dhe akademik, bashkëpunimi mediatik dhe shkëmbimet njerëzore,etj.

Këto parime u përpunuan fillimisht në vitin 2015, më pas u përsëritën gjatë Forumit të parë BRI-së të mbajtur në Pekin në 2017, dhe u rishprehën në Forumin e Dytë të BRI-së, të mbajtur në 2019.

Forumi i tretë “Një brez, një rrugë” për Bashkëpunim Ndërkombëtar që u mbajt në Pekin, mbylli siparin me sukses duke shënuar një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike të Kinës këtë vit, por të gjithë bien dakord se rëndësia e tij e thellë do të jehojë në të gjithë botën për muajt dhe vitet në vijim. Duke shënuar 10-vjetorin dhe fillimin e asaj që Presidenti Xi Jinping e quajti një tjetër “dekadë të artë” të bashkëpunimit në kuadër të kësaj nisme mbi 10,000 pjesëmarrës nga më shumë se 151 vende dhe 40 organizata ndërkombëtare që ishin të pranishëm në këtë forum, analizuan, projektuan dhe komunikuan pozicionet e tyre dhe aspiratat për të ardhmen e nismës.

Sikurse vetë nisma, prioritetet janë në evoluim të vazhdueshëm. Statistikat tregojnë se janë plot 140 vende që kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me Kinën për të qenë pjesë e BRI-së.

Mbështetja e kësaj nisme në rang botëror është e jashtëzakonshme. Fjala kyçe për BRI-në duket qartë së është infrastruktura. Autoritetet kineze e shohin infrastrukturën si mjeti më i mire për të arritur të ashtuquajturat “Korridore Ekonomike”. Por, korridoret ekonomike kërkojnë mbështetje financiare dhe sipas kalkulimeve të fundit në bazë të projekteve të nisura nëse BRI-ja do të ishte një shtet, do të renditej si ekonomia e tetë më e madhe në botë, duke eklipsuar Italinë, Brazilin, Kanadanë dhe Rusinë.

Me anë të BRI-së Kina po bën jashtë kufijve të saj atë që brenda territorit kinez ka sjellë vetëm përfitime, pasi fokusi në rritje ekonomike sjell më shumë stabilitet kombëtar dhe rajonal. Para së gjithash, ngritja ekonomike kineze është një histori suksesi global. Vendet në zhvillim mund të kenë një model progresi të qëndrueshëm nëpërmjet komunikimit të politikave të përmirësuara nga mekanizmat e BRI-së, duke zbatuar këto praktika në realitetet e tyre përkatëse.

Planet e BRI-së janë projekte tejet ambicioze, por për Kinën kjo nuk është gjë e re. Për shumë shekuj me radhë Kina nuk kishte konkurrencë për sa i përket efikasitetit, kompetencës ose aftësisë së saj për të ndërmarrë projekte të mëdha në shkallë të gjerë.  Ndërlidhja është kryefjala e BRI-së por ka një aspekt tjetër të saj përveç atij të prekshëm të infrastrukturës, ai i marrëdhënieve ndërshtetërore. Asnjëherë më parë, në historinë moderne kineze, drejtuesit e qeverisë nuk kanë pasur këtë intensitet takimesh, forumesh, simpoziumesh dhe samitesh siç kanë pasur që nga shpallja e Rrugës së Re të Mëndafshit në 2013.

Vizioni për ‘dekadën e artë’ 

Presidenti Xi Jinping organizoi një banket për mysafirët që merrnin pjesë në forum dhe theksoi bashkëpunimin dhe zhvillimin në ndjekjen e asaj që ai e quajti një tjetër “dekadë e artë” për nismën “Një brez, një rrugë” duke u shprehur se “Bashkëpunimi i fuqishëm dhe i frytshëm në dekadën e tij të parë, tani është plot dinamizëm dhe vitalitet. Ne duhet të fillojmë me entuziazëm në udhëtimin e ri drejt një dekade tjetër të artë.”

