Një vizitor fotografoi perëndimin e diellit buzë liqenit Dianchi më 11 shkurt 2025/ Xinhua
Teksa hyn në fshatin Haiyan në lindje të Liqenit Dianchi, në Kunming të provincës Yunnan në jug të Kinës, para syve shpaloset plazhi i ngjyrosur nga perëndimi i artë i diellit, ndërsa turistët mbajnë kamerat e tyre për të kapur këtë moment të bukur. Ky fshat i lashtë peshkimi me një histori qindra vjeçare, dikur ishte pasqyrimi i kulturës së peshkimit Dianchi, kurse tani është i famshëm për “pikën turistike me perëndimin më të mrekullueshëm”.
“Vetëm gjatë pushimeve 8-ditore të Festës së Pranverës, fshati mikpriti më shumë se 200 mijë turistë, duke nxitur konsumin e mbi 4.8 milionë juanëve,” tha përpara shtëpive të transformuara Li Long, përgjegjës i lagjes Haiyan pranë Qendrës së Pushimeve Dianchi. Falë skemës “qeveri + fshat kolektiv + sipërmarrje”, në fshat janë shtuar bujtinat, kafenetë, punishtet e trashëgimive kulturore jomateriale dhe objekte të tjera. Ndërkohë shtëpitë e lira janë “transformuar” në dyqane nëpërmjet dhënies me qira, kurse dhomat dikur të papërdorura, tashmë janë kthyer në “burim të ardhurash” për fshatarët.
Perëndimi i diellit buzë liqenit Dianchi / VCG
Në “pazarin e perëndimit” në hyrje të Haiyanit, tregtoret janë mbushur plot me artikuj artizanalë shumëngjyrësh apo fruta dhe perime të freskëta. Fëmijët luajnë mes turmës me të qeshura të pafund. Motra Jang, pronare e një dyqani, është e zënë me shitjen e makaronave prej bizeleve dhe peshkut të regjur në salcë. “Dikur siguroja jetesën nga peshkimi, por tani kam një dyqan afër shtëpisë. Jeta ime është shumë më e begatë se në të shkuarën!” tha ajo me fytyrë të qeshur.
Fshati Haiyan ka ruajtur jo vetëm arkitekturën tradicionale të një fshati të lashtë peshkimi me tjegulla blu dhe mure të bardha, por gjithashtu u krijon mundësinë turistëve të ndjejnë dhe të njohin kulturën e peshkimit të Liqenit Dianchi përmes peisazhit të bukur, falë restaurimit të ndërtesave dhe mbrojtjes së relikeve historike. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2024, fshati Haiyan priti më shumë se dy milionë turistë. Të ardhurat nga ekonomia kolektive e fshatit kaluan 2.56 milionë juanë, një rritje gati 40% krahasuar me vitin 2023. Të ardhurat për frymë të banorëve gjithashtu patën një rritje të ndjeshme.
Dy vizitorë bënë shëtitje në fshatin Niulian buzë liqenit Dianchi më 11 shkurt 2025/ Xinhua
“Në ditën e parë të hapjes, pata një xhiro mbi 700 juanë. Nuk më shkoi ndërmend se do fitoja para pranë shtëpisë sime!” Teksa futesh në kafene “Sweet Mixi” në fshatin Niulian, një tjetër nga 46 fshatrat e zonës, aroma e kafesë ndërthuret me flladin e Liqenit Dianchi. Pronarja Li Tiantian ndan me gazetarin entuziasmin e kthimit në vendlindje për të nisur një biznes të vetin. Ajo shprehet se është një “adhurese e vendlindjes”, ndaj është shumë e lumtur që mund të fitojë para “përpara shtëpi”, pa pasur nevojë të shkojë jashtë.
Në vitin 2022, Fshati Niulian transformoi të gjithë zonën në një peizazh ligatinor dhe importoi formate të reja biznesi si kampet nën qiellin me yje dhe pallatet e dasmave. Ndërkohë kolektivi i fshatit ka bashkëpunuar me sipërmarrjet për të krijuar një kompani operative për nxitjen e punësimit vendas. Që atëherë, fshati është kthyer në një pikë piktoreske dhe fshatarët janë kthyer në pronarë dhe punonjës. Ky ish-fshat tradicional peshkimi, ka nisur një rrugë të re të zhvillimit të integruar të bujqësisë, kulturës dhe turizmit, në mbështetje te burimeve vendore.
Parku ligatinor buzë liqenit Dianchi / VCG
Ndryshimet nuk po ndodhin vetëm në fshatrat Haiyan dhe Niulian. Gjatë dy viteve të fundit, qyteti Kunming ka zgjedhur 46 fshatra kyçe ndër 183 fshatrat natyrorë buzë Liqenit Dianchi për t’i transformuar dhe përmirësuar ato. Që nga perëndimi i diellit në Haiyan e deri tek kampi nën yje në Niulian, që nga aroma e barit në Baicao e deri tek doket e zakonet e kombësisë Bai në Yanglingang, 46 fshatrat kryesore përgjatë Liqenit Dianchi po vizatojnë një tablo të rigjallërimit rural falë integrimit të bujqësisë, kulturës dhe turizmit me zhvillimin e personalizuar të “një fshat, një politikë”.
Sipas të dhënave, në vitin 2024, fluksi vjetor i turistëve në këto 46 fshatra kaloi 10 milionë. Të ardhurat operative arritën në 540 milionë juanë dhe të ardhurat për frymë të fshatarëve u rritën në gati 1000 juanë.
Unaza rreth liqenit Dianchi për biçikleta / VCG
Burimi ©CGTN