Foto nga VCG
Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për një frymë respekti të ndërsjellë, të ruajnë qëllimin e bashkëjetesës paqësore dhe të përpiqen për perspektivën e bashkëpunimit fitimprurës për të dyja palët, theksoi të dielën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi. Wang i tha këto në një konferencë për shtypin në kuadër të sesionit të katërt të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Një sondazh i kohëve të fundit i CGTN-it me 2 001 të anketuar amerikanë tregon konsensus të gjerë që ruajtja e qëndrueshmërisë së përgjithshme dhe momentit pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe është jetike, dhe pritshmëritë e forta publike për një bashkëpunim më të thellë me dobi të ndërsjellë dhe zgjerim të shkëmbimeve midis dy vendeve.
Sondazhi pasqyron një pranim të fortë dhe ndërpartiak të vlerës së marrëdhënieve të qëndrueshme Kinë-ShBA: 83.1 për qind e të pjesëmarrësve në sondazh e shohin ruajtjen e lidhjeve të mira me Kinën si shumë të rëndësishme, duke përfshirë 82.7 për qind të të anketuarve republikanë dhe 85.8 për qind demokratë. Përveç kësaj, 60.6 për qind janë optimistë për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe, optimizëm që arrin 70.9 për qind midis të anketuarve me të ardhura të mesme deri të larta dhe 85.9 për qind midis grupeve me të ardhura të larta.
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar shërben si gur themeli dhe fuqi shtytëse e marrëdhënieve Kinë-ShBA, dhe zhvillimi i qëndrueshëm e i shëndetshëm i këtyre marrëdhënieve u shërben interesave të të dy popujve. Në sondazh 69.7 për qind e të anketuarve amerikanë besojnë që ShBA-ja përfiton nga tregtia me Kinën. Ndërkohë, 65.4 për qind e pjesëmarrësve të moshës 18-24 vjeç e shohin tregtinë dypalëshe si të drejtë, kurse 64.3 për qind e mendojnë tregun super të madh të Kinës si një mundësi të madhe për Shtetet e Bashkuara. Mbi 70 për qind e të anketuarve nën moshën 34 vjeç kishin këtë pikëpamje, dhe shkalla e miratimit midis atyre nën 44 vjeç ishte mbi mesataren.
Të anketuarit amerikanë flasin gjithashtu pozitivisht për inovacionet shkencore e teknologjike të Kinës. Inteligjenca artificiale lë përshtypjen më të thellë, duke u renditur e para midis arritjeve teknologjike të Kinës, e ndjekur nga prodhimi dhe teknologjia 5G. Rreth 67.9 për qind besojnë se Kina po merr gjithnjë e më shumë një rol udhëheqës në vendosjen e standardeve ndërkombëtare të IA-së. Ndërkohë, 76.2 për qind e të anketuarve të moshës 18-24 vjeç dhe 73.9 për qind e atyre të moshës 25-34 vjeç shprehin interes për të udhëtuar, bërë vizitë a studiuar në Kinë.
Sondazhi u krye nga CGTN-i në partneritet me Universitetin “Renmin” të Kinës, nëpërmjet Institutit të Kërkimeve të Komunikimit Ndërkombëtar në Epokën e Re, me të anketuar amerikanë të moshës 18-65 vjeç. Mostra është përfaqësuese e popullsisë së ShBA-së në shpërndarjen e moshës dhe gjinisë.