Fjalimi i Presidentit Xi titullohej  “Ndërtimi i një bote të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të ndërlidhur për zhvillim të përbashkët”. Xi shpalosi tetë hapa të mëdhenj që do të ndërmarrë Kina për të mbështetur bashkëpunimin me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”. Ato përfshijnë ndërtimin e një rrjeti shumëdimensional të lidhjes, mbështetjen e një ekonomie të hapur botërore, promovimin e zhvillimit të gjelbër dhe avancimin e inovacionit shkencor dhe teknologjik. Në mënyrë të veçantë, Kina u zotua për më shumë mbështetje financimi për projektet “Një brez, një rrugë” në bazë të funksionimit të tregut dhe biznesit, me dy banka politikash secila duke krijuar një dritare financimi prej 350 miliardë juanë (48.75 miliardë dollarë) dhe një shtesë prej 80 miliardë juanë të injektuar në Fondin e Rrugës së Mëndafshit. Kina do të kryejë 1000 projekte të ndihmës për jetesë në shkallë të vogël. Në fushën teknologjike, u lançua Iniciativa Globale për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale (AI), e cila ofron një qasje të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për zhvillimin, sigurinë dhe qeverisjen e AI.

Një fazë e re:suksesi i forumit tregoi edhe një herë se drejtimi i “Një brez, një rrugë” është i saktë, besimi i partnerëve është i fortë dhe perspektiva e zhvillimit me cilësi të lartë të BRI është e ndritshme. Ky forum u zhvillua në një kohë kur bota po përballet me rivalitet të shtuar gjeopolitik. Edhe pse nisma  fokusohet në rritjen e ndërlidhjes globale përmes politikave, infrastrukturës, tregtisë, financiare dhe lidhjes ndërmjet njerëzve, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për zhvillimin global dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, është parë shpesh me skepticizëm.

Një dekadë më vonë edhe kritikët e saj më të zellshëm po bien dakord që “Një brez, një rrugë” ka prodhuar rezultate të frytshme. Është bërë progres pasi ka kaluar nga një qasje koncepti në projekte të prekshme. Nisma është zgjeruar përtej lidhjes fizike për të përfshirë lidhjen institucionale, të udhëhequr nga parimet e planifikimit, ndërtimit dhe përfitimit të përbashkët; bashkëpunim i hapur, i pastër dhe i qëndrueshëm; dhe duke i dhënë përparësi cilësisë, njerëzve dhe qëndrueshmërisë. Nisma ka krijuar një rrjet global lidhjesh, duke përfshirë korridoret ekonomike, rrugët e transportit dhe autostradat e informacionit.

Në fjalët e presidentin Xi, ndryshimet në botë dhe rëndësia historike po shpalosen si kurrë më parë. Kina po përpiqet në të gjitha frontet, po ndjek modernizimin, jo vetëm për veten, por për të gjitha vendet në zhvillim përmes përpjekjeve të përbashkëta. Modernizimi global duhet të ndiqet për të rritur zhvillimin paqësor dhe bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë. “Në rrugën tonë përpara, ne do të hasim erëra të kundërta…por duhet të qëndrojmë të fokusuar në qëllimin tonë, të ndërmarrim veprime të orientuara drejt rezultateve, të këmbëngulim dhe të vazhdojmë të ecim përpara derisa të arrihet qëllimi ynë.”

 

Nisma ka hasur skepticizëm të pamëshirshëm dhe ndoshta zili, por asgjë nuk e ka ndalur. Kritikët e kanë etiketuar atë si një kurth dhe neokolonializëm dhe në raportet kryesore të mediave ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, një fjalë mbizotëron në lidhje më nismën: gjeopolitika. Por, ndërsa në pjesën e vendeve të zhvilluara po hidhen shumë në tregun e fjalëve antagoniste, ato vende që e kanë përqafuar po shohin rezultate. Angazhimi i Kinës për të vazhduar dhe thelluar globalizimin, në thelb po kontribuon në të mirën më të madhe duke lejuar vendet e tjera të fitojnë dividentët nga BRI. Projekte të tilla duhet të mirëpriten dhe natyrisht të përsëriten aty ku nevojiten më shumë. Kina e ka promovuar BRI-në si një mjet për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin. Qëllimi i BRI-së është ai i integrimit ekonomik dhe potenciali i jashtëzakonshem i një epoke të re të prosperitetit global.

 

© AIGS

 

 

 

AIGS is a research center based in Tirana - promoting interdisciplinary research on globalization.

Information

Follow Us