Office Address

Mine Peza Street, Tirana
Albania

Email Address

info@globalizationinstitute.al

Ningbo: Qytet pararojë në nxitjen e talenteve të reja në shkencë dhe teknologji

Ningbo është një qytet i njohur për sipërmarrjen dhe inovacionin. Një nga qytetet e para kineze që u hap për tregjet e huaja, po bëhet përherë e më shumë një destinacion i preferuar i Evropës. Në platformën e bashkëpunimit Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (EQL), Ningbo ka qenë një vatër shumë aktive për vendet pjesëmarrëse. Konferenca të shpeshta akademike, promovim i produkteve evropiane në panaire, dhe së fundmi me fokus në shkencë dhe teknologji, ky qytet bregdetar po merr ndër vite stafetën e vendit simbol të shkëmbimeve (jo vetëm tregtare) midis anëtarëve të këtij mekanizmi.

Më 22 dhe 23 maj, u mbajt në Ningbo forumi "Shkëmbimi i Talenteve të Reja të Shkencës dhe Teknologjisë midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore 2025", i cili mbështetet nga Departamenti i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës Popullore të Kinës dhe Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë i Provincës Zhejiang të Kinës, i organizuar nga Qendra Kërkimore e Bashkëpunimit të Inovacionit Kinë-EQL. Ky event shkëmbimi përmbajti një aktivitet kryesor dhe tre aktivitete paralele, që synojnë ndërtimin e konsensusit përmes diskutimeve, forcimin e miqësive përmes vizitave dhe nxitjen e bashkëpunimit në të ardhmen.

Theksohet rëndësia e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë në Forumin Ndërkombëtar në Ningbo

Në forum Drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studime të Globalizimit (AIGS), Dr. Marsela Musabelliu, mbajti një fjalim mbi sfidat, përpjekjet institucionale dhe potencialin e bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Kinës për zhvillimin e kapitalit njerëzor shkencor. “Është një nder i vërtetë dhe një kënaqësi e veçantë të jem pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm, ku diskutojmë rreth njërit ndër motorët më dinamikë të zhvillimit: shkëmbimi dhe bashkëpunimi ndërmjet talenteve të reja në shkencë dhe teknologji,” tha Musabelliu. Ajo vlerësoi lart punën që po bëhet në qytetin e Ningbo-s për të nxitur talentet shkencore dhe teknologjike, duke e cilësuar atë si një model për përparimin global.

Në një pasqyrë të përgjithshme mbi realitetin shqiptar, Musabelliu theksoi se Shqipëria është një vend me rreth 2.4 milionë banorë dhe një ekonomi në zhvillim me një PBB për frymë rreth 8,500 dollarë . Struktura ekonomike dominohet nga sektori i shërbimeve – përfshirë turizmin, tregtinë, financat dhe administratën publike – ndërkohë që vendi ende përballet me sfida të mëdha për sa i përket zhvillimit të burimeve njerëzore në fushat e shkencës dhe teknologjisë. “Mosha mesatare e popullsisë është rreth 39 vjeç, çka do të thotë se nuk kemi aq shumë të rinj me performancë të lartë sa do të dëshironim,” nënvizoi ajo, duke shtuar se mungesa e infrastrukturës, e burimeve financiare dhe e qasjes në programe cilësore e bën të vështirë rritjen e një brezi të ri shkencëtarësh dhe teknologësh. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në mundësitë e punësimit për të rinjtë, por edhe në aftësinë konkurruese të Shqipërisë në një ekonomi globale gjithnjë e më të digjitalizuar dhe të bazuar në teknologji të avancuar.

Pavarësisht sfidave, Musabelliu theksoi se Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë strategjike të investimit në kërkimin shkencor dhe integrimin e talenteve të saj të reja në rrjetet ndërkombëtare të inovacionit. Strategjia Kombëtare për Kërkimin Shkencor, Teknologjinë dhe Inovacionin për periudhën 2023–2030 përfaqëson një hap të rëndësishëm institucional në këtë drejtim. Kjo strategji artikulon tre objektiva madhore politike: 1) Forcimi i kuadrit rregullator dhe infrastrukturor, për të përmirësuar cilësinë e kërkimit shkencor dhe respektimin e standardeve etike. 2)Nxitja e bashkëpunimit ndërmjet akademisë, industrisë, qeverisë dhe shoqërisë civile, nëpërmjet modelit të “Heliksës së Katërfishtë”. 3) Integrimi i arsimit STEM dhe aftësive digjitale në sistemin arsimor, me fokus në arsimin bazë dhe të mesëm. Strategjia zbatohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me institucione të tilla si Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI). Ndërkohë, universitetet shqiptare kanë zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë përmes programeve Erasmus+, Marie Skłodowska-Curie Actions dhe projekteve të Horizon Europe. Përmes Skemës së Lëvizshmërisë në Ballkanin Perëndimor, dhjetëra studiues të rinj shqiptarë kanë realizuar qëndrime kërkimore në qendra të huaja, duke nxitur transferimin e dijes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu, përmes COST Actions, studiues shqiptarë janë bërë pjesë e rrjeteve kërkimore në fusha si inteligjenca artificiale, energjia e rinovueshme dhe shkencat shëndetësore.

Përshtypje pozitive, por edhe sfida të mëdha: “Përvoja ka treguar se, kur u jepet mundësi dhe mbështetje, të rinjtë shqiptarë kontribuojnë në mënyrë domethënëse në sistemet globale të inovacionit,” theksoi Musabelliu. Megjithatë, ajo vuri në dukje se sfida të mëdha mbeten, ndër të cilat më e rënda është rrjedhja e trurit, si dhe integrimi ende i pamjaftueshëm i Shqipërisë në rrjetet globale të inovacionit. Strategjia përpiqet të adresojë këto çështje përmes investimeve të synuara në infrastrukturë dhe burime njerëzore, si dhe përmes nismave për rritjen e ndërgjegjësimit mbi vlerën e kërkimit shkencor në zhvillimin kombëtar.

Potenciali i bashkëpunimit Shqipëri–Kinë në fushën e shkencës dhe teknologjisë

Në fjalimin e saj, Musabelliu theksoi gjithashtu rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në skenën globale të inovacionit dhe shprehu bindjen se ekziston potencial i madh për të thelluar bashkëpunimin dypalësh midis Shqipërisë dhe Kinës, mbi bazën e përvojave të ndërsjella dhe marrëveshjeve ekzistuese në arsim dhe kërkim. Ajo propozoi konkretisht tri fusha bashkëpunimi: 1) Krijimi i laboratorëve të përbashkët kërkimor ose qendrave inovative midis universiteteve dhe instituteve shqiptare dhe kineze. 2) Zhvillimi i programeve të shkëmbimit dypalësh për studentë të doktoraturës, studiues postdoktoralë 3) dhe shkencëtarë të rinj, të financuara përmes bursave dhe granteve të përbashkëta.

Megjithatë, Musabelliu nuk nguroi të adresojë edhe sfidat që mund të pengojnë këtë bashkëpunim, përfshirë prirjen e institucioneve për të bashkëpunuar ekskluzivisht me entitete shtetërore. Ajo theksoi se kjo qasje duhet të modifikohet nëse synohet përparim i vërtetë. “Nëse doni përparim, angazhoni sektorin privat – qoftë në arsim, qoftë në industri,” tha ajo. Po ashtu, ajo sugjeroi krijimin e një Këshilli të Përbashkët Shqipëri-Kinë për Shkencën dhe Talentet, i cili do të kishte rol koordinues dhe monitorues të bashkëpunimit, si dhe identifikues të fushave të reja për zhvillim.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Musabelliu bëri një thirrje për t’i dhënë mbështetje brezit të ri të talenteve shkencore në Shqipëri: “Investimi në gjeneratën e sotme të talenteve shqiptare në shkencë dhe teknologji është një investim në të ardhmen.” Duke përmendur shembullin e Mira Muratit, bashkëkrijueses së ChatGPT dhe një prej personaliteteve më të njohura në botë në fushën e inteligjencës artificiale, Musabelliu përforcoi mesazhin e saj se shqiptarët, kur u jepet mundësia, mund të arrijnë majat e suksesit. “Historia ka treguar se shqiptarët, kur u jepet mundësia, shkëlqejnë. Ashtu si Mira, ka shumë të tjerë që presin të zbulojnë dhe realizojnë potencialin e tyre.”

Në fund, ajo uroi suksese forumit dhe ftoi pjesëmarrësit ndërkombëtarë të vizitojnë Tiranën për të forcuar më tej urat e bashkëpunimit.

© AIGS

AIGS është një qendër hulumtuese bazuar në Tiranë, që promovon analiza ndërdisiplinore mbi elemente të globalizimit.

Informacione

Na Ndiqni